Kolumnist

Hamendje në një stinë protestash

Nga: Çapajev Gjokutaj

Vështirë se mund të parashikosh me saktësi ç’do të ndodhë pas dorëheqjes në grup të opozitës. Situata është e paprecedent dhe shumë delikate.

Gjithsesi, duke përdorur logjikën dhe, sidomos duke parë ç’ka ndodhur në të shkuarën, mund të bëhen disa parashikime a më saktë hamendje, qoftë edhe të vagëllta.

1.

Hamendja e parë: kemi përpara një stinë protestash.

Është thuajse e sigurt që gjatë muajve të ardhshëm tensionet kanë për t’u rritur. Opozita, e pozicionuar tashmë jashtë sistemit, nuk mund të veprojë më me diskutime, debate, mocione, hetime palamentare, votime, abstenime etj.

Mjeti kryesor dhe thuajse i vetmi për të vazhduar ekzistencën në politikë i mbeten protestat. Me protesta opozita mund ta detyrojë qeverinë të lëshojë pè dhe të negociojë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Me protesta dhe, sidomos me rrezik destabilizimi, opozita mund ta shtyjë faktorin ndërkombëtar të marrë në konsideratë ankesat e saj.

Protestat paqësore, në çdo kontekst dhe kurdoherë sjellin dobi të shumfishtë për të gjitha palët, si dhe për shoqërinë në përgjithësi. Pala që proteston artikulohet më me forcë dhe rrjedhimisht rrit ndikimin e saj në publik.

Protestat i bëjnë mirë edhe qeverisë. Qeverisja është pushtet dhe dihet se pushteti të prish apo, më e pakëta, të shyn në ngasje për arbitraritet, anësi, korrupsion etj. etj. Nën trysninë e protestave pushtetarët, me dashje apo pa dashje, bëhen më të kujdesshëm e më të përkorë.

2.

Hamendja e dytë: Opozita do të synojë radikalizimin e protestave, madje jo rrallë do të anojë edhe nga dhuna.

Do të ndodhë kështu jo se opozita aktuale është e prirur vetiu për radikalizim e dhunë, por sepse me ikjen nga parlamenti, me daljen jashtë sistemit, rrezikon të dobësohet e të mpaket.

Natyrisht dhuna nuk është i vetmi opsion. Protestat paqësore, që do të ishin masive dhe do të zgjasnin në kohë e do të bllokonin jetën normale në vend, mund të detyronin qeverinë të lëshonte pé dhe ndërkombëtarët të ndërronin qendrim.

Deri tani nuk ka shenja se do të kemi protesta të tilla, masive dhe në përditshmëri. Veç kësaj, përvojat e deritanishme kanë dëshmuar se protestat e opozitave tona asnjëherë nuk kanë ardhur në rritje, përkundrazi janë mpakur e zbehur me kalimin e kohës.

Nuk duket në horizont ndonjë shkak që kësaj here t’i nxisë qytetarët të dalin e të protestojnë masivisht dhe në vazhdimësi. Si edhe në raste të mëherëshme mungojnë kauzat që do t’i kthenin protestat nga organizim partiak e veprim militantantësh në frymë qytetare.

Shitblerja e votave, sado shqetësuese të jetë për demokracinë, nuk përbën kauzë për mosbindje civile, madje, në një kuptim, nuk përbën as lajm. Është dukuri që ka shoqëruar thuajse të gjitha zgjedhjet tona duke filluar të paktën që nga 1996-a. Vjen si dukuri e përsëritur pavarësisht se shfaqet në forma dhe emra të ndryshëm si mbushje kutish, allishverishe në numërim, marifete të tipit “Dushk”, lirime të burgosurish, aktivizim bandash kriminale etj.

Po kështu vështirë se mund të krijojnë kauza korrupsioni me tenderat, arbitrariteti qeveritar, prirjet autoritariste etj. Pavarësisht nga shkalla e shfaqjes dhe e përfoljes publike, gjynahe të tilla kanë shoqëruar gjithë tranzicionin. Janë përsëritur e përfolur zhurmshëm, por kanë mbetur përgjithësisht të pandëshkuara. Si pasojë qoftë korrupsioni, qoftë arbitrariteti duket se ushqejnë më shumë skepticizmin sesa mosbindjen qytetare.

Skepticizmi vjen e rritet edhe nga fakti që, laj- thaj kemi gjithsej dy parti e gjysëm, që alternojnë njera-tjetrën në pushtet. Sa janë në opozitë bëjnë premtime me thes, kur vijnë në pushtet bëjnë transformime me qese. Me një fjalë kemi parti politike që e kanë shpërdoruar periodikisht besimin e publikut ndaj e kanë të vështirë të krijojnë frymë dhe mbështetje të gjerë qytetare. Shumë-shumë arrijnë të mobilizojnë militantët. Edhe këta shumicën e herëve mobilizohen jo aq nga besimi sesa nga shpërblimi.

