Kolumnist

Shpërdorimi i Skënderbeut në vitin e kulturës qorre!

Nga: Përparim Kabo

Dje Papa i Vatikanit foli me një përnderim gëzimndjellës për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe rolin e tij për Europën.

Është rasti të themi disa fjalë për vitin e Skënderbeut. Nisi me një ceremoni shtetërore në janarin e 2018-s, ku mes një retorike zyrtare dhe një ekspozite u ngrit sipari ceremonial.

Më tej një vit pa përmbajtje ashtu si edhe do të duhej. As edhe një konferencë ndërkombëtare e atij niveli që pritej. Asnjë seancë në Bruksel apo në Strasburg për atletin e Krishtërimit. Asgjë kërkimore në arkivat e Napolit, Vatikanit, Milanos, Venecias, Budapestit apo Stambollit dhe gjetiu.

Asnjë korpus i ri me botime, qoftë edhe në gjuhë të huaj që i janë dedikuar Skënderbeut nuk u botua. As opera Skënderbeu e Prenk Jakovës nuk u rivu në skenë, e cila kishte dhe 50-vjetorin e premierës së parë në 1968-n. As në Teatrin Kombëtar nuk u vu në skenë drama kushtuar heroit dhe që ishte shkruar nga Fadil Paçrami i burgosur.

Drejtori e mori pjesën dhe premtoi se do ta vinte në skenë, por premtimi u bespré. Asgjë në artet figurative apo në aspektin muzeumologjik. Gjithçka shkoi në skajin e një shprehjeje të mendjemadhësisë pushtetore dhe asgjë më shumë. Muzeum pa objekte origjinale kur letërkëmbimi tij mund të gjendet në arkivat jashtë vendit. As edhe një ceremoni në varrin e të shoqes në Spanjë.

Viti i Skënderbeut nuk shtoi vlera, por pakësoi historinë tonë falë heshtjes e aftësive të munguara dhe një kulture qorre që ka kohë që mbretëron. Botimet kushtuar heroit janë ndërprerë, lidhjet e tij me krishtërimin nuk studiohen, atëherë cfarë mbeti?

Një mendjemadhësi tipike nga ato të rregjimeve që vjedhin lavdinë e të shkuarës me qëllim që të fshehin atë që s’e bëjnë dot vetë.

Heroi është mirë, madje shumë mirë pa ne, që asgjë prej tij nuk kemi në sjelljen dhe botëkuptimin tonë...