Të jesh apo të mos jesh mburravec?
- Nga: Çapajev Gjokutaj
Mos i gjykoni rreptë mburravecët. Të gjithë, pesë poshtë pesë lart, jemi nga pak mburracakë, na pëlqen të nxjerrim veten në pah, t’ia shtojmë vlerat.
Dhe më e çuditshmja është se këtë nuk e bëjmë nga qejfi, por nga halli. Të paktën në një pjesë të mirë të rasteve.
Ta marrim më shkoqur. Iluzionet pozitive për veten janë dukuri tejet e përhapur. Në SHBA, për shembull sondazhet tregojnë se 90% e taksistëve thonë që aftësitë e tyre profesionale janë mbi mesataren.
Taksistë hesapi, do thotë ndonjëri, po të qenë më të aftë s’do e nxirrnin bukën duke ngarë makinën gjithë ditën e ditës.
Profesorët e universiteteve, që janë goxha më të ditur, e kanë këtë shifër edhe më të lartë. 94% e tyre e venë veten mbi të mesmen në punën që bëjnë.
Statistikisht asnjëra nga këto dy shifra nuk është e mundur. Më shumë se realitetin ato pasqyrojnë nevojën që ka njeriu për ta parë veten me lupën e iluzioneve pozitive, domethënë për të zmadhuar vlerat vetiake.
Ndodh kështu se iluzionet pozitive për veten ose, thënë ndryshe, mburrja i shërben jetës, është bastun për ekzistencën.
Shumica e njerëzve që kanë vlerësim esëll për vetveten, thonë psikologët, janë depresivë.
E ç’të mirë ke nga depresioni? Katranos jetën tënde dhe sakaton edhe gëzimin e atyre që ke pranë.
Parë kështu dilema: të jesh apo të mos jesh mburravec, është e zgjidhur me një afirmim të fortë.
Por me dy kushte. E para, bëj kujdes që vetmburrjet të mos fyejnë të tjerët. E dyta: gjella me kripë e kripa me karar. Ndryshe bëhesh gazi i botës.