Parë kështu, protestat e pritshme të opozitës vështirë se do të jenë masive dhe bllokuese. E vetmja rrugë për t’i faktorizuar duket se mbetet radikalizimi e dhuna.

3.

Hamendja e tretë: duke qenë të prirura nga radikalizimi dhe dhuna, vështirë se këto protesta do të sillnin dobi për ndokënd.

Është pothuajse e sigurt se, falë konfliktualitetit në rritje, qershorin e ardhshëm do të kemi një përgjigje negative nga Brukseli për fillimin e negociatava të anëtarësimit.

Imazhi i dhunës dhe i destabilitetit rrezikon të tutë investitorët potencialë, jo vetëm ata të huaj, por edhe vendasit. Rënie do të kishte edhe për turizmin dhe ekonomitë e lidhura me të. Një vend që shfaqet në lajme me përleshje, gaz lotsjellës e shashka, vështirë se mund të ndjellë vizitorë.

Nuk ka shumë gjasa që nga kjo frymë radikalizmi e dhune të përfitonin edhe vetë partitë opozitare. Patjetër që grupet e militantëve të tyre do të bëheshin më aktive e më solide, por elektorati gri, ai që vendos fatin e zgjedhjeve, vështirë se ka mall për trazira, aq më pak trazira të zgjatura.

Gjithsesi, të gjitha këto pasoja negative mund të bëheshin të pranueshme, mund t’ia vlenin, nëse arrihej objektivi i opozitës: krijimi i një qeverie tranzitore, që do të krijonte kushte të favorshme dhe, me transparencë e gjithëpërfshirje, do ta shpinte vendin në zgjedhje të lira e të ndershme.

Teoritë e negocimit dëshmojnë se, përjashto rastin e përmbysjeve radikale, marrëveshjet dhe kompromiset arrihen kur të dyja palët lëshojnë pé e vijnë diku në mes. Një marrëveshje e mundshme mes PS-së, më njerën anë, dhe PD-së e LSI-së, më anë tjetër, për më tepër një marrëveshje e arritur nën trysninë e klimës konfliktuale, vështirë se mund të shpinte në reformin serioz të sistemit zgjedhor.

Të paktën deri tani, marrëveshjet e shtyra për në çastet e fundit dhe të marra nën trysni, kanë rezultuar arnime që ruajnë dhe fuqizojnë monopolin e partive kryesore politike dhe mbyllin çdo shteg për shfaqjen e forcave të reja. Pa krijuar kushte për daljen dhe fuqizimin e aktorëve të rinj politikë, vështirë se ka për të patur ndonjë ndryshim thelbësor. Gjithçka do të ngjajë me një “déjà vu” të dalë boje nga stërpërsëritja.

4.

Çka thuhet në vijim nuk është hamendje, por një sugjerim modest në vend të mbylljes.

Po flitet shumë për popullin dhe në emër të tij. Për popull flet opozita, për popull dhe maxhoranca. Ka popullin me vete, thonë disa analistë dhe bëjnë sikur harrojnë se “populli” që del në protesta opozitare a shkon në takime qeverisëse, është qindra herë më i pakët në numër sesa votuesit e njerës a të tjetrës palë.

Të gjithë bëjnë sikur harrojnë se në politikat e përfaqësimit nuk ka popull. Ka votues dhe elektorate që delegojnë të drejtën e përfaqësimit.

Harrojnë sidomos se liria e njerit elektorat mbaron atje ku fillon liria e elektoratit tjetër. Harrojnë se asnjë grup nuk mund t’i imponohet tjetrit me dhunë.

Fare e lehtë të legjitimosh dhunën nga studiot, foltoret apo edhe nga sheshet. Por harxhet e përplasjeve dhe rrëmujërave nuk i paguajnë as politikanët e as opinionbërësit.

As njerës dhe as tjetrës palë nuk i ka hyrë dhe s’ka për t’i hyrë gjemb në këmbë. Harxhet i ka paguar dhe i paguan kurdoherë POPULLI, pa dallim.

Dhe nuk është se pas rrëmujërave e dhunës ka ndryshuar ndonjë gjë. Shumë, shumë ka ikur Dilua e ka ardhur Pilua.

Përtej çdo hamendjeje a diskutimi një gjë ngjan të jetë e sigurt. Po bëhet kërkesë emergjente reformimi i thellë i sistemit ekzistues, me synim kryesor mundësimin e shfaqjes së forcave të reja politike.

Në të kundërt, po qe se gjërat do bëhen shpejt e shpejt, në rrëmujë e nën trysni, do vazhdojmë të qeverisemi nga kjo elitë e kalcifikuar, që është ndarë në dy pjesë thjesht për të luajtur farsën e demokracisë. Kurse rinia do të vazhdojë të çalltisë nga sytë këmbët.

Tagged under Çapajev Gjokutaj