Kolumnist

Çfarë feje kanë shqiptarët?

Nga: Arben Kallamata

Si rregull të gjithë përgjigjemi pa u menduar: “70 përqind muslimanë; 20 përqind ortodoksë dhe 10 përqind katolikë”

Një përgjigje për pyetjen: Ç’fe kanë shqiptarët?

Në një takim gazetarësh europianë në vitin 1994 me ra rasti të takoj një gazetar të ftuar nga Mongolia. Të gjithë ishin kureshtarë dhe, gjatë pushimeve, e mbytën në pyetje. Ai mundohej të mos prishte qef. Ajo që bëri më tepër përshtypje ishte se, kur e pyetën se sa kamilje kishte në Mongoli, ai dha një shifër të saktë: 1,245,143. Ndërsa pyetjes se cila ishte popullsia iu përgjegj: mbi 2 milion e gjysëm. 

Pyetja që i bëhet pothuajse çdo shqiptari nga të huajt është “Ç’fe kanë shqiptarët?” Si rregull të gjithë përgjigjemi pa u menduar: “70 përqind muslimanë; 20 përqind ortodoksë dhe 10 përqind katolikë“. Pakkush e vret mendjen të gjejë nga kanë dalë këto numra, sa të sakta janë, a pasqyrojnë realitetin dhe përse vazhdojnë të përdoren me aq siguri. Të mësuar siç jemi t’i pranojmë disa gjëra pa i vënë në dyshim, ne vazhdojmë të përsërisim e të përsërisim me siguri absolute të njëjtat përqindje, aq sa ua kemi mbushur mendjen edhe të huajve se janë të padiskutueshme. Shifrat 70-20-10 përdoren pa dogane nga shqiptarë dhe të huaj, hyjnë nëpër shkrime e enciklopedi, mbushin faqet e Internetit e referencave në të katër anët, dhe merren si të mirëqëna.

Nga një kërkim i shpejtë në Internet del se përqindjet citohen kudo – në Enciklopedinë Britanike, në Librin e Fakteve të CIAs, fjalorin Webster e, natyrisht, në të gjitha faqet e Internetit ku bëhet fjalë për Shqipërinë. Megjithatë, sado të kërkosh, është e pamundur të gjesh burimin origjinal zyrtar. 

Feja është një pikë ku shqiptarët janë treguar të përparuar. Personalisht këto shifra në vetvete nuk më shkaktojnë asnjë shqetësim. I shoh shqiptarët si shqiptarë dhe jam krenar që kështu e shohin njëri-tjetrin edhe shumica dërrmuese e bashkëkombësve të mij. Nuk do të uroja kurrë t’i ktheheshim njeri-tjetrit dhe ta numëronim si musliman, ortodoks, apo katolik. Këtë nuk e kemi bërë ndonjëherë dhe s’kemi përse ta bëjmë tani. Pavarësisht nga trajtimi që i bën ndarjeve fetare bota, qoftë edhe ajo Perëndimore, feja është një pikë ku shqiptarët janë treguar më të përparuar. 

Por imazhi i Shqipërisë si vend ku mbizotëron popullsia muslimane nuk kalon pa u vënë re nga të tjerët, përfshirë edhe Perëndimin. Qarqe të caktuara s’harrojnë ta theksojnë dhe ta ritheksojnë këtë fakt, madje edhe ta zmadhojnë atë duke e paraqitur Shqipërinë si vend krejtësisht musliman. Disa intelektualë shqiptarë i shqetëson ky fakt dhe mundohen të japin shpjegime historike për rrethanat që kanë ndikuar në kthimin e shqiptarëve në fenë muslimane; për prirjet tradicionale pro-Perëndimore të tyre, pavarësisht nga feja; për prejardhjen e lashtë të krishterë e të tjera. Të tjerë nxjerrin teori ekstreme, që shkojnë deri në çmenduri, me propozime për ri-konvertime masive në interes të ardhmërisë së kombit. 

