Kolumnist

Gjullurdi tribale

Nga: Çapajev Gjokutaj

Mbrëmë stacionet televizive luanin një kungulleshkë makabre. Fjala ishte për gishtat e prerë të një policeje 24 vjeçare. Një shashkë e hedhur nga protestuesit i preu disa gishta të njerës dorë.

Katër gishta, thoshte njeri. Tre, ia priste tjetri. Të tjerë thoshnin dy apo një. Asnjë kishte thenë gjatë ditës ish kryeministri që, pasi kishte akuzuar policen se kishte bërë me gjasme, në frymëzim e sipër kishte krijuar dhe një mesele me hajna që vidhnin gishtat e një ndrikulle.

Polifonia vinte e bëhej kakofoni shurdhuese, kur përshkruhej plagosja. Një shashkë e hedhur nga protestuesit i ra në qafë dhe vajza po e hiqte kur i shpërtheu; gjene shyqyr: në vend të kokës ikën gishtat, thoshte njeri.

Tjetri ia kthente: e pësoi se nuk kishte veshjen dhe paisjet e duhura, as doreza; pagoi për neglizhencat e shefave të saj.

Një e tretë vinte dorën në zjarr se shashkat nuk i kishin hedhur protestuesit, por provokatorë të paguar nga qeveria.

Dhe gjithë ky vorbull hamendjesh e trillimesh shkumëzonte për një ngjarje të ditës, ndodhur në mes të Tiranës, nën vëzhgimin e dhjetra kamerave.

Merre me mënd ç’bëhet për gjëma që ngjizen larg syve të publikut, gjëma që nuk kanë sakatosur dorën e një personi, por trupin e mëmëdheut, duke i xhvatur llokma të majme në trajtë pyjesh, lumenjsh, minierash, trojesh në bregdet etj.

Ka çerek shekulli që politika bën folklor të këtij kallëpi. Shpif e trillon për gjithçka. Jo për të gjetur të vërtetën, por për të krijuar mjegull. Se kështu siguron vota, por edhe fsheh vjedhje, maskarallëqe e gjithfarë gjëmash.

Dhe mediat bëjnë megafonin e mbajnë iso. Dhe qytetari i gjorë s’di ç’të besojë e kujt t’i zejë besë. Dhe i lodhur e shpresëvrarë, zë veshët me dorë dhe niset nga sytë këmbët, vetëm e vetëm të shpëtojë nga kjo gjullurdi tribale.

Tagged under Çapajev Gjokutaj