Kolumnist

Kemi harruar kushtet e Greqisë - Nga Alfons Zeneli

Piramidës që Rama po ia ngre vetvetes me material detyrash të pakryera dhe regres në rrugën e drejt dështimit po i shtohen edhe kushte të tjera të cilat për hir të së vërtetës janë fiktive dhe të mbrujtura në patologjinë greke të ekspansionit drejt veriut.

Nuk kanë kaluar shumë kohë që nga dasma e fundit me shportën plot projekt -marrëveshje, buzëqeshje, kërpudha pikakuqe dhe lakror Korçe që ish-ministri ynë i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ai grek Kotsias na servirën në tryezën e pritshmërive për t'iu dhënë fund grindjeve të vjetra e të reja. Por që atëhere e deri tani, nuk ndodhi asgjë. Në kujtesën tonë kanë ngelur vetëm buzëqeshjet me gjithë shpirt të Bushatit, ndërsa në atë atë të grekëve shija e lakrorit në makrobarkun e Kotsiasit. As det, as tokë e as qiell nuk u pa më gjëkund. Përveç disa detyrimeve ''të vogla'' që pala shqiptare me zell prej shegerti i plotësoi pa bërë asnjë naze.

Në skenën e marrdhënieve dypalëshe gjithmonë na shfaqen vetëm dy silueta: brishtësia e Ditmirit si Dhimitër- simbolikë e politikës inferiore disfatiste të Tiranës dhe barku i Kotsiasit si simbolikë e babëzisë iracionale të Athinës. Brenda këtij subjekti, gjallojnë e rrjedhin vrullshëm ngjarje të mbushura me agresion gjithmonë në të njëjtin kah: Athinë-Tiranë.

Vriten, rrihen, keqtrajtohen të burgosurit shqiptarë nëpër burgjet greke? - Athina bën presion. Vjen Kacifas dhe sulmon me armë policinë? - Athina bën presion. Nuk bëjmë varreza greke në Zall-Bastar, Dragobi dhe Theth? - Athina bën presion. Themi që çamët janë humanoidë? - Athina bën presion.

Në këtë kuadër vjen në diskutim dhe çështja inegzistente e të drejtave të minoritetit grek. Çdo lopë, buf dhe pemë në Shqipëri e di se minoritarët këtu kanë qënë gjithmonë të mirëtrajtuar. Edhe në regjimin e Hoxhës. Për nga natyra, shqiptarët nuk shfaqin kurrë ndjenja racizmi, shqiptarët nuk e kanë në natyrë ekspansionin dhe diskriminimin racor. Pra kjo ka buruar edhe për këtë arsye, jo vetëm për shkak të konjukturave dhe politikave.

Edhe sot e kësaj dite jemi në të njëjtën situatë. Minoritarët grekë trajtohen ashtu si e gjithë popullsia. Mirëpo Athina, nuk e ka këtë interes. Asaj do t'i konvenonte që qeveritë shqiptare dhe shqiptarët t'i keqtrajtonin pasi kjo do t'u jepte pretekst për të ndërhyrë në punë intimisht të brendshme të shtetit tonë. Megjithatë, statusi luksoz i minotitarëve këtu, nuk e ka penguar politikën e jashtme greke që të sillet si njerkë e keqe me shqiptarët dhe qeveritë e tyre.

Kemi raste skandaloze si ai kur Parlamenti grek ndërhynte në reformën territoriale të Shqipërisë a thua se bëhej fjalë për ndonjë ishull të pabanuar të Egjeut. Tani, kur Shqipëria është në pikën më delikate të kandarit, Kryeministri grek deklaron se Greqia e mbështet fuqishëm Shqipërinë, por nuk do ta japë votën e saj në rast se Shqipëria nuk heq dorë nga diskriminimi i minoritetit grek. Se cilat janë referencat e Greqisë zyrtare kur përmend termin ''diskriminim'', është shumë vështirë të meret me mend nëse kujtojmë faktin se Greqia nuk njeh asnjë pakicë, asnjë gjuhë, asnjë fe.

Historia e Greqisë është e mbushur me shembuj të dhimbshëm e të turpshëm sa i përket trajtimit të pakicave etno-kulturore që fati i keq i ka flakur atje. Greqia njihet si vendi kampion i Evropës në ''sportin'' e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Atëhere lind pyetja se ku e gjen kurajon ajo për të na kërkuar mosdiskriminimin e minoritarëve gjë që në fakt nuk ka ndodhur kurrë?

Fatkeqësisht, Greqia po tregon per të mijtën herë një mungesë të rëndë sinqeriteti në marrëdhëniet me Shqipërinë. Shfrytëzimi në mënyrë të ulët i pozicionit të vet në BE dhe përdorimi i vetos së saj në mënyrë të pacipë si mjet shantazhi për të siguruar favore të padrejta për minoritarët dhe për të mbajtur nën tension Shqipërinë, është një shenjë shumë domethënëse. Jo vetëm si një paralajmëruese për mënyrën se si do të duhet në të ardhmen t'i ndërtojmë mardhëniet me të, por edhe për të kuptuar se cilat janë planet afatgjata të Greqisë.