Ka vend për t’i vënë në dyshim shifrat dhe riparë (pa)saktësinë e tyre. Nëqoftëse në Shqipëri jetojnë 70 përqind muslimanë, 20 përqind ortodoksë dhe 10 përqind katolikë, le ta shohim në sy këtë fakt the të mendojmë se ç’mund të bëjmë përballë tij. Por përpara se ta bëjmë kët, ka vend për t’i vënë në dyshim këto shifra dhe për të riparë (pa)saktësinë e tyre. Vetë rrumbullakosja e shifrave (70-20-10) të bën të mendosh se diçka nuk është në rregull. Libri i fakteve i CIAs (padyshim një nga burimet më të besueshme dhe shkencore për statistikat e vendeve të ndryshme të botës) e jep popullsinë e Shqipërisë në vitin 2001 të vlerësuar 3,510,484. Një shifër e saktë, e pa rrumbullakosur. Merrni një makinë llogaritëse dhe gjeni 70 përqind të 3,510,484. Mua më del 2,457,338.8 – numri i muslimanëve. Çdo të thotë 0.8 njeriu? Llogaris numrin e ortodoksëve – 702,096.8. Katolikët dalin 351,048.4. Kjo thjesht nuk ka kuptim. E njëjta gjë ndodh edhe me shifrat që jep Enciklopedia Britanike: 3,413,904 – përkatësisht 2,389,732.8 muslimanë; 682,780.8 ortodoksë dhe 341,390.4 katolikë. Përbërja e popullsisë shqiptare që nga koha e Zogut e deri sot ka ndryshuar disa herë.
Përafrimet 70-20-10 e kanë zanafillën në statistikat e para Luftës së Dytë. Se sa të sakta kanë qënë ato dhe cilave qëllime politike i kanë shërbyer në atë kohë, nuk ia vlen t’i diskutosh. Përbërja e popullsisë shqiptare që nga koha e Zogut e deri sot ka ndryshuar disa herë, siç ka ndryshuar ndjeshëm edhe drejtimi fetar. Pra, edhe nëse kanë qënë të sakta në atë kohë (gjë që ka shumë pak të ngjarë me atë administratë gjysmake dhe thuajse analfabete), përpjestimet nuk mund të jenë ruajtur deri sot. Ato janë përmbysur në kohën e Komunizmit. Nuk mund të mos merret parasysh fakti që në vitin 1967 Hoxha mprehu shpatën dhe krasiti të gjitha fetë në Shqipëri. Një brez i tërë u rrit jo vetëm pa lidhje me fenë, por edhe me ndjenja armiqësie ndaj saj. Për mirë apo për keq, pjesa më e madhe e shqiptarëve sot nuk besojnë dhe nuk e lidhin veten me asnjë formë besimi fetar.  Lidhur ngushtë me këtë janë martesat ndërfetare. Si mund ta presësh me thikë dhe ta rrumbullakosësh përkatësinë e popullsisë në fe të ndryshme pa llogaritur përzjerjen e saj? Kjo përzjerje ka filluar shumë më herët se viti 1967, shumë kohë para se ta mprehte shpatën ai që përmendëm më lart. Ajo ka sjellë ndryshime të papërfytyrueshme në përbërjen e popullsisë. Unë nuk besoj te feja. Prindërit e mi nuk besonin. Gjyshërit e mij kanë qënë ortodoksë. Gjyshërit e gruas sime, e cila së bashku me prindërit e saj nuk beson, kanë qënë muslimanë e bektashinj. Çfarë janë dy fëmijët e mi? Në çfarë 0.8 përqindëshi përllogaritës do numërohen ata? Dhe sa mijëra e mijëra çifte të tjerë të ndërthurur midis tre ose katër feve jetojnë të qetë dhe në harmoni në të gjithë Shqipërinë, pa e vrarë mendjen ta ndajnë familjen në 70-20-10? Përzjerja fetare me anë të martesave tashmë ka kaluar deri në brezin e tretë. Në Librin e Fakteve të CIAs dhe në burime të tjera, kur përmendet ndarja fetare 70-20-10, jepet edhe shënimi sqarues: “në vitin 1967 u mbyllën të gjitha xhamitë dhe kishat dhe u ndalua ushtrimi i fesë. Në nëntor të vitit 1990 Shqipëria lejoji ushtrimin privat të fesë.” 
Shënimi është i përpiktë, por të krijon përshtypjen sikur shqiptarët u rikthyen aty ku kishin qënë në 1967. Kjo s’është e vërtetë. Interesi për fenë në fillim të viteve 90të ishte kryesisht shprehje kundërshtimi ndaj komunizmit. Më pas ai filloi të bjerë thuajse në nivelet e para 1990tës. Nga ana tjetër, hapja e Shqipërisë, misionet fetare nga të katër anët, kanë sjellë konvertime nga më të çuditshmet, në fe e sekte fetare për të cilat shqiptarët as që kishin dëgjuar më parë. Pa llogaritur këtu mijëra emigrantë ekonomikë që e kanë kthyer veten nga Ali në Vasil dhe kanë pagëzuar me kuç e me maç për të qënë në gjendje të punojnë pa iu rënë njeri në qafë. 
