Kolumnist

A do t’ia zbardhë faqen lypjes Erion Veliaj?

Nga: Jeta Dedja

Në këtë fundviti, kur shumica e njerëzve supozohet të marrin dhurata për festa dhe qytetarët shpërblime për punën e një viti, qeverisja vendore e kryeqytetit shqiptar del me një vendim ndëshkues dhe jo shpërblyes. Ndëshkohet sjellja e asaj kategorie qytetarësh që nuk kanë të ardhura minimale për të përballuar jo vetëm kërkesat e festave, por as nevojat e ditëve të tjera. Çfarë është kjo sjellje e ndëshkueshme? Lëmosha në mjedise publike dhe fshirja e xhamave të automjeteve në semafor.

Për disa lypja është kthyer në biznes, por për shumë të tjerë ajo është e vetmja rrugë për të nxjerrë kafshatën e përditshme. Madje, madje për politikanët si Erion Veliaj ajo është Modus Operandi, po t’i referohemi shprehjes “Lypja faqen e zesë e ka, por pa gjë nuk të lë”, të cilën ai e ka përdorur 3 vite më parë kur u lypte bizneseve mbështetje.

Prandaj, mendoj se Kryebashkiaku i Tiranës, i zgjedhur me votat e socialistëve do duhej të ishte më social dhe të miratonte një rregullore të stilit shpërblyes për sjellje të mira qytetare dhe jo ndëshkuese për sjelljet që i prishin bukurinë e qendrës. Vërtetë që mjerimi nuk do mëshirë, por drejtësi, siç na është ngulitur në mendje prej Migjenit, por drejtësia ditët e sotme duhet të shkojë drejt zgjidhjeve sociale dhe jo penale. Për shembull, po sikur të jepte shpërblim 2000 mijë lekë për ata që do t’i ofronin një vakt një personi në nevojë, ose atyre që punësonin njerëz të kësaj kategorie t’u ulte taksat apo t’i përjashtonte nga një taksë e caktuar vendore? Po sikur vetë Bashkia të punësonte një person për familje nga shtresat në nevojë në vend të asaj asistence qesharake? Ose ai bashkë me stafin e këshillin të mendonin të tjera zgjidhje, më kreative se këto që unë solla si shembull.    

Për mendimin tim, politikat ndëshkuese vetëm sa e kanalizojnë sjelljen në drejtime të tjera të paligjshme apo të papërshtatshme dhe sjellin efekte afatshkurtra, por me pasoja negative afatgjata. Ndërkohë që politikat shpërblyese prosociale dhe ndërvepruese me qytetarin janë më humane. Ato, nëse nuk e ulin nivelin e lypjes nga sot për nesër, të paktën në planin afatgjatë do të sjellin përmirësime të mendësisë së qytetarëve.

Nga ana tjetër, po të marrim nenin 10 të rregullores së këshillit bashkiak, pika 7, sipas të cilës gjobitetKërkimi i lëmoshës në mjedise publike dhe fshirja ose pastrimi i xhamave të makinave në semafor; kuptojmë kur lexojmë më poshtë sanksionet se që të gjithë ata që do duan të kërkojnë lëmoshë do të gjobiten nga 2000 deri në 10000 lekë nëse do të rrinë ulur duke lypur apo nëse do rrinë në semafor me leckë në dorë.

Kështu që zgjidhja për të mos u gjobitur i bie që të mos kërkojnë lëmoshë në mënyrë direkte, por mund të marrin një leckë në dorë e të pastrojnë xhamat apo të bëjnë sikur i pastrojnë jo në semafor, por pak më tutje. Në këtë mënyrë nuk do të quhen as lypës e as shkelës të rregullit të pastrimit në semafor.

Si rrjedhojë as policia bashkiake nuk do të mund t’i gjobisë dhe as kryebashkiaku nuk do të mund ta fshehë dot varfërinë e Tiranës e të të gjithë Shqipërisë.