Kolumnist

Çfarë përfaqëson Prishtina dhe çfarë Tirana - Nga Ilir Levonja

A ka ardhur koha që Prishtina të përligji qytetarinë, civilizimin, simbolin e shqiptarisë si kryeqytet, si Washingtoni, a Berlini, Parisi a Roma etj., pasi prej saj ka rrjedhur e plotë ideja e atdheut, kurse nga Tirana dhe historia e saj e re veç Beograd, Kremlin, Pekin dhe internacionalizëm proletar. Mjaft të kujtoni që edhe abetaret e para, në Tiranën e pas luftës ishin me mbishkrimin Tito-Enver etj. Unë them se po dhe do ishte e udhës që kultura me rrënjë propogande nga korridoret e institucioneve të Tiranës, t'i vinte veshin koherencën së Europës perëndimore në Prishtinën e ditëve të sotme.

Ndaj pyetja se, a mundemi edhe ne si Kosova të demonstrojmë një qytetari demokratike, mbetet me një përgjigje bastarde, refuzuese, mbledhje supesh, deri e pakuptueshme, për shkak se si guxojmë ta çojmë nëpër mend që krahasohemi. Ku e ku Tirana dhe ku e ku Prishtina!

Në fakt Prishtia është ashti i historisë së atdhedashurisë së kulluar, kurse Tirana, ky nocion i historisë së re, korridore të përndjekjes e torturave, përndjekjes se vëllait karshi vëllait.

A mundet elektorati a votuesi shqiptar të tregojë të njëjtin nivel social si shqiptarët e Kosovës? Asesi që jo. Se dashur pa dashur na ka zënë sëmundja e njëshave të propagandës. A mundemi edhe ne të votojmë kaq qetë, kaq europiançe, kaq pa kontestueshëm, kaq pa tërmetet me i ... robtë, kaq pa thasë me miell e pa marketet e shitje dhe blerjes së votës etj? Asnjëherë. Eshtë tmerrësisht e trishtueshme kur shikon se si një tridhjetëvjeçar më shumë bërtet se sa mendon.

Eshtë akoma e diel dhe në Kosovë janë numëruar rreth 30 e ca përqind e votave. Në Tiranë akoma nuk do kishin filluar dhe kamerat do jepnin pamje nga ca komisionerë me bark që vinin vonë, palë palë. Kurse në Kosovë me 30 e ca përqind ndihet në sfond era e ndërrimit të pushtëve. Në Shqipëri do kishin dalë të gjithë dhe shpallur veten fitues, por edhe kontestues. Ndërkohë një gazetë e madhe gjermane u thotë lamtumirë komandantëve të luftës. Në rastin Shqipëri, gazeta në fjalë do jepte pamje se si mbusheshin kutitë në një kanal diku në anë të rrugës.

Në Prishtinë po diskutohen koalicionet e mundshme. Eshtë e mundur që edhe një grua të jetë kryeministre. Vjen nga partia e presidentit legjendar Ibrahim Rrugova. Një parti që dukej se po lëngonte nën Isa Mustafën, ish-kryeministër. Por që krejt ndryshe nga tradita, ku kryetari i partisë fituese automatikisht apo legjitimisht është edhe kryeministri i radhës, ia afron postin një gruaje të re nga Mitrovica, me arsyetimin e thjeshtë se, në votimet e fundit parlamentare ka qënë një nga femrat më të votuara. Punë me mend, jo me eufori propogandistike.

Në Tiranë mos e thuaj se të varrosën. Një sfidë e tillë fillon dhe mbaron tek pushteti absolut i shefit. Një lloj pushteti që i afron me origjinën nga Beogradi i ish-Jugosllavisë, Kremlini a Pekini. Për më tepër femrat janë marioneta sa për tu dukur, kukulla, madje në më të shumtën e rasteve më vetullngrysura se shefat e tyre. Ku ku Tirana e Gramoz Ruçit me Prishtinën e Vjosa Osmanit. Kuku Tirana e Spartak Brahos me Prishtinën e Albinit. Ku ku Tirana e Edi Ramës që i vendos trarë shqiptarëve të Kosovës, që gajas shqiptarët me nofullën e Dash Shehit me Prishtinën e Ramushit që ia hap krahun vendit dhe jo vetes. Ku ku Tirana ku të gjithë punojnë për Erionin dhe jo për vete, me Prishtinën e Shpend Ahmetit që punon për prishtinasit. Sa më shumë shkëlqen Prishtina, aq më apatike është Tirana. Kësisoj ta kuptojmë një herë e mirë se ka ardhur koha që përfaqësisa e atdhetarisë dhe demokracisë të kalojë nga Prishtina, se Tirana është veç një batak i llogjeve të Kavajës.