Kolumnist

Shqipja - Dialekte dhe Standarde

Nga: Arben Kallamata

Pjesa e parë-  Ndryshimet dialektore janë pasojë e veçimit, e mungesës së shkëmbimeve midis grupeve të ndryshëm njerëzish. Popullsi të caktuara, kur veçohen nga njëra - tjetra, pa marrëdhënie të mjaftueshme, pavarësisht se dikur mund të kenë pasur një gjuhë të përbashkët, të njësuar, fillojnë të zhvillojnë forma të ndryshme të përdorimit të të njëjtës gjuhë. Gjuha është si një qenie e gjallë që zhvillohet në drejtime të ndryshme, sipas mjedisit ku jeton, sipas përdoruesve dhe rrethanave natyrore.

Kushdo që di Anglisht e njeh mirë dallimin midis Anglishtes Britanike, asaj të SHBA-ve, apo asaj të Australisë. Afro 400 vjet më parë, në kohën e Shakespeare-it, ishin vetëm 3 milion njerëz që flisnin Anglisht. Duke u shpërndarë dhe veçuar (të paktën deri në shekullin e kaluar) nga njëri tjetri, ata zhvilluan dialekte fare mirë të dallueshme.

Me kalimin e kohës, veçimi dhe zhvillimi i dialekteve pavarësisht nga njëri-tjetri mund të çojë në krijimin e gjuhëve pothuaj krejtësisht të ndryshme. Jo më kot, ideja e klasifikimit të gjuhëve të botës nëpërmjet Familjeve, si dhe e përcaktimit të disave prej tyre si degë të një trungu të përbashkët, pranohet sot përgjithësisht nga gjuhëtarët dhe historianët në të gjithë botën. Nga Latinishtja e Romakëve kanë rrjedhur Italishtja, Spanjishtja, Portugalishtja, Rumanishtja, Frëngjishtja etj. Rusishtja, Bullgarishtja, Polonishtja, Çekishtja, Sllovenishtja etj., kanë një burim të përbashkët, sllav. Nga Gjermanishtja ka ardhur Anglishtja, Danishtja, Hollandishtja, Suedishtja.

Shqipja ka dy dialekte kryesore – Gegërishten dhe Toskërishten. Ndarja midis tyre është gjeografike – një përrua i madh, ose lumë i vogël, merreni si të doni, që quhet Shkumbin. Por, hollë hollë, Shkumbini nuk ndan por bashkon dy brigje!

Theksimi i të vërtetës së pranuar, shkencore, se dialektet janë pasojë e veçimit, është tepër i rëndësishëm kur flasim për dialektet e shqipes. Ende qarkullojnë teori të çuditshme sipas të cilave dialektet e shqipes (dhe ky duhet të përbëjë një përjashtim vërtet të papërsëritshëm) janë shprehje e pranisë së dy etnive krejtësisht të ndryshme. Nicholas Gage, për shembull, vërtitet nëpër qarqet akademike të SHBA-se duke trumbetuar se ndarja midis gegnishtes dhe toskërishtes është thjesht ndarje midis popullsive me prejardhje epiriote dhe ilire, dhe se epiriotët janë grekë, prandaj flasin toskërisht(!?).

Teori të tilla mbështesin pastaj pretendimet greke mbi Epirin në përgjithësi dhe, në veçanti mbi Epirin e Veriut, ose Shqipërinë e Jugut. Natyrisht, kjo teori është e pakuptimtë, si nga ana gjuhësore ashtu edhe nga ajo historike. Megjithatë, theksimi i dallimit midis Gegërishtes dhe Toskërishtes ka arritur të hyjë edhe në enciklopedi e udhëzues gjeografikë, ku vazhdimisht dy dialektet e Shqipes paraqiten si “të pakuptueshëm nga popullsitë përkatëse.” Gjë që çdo shqiptar e ka të qartë se nuk është e vërtetë. Pavarësisht nga vështirësitë, një shqiptar nga Jugu e ka po aq të lehtë ose po aq të vështirë të kuptojë një shqiptar nga Veriu, sa ç’e ka, për shembull, një anglishtfolës nga Bostoni të kuptojë një tjetër nga Sidney apo nga New Delhi.

Fatkeqsisht, në kurthin e përpjekjeve për të dramatizuar dallimet ndërdialektore në shqip, bien jo rrallë edhe vetë shqiptarët. Dhe më së shumti mollë sherri bëhet gjuha Standarde dhe origjina e saj.

Por përpara se të vazhdoj me këtë sherr desha të sqaroj pak se si e shoh unë Shqipen Standarde dhe rolin që ka ajo në kuadrin e Shqipes në përgjithësi.