Jo pak shqiptarë sot vazhdojnë të votojnë me qef për komunistët, dhe do të falnin edhe jetën për të parë edhe një herë fotografinëe atij shpatarit sipër kutisë së votimeve. A mund të thuash se ata i përkasin ndonjë feje tjetër vec Komunizmit? S’duhet harruar se mosha mesatare e tyre është diku afër të 70tave, pjesë e kontigjenit më të mundshëm për t’u llogaritur si të përkushtuar ndaj fesë. Me gjithë këto llogaritje, është vështirë të besohet se shqiptarët vazhdojnë të ndahen në 70 përqind muslimanë, 20 përqind ortodoksë dhe 10 përqind katolikë. 
Ç’përqindje e shqiptarëve shkojnë rregullisht në xhami dhe kisha? Sa shqiptarë falen pesë herë në ditë? Sa shqiptarë nuk e venë në gojë mishin e derrit dhe alkoolin? Sa prej tyre agjërojnë? Sa janë pagëzuar? Sa janë bërë synet? Cilat janë përpjestimet midis grupeve?
Historikisht shqiptarët kanë kryer disa konvertime spektakulare. Fillimisht, nuk ngurruan të bëheshin kombi i dytë në botë që pranonte krishterimin, pavarësisht se ende ruan elementë të paganizmit. Pastaj u ndodhën pikërisht në pikën e ndarjes së Bizantit nga Roma dhe pranuan dyzimin përkatës të krishtërimit në ortodoksë dhe katolikë. Më vonë përqafuan në mënyrë masive muslimanizmin. Për t’i braktisur pastaj të gjitha këto, me të parë që kishte mprehur shpatën ai qoftëlargu. Dhe tani së fundi, konvertime në të katër anët: nga muslimanë në ortodoksë, nga ortodoksë në katolikë, nga ateistë në evangjelistë, nga komunistë në ateistë.  Pavarësisht nga mënyra si i përjetojmë emocionalisht këto dukuri ne shqiptarët, ato janë fakte. Dhe duhen parë e llogaritur si fakte. Duhet pranuar se 70-20-10 përqindëshi nuk ekziston më. Dhe duhet pranuar se shumica e shqiptarëve janë ateistë dhe nuk kanë asnjë lidhje me asnjë fe. 
Regjistrimi i popullsisë bëhet nga qeveria Çdo qeveri moderne organizon rregullisht, të paktën një herë në 4-5 vjet atë që quhet Census (fjalë që s’ekziston në shqip) – regjistrimin e popullsisë. Në pyetësorë të detajuar qytetarët japin të dhëna të hollësishme për veten e tyre. Ky regjistrim është tepër i fshehtë dhe iu shërben, në rradhë të parë, vetë qytetarëve. Të dhënat përpunohen nga qeveria qendrore dhe pushtetet lokale për të përcaktuar përparësitë e politikës – çfarë ndryshime duhen bërë në infrastrukturë, në urbanistikë në investime. Kjo bëhet pa vështirësi në vende me popullsi qindramilionëshe. Është detyrë e qeverisë. Nuk është votim partiak, as referendum mbarëpopullor. Nuk ka karakter politik, por praktik, administrativ. Dhe nuk ka nevojë t’iu sugjerohet për debat forcave politike, që të japin mendime nëse duhet bërë apo nuk duhet bërë.  A nuk ka ardhur koha të llogaritet si duhet popullsia shqiptare? Të numërohen sa shqiptarë janë, ku jetojnë, me se merren, ku punojnë dhe, në fund të fundit, çfarë janë? Ose, si e ndjejnë veten që janë? Në këtë kornizë, nuk do të ishte e vështirë të shtrohej edhe pyetja se cilës fe i përkasin, nëse i përkasin ndonjë feje. Sa janë muslimanë, ortodoksë, katolikë, paganë, evangjelistë, protestantë, bahai, jehovai, budistë apo nuk ushtrojnë asnjë nga këto fe? Dhe, që këtu, nga ky regjistrim, të nxirren shifra të sakta, jo hamendësime të rrumbullakosura. Është gjëja më e thjeshtë, më normale dhe më e domosdoshme që mund dhe duhet të bëjmë. Dhe më patriotike. Qarqeve antishqiptare iu leverdis ta paraqesin Shqipërinë si vend musliman. 