Siç e vura në dukje më lart, brenda dy ndarjeve të mëdha të shqipes, Gegërishtes dhe Toskërishtes, gëlojnë me dhjetra nëndialekte. Një vesh i mësuar dhe i vëmendshëm nuk e ka fare të vështirë të dallojë midis dikujt që vjen nga Korça e dikujt tjetër që vjen nga zona e Devollit; nga Vithkuqi, apo nga Moglica, nga Dardha apo nga Vakëfet. Nëse ke jetuar gjatë në Korçë, për shembull, nuk e ke të vështirë të dallosh se dikush është pogradecar, kolonjar, beratas, fierak, gjirokastrit, lushnjar apo vlonjat. Eshtë e mahnitshme, por në Shqipëri mund t’ia gjesh prejardhjen dikujt brenda një rrezeje prej jo më shumë se 5 ose 10 km. vetëm duke e dëgjuar të flasë. Të gjithë bashkë, dialekte dhe nëndialekte, përbëjnë atë që konceptohet si Gjuha Shqipe. Nënvleftësimi, injorimi apo mohimi i secilës pjesë s’bën gjë tjetër veçse dëmton dhe sakaton gjuhën, pasurinë e saj.

Sipas gjuhëtarëve, pasuria leksikore e një gjuhe vërtitet rreth 200.000 fjalëve (me përjashtim të Anglishtes që numëron trefishin). Në vartësi të aftësive, prejardhjes, shkallës së arsimit, profesionit etj., njerëz të zakonshëm kanë në përdorim të përditshëm një fjalor aktiv me rreth 7.000 deri në 8.000 fjalë. Brenda këtij inventari fjalësh, një mjek do të ketë më të përdorshme terma të mjekësisë; një kritik letrar do të ndjehet më rehat me figura dhe togfjalësha letrarë; një politikan do të flasë me zhargonin e politikës (që, me që ra fjala, është edhe pjesa më e ndotur e gjuhës), ndërsa një fshatar do të përdorë më tepër fjalë që kanë lidhje me tokën, bagëtinë dhe veprimtarinë e tij të përditshme. Gjithashtu, sipas krahinave prej nga vijnë, njerëz të ndryshëm do të përdorin më shumë fjalë apo shprehje gramatikore që përkojnë me ato anë - dialektin. Megjithatë, përdorimi që i bën secili nuk ka përse të dëmtojë të tërën. Nga ana tjetër, asnjë njeri i veçantë nuk mund të jetë në gjendje të përdorë aktivisht të gjitha fjalët që përmban leksiku i Gjuhës Shqipe. Kjo është praktikisht e pamundur.

Duke qënë se njerëz të ndryshëm përdorin pjesëza të ndryshme të kësaj pasurie gjigande që quhet gjuhë, lind nevoja e krijimit të një marrëveshjeje sipas të cilës përdoruesit bien dakort që, në rrethana të caktuara, të përdorin njësi të përbashkëta. Dhe që këto njësi të përbashkëta t’i përdorin sipas disa rregullave të përcaktuara.

Në fillim të Shekullit të Njëzetë shqiptarët u vunë të krijojnë shtet. Pa kaluar shumë kohë, ata e panë se ky shtet kishte nevojë për një variant të njësuar të gjuhës. Për një Shqipe Standarde, ose Zyrtare – një dialekt, apo zhargon që do ta njihnin, ta pranonin dhe ta përdornin të gjithë. Një gjuhë me të cilën shkresat që shkruheshin në komunat e Kukësit e të Sarandës të lexoheshin pa vështirësi në Ministritë përkatëse, në Tiranë. Sepse, nuk mund të vije përballë një mjek, që fliste me terma mjekësie, të diskutonte me një fshatar nga Progri i Devollit dhe të prisje që ai malësori i Nikaj Mërturit të hynte në muhabet pa u ngatërruar. Aq më tepër, t’ua regjistroje bisedën dhe të lejoje një jurist nga Vlora që të vendoste kush kishte të drejtë. Për këtë arsye lindi nevoja e Gjuhës Zyrtare.

Ajo nuk u bë në kohën e Zogut. Nuk u bë (dhe s’kishte s’i të bëhej) në “kohën e Italisë”. Nuk u bë (dhe s’kishte si të bëhej) as në “kohën e Gjermanit”. U bë në kohën e komunizmit.

Si çdo gjë që bëhej në komunizëm, do të mbante damkën e komunizmit.

Damka që i dha komunizmi ishte animi i dukshëm nga dialektet jugore. Kjo damkë vazhdon ta ndjekë edhe sot. Por a është ajo e mjaftueshme që ta bëjë Shqipen Standarde ilegjitime dhe të justifikojë kërkesën për rishikimin e saj? Ose, a janë të justifikuara mëritë dhe inatet që shpërthejnë herë pas herë midis shqiptarëve kur diskutojnë këtë temë? Vijon …