Po t’ia lemë këtë punë politikës, s’kemi për ta zgjidhur kurrë. Politika nuk mungoi të fuste hundët në përpjekjen e fundit (1999) për të regjistruar popullsinë edhe sipas përkatësisë fetare. Pati nga ata që shprehën frikën se do të regjistroheshin si ortodoksë shumë nga ata që e kishin ndërruar fenë për arsye utilitare dhe se një regjistrim i tillë do t’iu shërbente grekëve. Të mundohesh të fshehësh, ose të mos e nxjerrësh të vërtetën në një rast si ky është njëlloj si të fshehësh kokën në rërë, si struci. Frika nga regjistrimi i popullsisë tregon edhe një herë fobinë e një pjese të mirë të politikanëve shqiptarë ndaj gjërave të sakta. Nga ana tjetër, politikanët shqiptarë duhet ta kenë të qartë se atyre qarqeve greke që nuk e duan Shqipërinë, më tepër se ç’do gjë iu leverdis ta paraqesin atë si vend musliman. Çdo politikan që gërricet me çështjen e feve dhe të përkatësive etnike duhet ta ketë të qartë se ortodoks nuk do të thotë grek. Ortodoks shqiptar do të thotë SHQIPTAR. Dhe, së fundi, edhe nëqoftëse dikush është konvertuar në Ortodoks për përfitime ekonomike, a s’është ky një rikthim i procesit të para dy shekujve, kur shqiptarët u konvertuan në msulimanë për përfitime ekonomike? Dhe, megjithëse u konvertuan në masë, vazhdojnë të numërohen si muslimanë? Përse të mos numorohen të konvertuarit rishtaz si ortodoksë apo katolikë apo protestantë? Në fund të fundit, feja ka të bëjë me zgjedhjen e lirë të njeriut. Shteti dhe politikanë nuk mund t’i diktojnë popullsisë çfarë të besojë. E shumta që mund të bëjë shteti, është të numërojë. Pasi të kenë marrë nga shteti shifrat e sakta, politikanët, diplomatët dhe propagandistët mund të englendisen me rezultatin – t’i mbushin mendjen vetes dhe botës për orientimin e vërtetë të shqiptarëve. Por le ta bëjnë këtë duke filluar nga baza të vërteta, dhe jo nga hamendje e futjakote.