Kolumnist

Aleanca strategjike me SHBA si kategori historike e lëvizshme - Nga Shaban Murati

Siguria strategjike dhe perspektiva gjeopolitike e shtetit shqiptar kërkojnë një angazhim institucional dhe mobilizim kombëtar në farkëtimin e vazhdueshëm të aleancës strategjike numur 1 të Shqipërisë me SHBA. Aleanca strategjike Shqipëri-SHBA, si gjithë aleancat strategjike apo gjeopolitike në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, duhet trajtuar si një kategori historike e lëvizshme. Kjo do të thotë që qeveritë dhe diplomacia shqiptare nuk mund ta marrin si një kategori të palëvizshme dhe as si një rrethanë përmanente dhe e pandryshueshme. Provë historike janë lëkundjet e pësuara në marrëdhëniet e Shqipërise me SHBA në harkun e 30 viteve të tranzicionit demokratik.

Aleanca strategjike e Shqipërisë me SHBA është një kategori historike, që ndikohet nga disa faktorë ndryshimi. Së pari, ndikohet nga interesi strategjik i SHBA ndaj Shqipërisë dhe ndaj faktorit shqiptar në Ballkan. Së dyti, ndikohet nga interesi politik dhe strategjik i qeverive shqiptare në drejtim të SHBA. Së treti, ndikohet nga interesat e politikës amerikane në rajon. Së katërti, ndikohet nga aktorët e tjerë si lokalë dhe jashtërajonalë, të cilët përpiqen të margjinalizojnë parametrat funksionalë të aleancës strategjike Shqipëri-SHBA.

Shqipëria, si një komb që ka humbur gjithmonë në histori territore dhe si një shtet që ka ndjekur në më të shumtën e historisë aleanca të gabuara, është e drejtë të ketë shumë emocion në çeshtjen e zhvillimit të marrëdhënieve strategjike midis Shqipërisë dhe SHBA. Është me shumë rëndësi të theksohet në shkollat dhe në tekstet tona se elita intelektuale e Shqipërisë ka qenë e vetmja në Ballkan, e cila që në fillim të shekullit 20 nuhaste rolin e ri botëror që po fitonte SHBA në shkallë globale, që do të reflektohej dhe në gadishull. Kjo elitë intelektuale, me zëra të fuqishëm dhe larpamës si poeti dhe atdhetari i shquar tiranas, Hafiz Ibrahim Dalliu, bënte thirrjen e fuqishme për lidhje të Shqipërisë me Amerikën. “Nëse vjen paqa në këtë dhe,/Vjen vetëm kah bota e re./Veç kah Shtetet e Bashkume,/Vjen kjo gja e ngushëllume./M’çfar’ane t’pjerrë Amerika,/Anës tjetër i bie pika/.

Shteti i sapolindur shqiptar as nuk e kuptoi dhe as rrethanat rajonale nuk e favorizuan, që të jetësohej ky ideali diplomatik intelektual. As Amerika nuk ishte ende në pozitën që të merrte rol në Ballkan, pavarësisht kontributit historik të presidentit amerikan Uillson në Konferencën e Paqes në Paris për konsolidimin e të drejtës për pavarësi të popullit shqiptar.

Aleanca strategjike do të ndërtohej me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri, ku sistemi ri demokratik shqiptar dhe faktori shqiptar do të merrnin një rol perspektiv për strategjinë amerikane në Ballkan. Në një artikull të botuar të nesërmen e nënshkrimit në Departamentin Amerikan të Shtetit të aktit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me SHBA në 15 mars 1991, kam theksuar : “Pas një analize të kujdesshme e gjakftohtë të të tërë faktorëve dhe alternativave nuk mund të mos shkosh tek ngritja e marrëdhënieve me SHBA në një prioritet strategjik të politikës së jashtme të shtetit tonë. Këtu të çon përvoja e hidhur historike, këtu të çon përllogaritja e gjithë hapësirës së problemeve të mëdha të sotme dhe e të panjohurave të ardhme, në të cilat noton vendi ynë” (libri “Hije në diplomacinë shqiptare”, 2012, fq. 12).

Dimensioni i aleancës strategjike dypalëshe, e cila në vitet e para të demokracisë pati nga Uashingtoni një trajtim preferencial të shtetit shqiptar si demokraci e re, u sfumua gradualisht me ndryshimin e hartës gjeopolitike në rajon. Është e kuptueshme se me zgjerimin e NATO-s në lindje dhe në perëndim të Ballkanit, pesha dhe roli i aleancës strategjike Shqipëri-SHBA nuk mund të kishin më të njejtat parametra rëndësie. Kjo aleancë dypalëshe u bë pjesë e një strukture më të gjërë aleancash strategjike, që SHBA ndërtuan me gjithë shtetet e Ballkanit, që u bënë anëtarë të Aleancës Atlantike.

Qeveritë shqiptare nuk e kuptuan në masën dhe në kohën e duhur këtë rrethanë të re gjeopolitike të raporteve ndërkombëtare në rajon. Ato nuk u kujdesën sa duhet që të punonin për të ruajtur një farë prioriteti të aleancës Shqipëri-Amerikë mbi aleancat e tjera strategjike të SHBA në rajon me ish-vendet komuniste, që u bënë anëtarë të NATO-s.

Ndërtesa e marrëdhënieve të Shqipërisë me SHBA, për faj të qeverive shqiptare, pësoi disa tronditje serioze në periudhën e tranzicionit, të cilat nuk mund të mos linin shenja në strukturën e masave të besimit diplomatik dhe gjeopolitik midis dy shteteve aleatë strategjikë. Thyerja e parë e madhe ndodhi në vitet 1996-1997 me kthesën e çuditëshme antiamerikane të levizjeve të qeverisë shqiptare. Thyerjen tjetër të madhe e kemi në vitin 2013, me rastin e përpjekjeve të Tiranës për të radikalizuar situatën në Luginën e Preshevës, kur në 23 Janar 2013 kemi për herë të parë notë proteste të Departamentit Amerikan të Shtetit drejtuar një qeverie shqiptare “që të mos luajë me zjarrin”. Thyerja e tretë e madhe është çeshtja e armëve kimike në vjeshtën e vitit 2013, kur qeveria e re e Shqipërisë nën presionin e një shteti europian tërheq premtimin e dhënë Presidentit Amerikan dhe Sekretarit Amerikan të Shtetit për pranimin e tyre. Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe SHBA në Tiranë organizohet një protestë përpara Ambasadës Amerikane. Retorikën ambientaliste të asaj kohe le t’ua lemë ambientalistëve të vërtetë ose fake, por e vërteta e pathënë diplomatike është se në atë kohë tre shtete fqinj, Greqia, Maqedonia dhe Serbia nisën tratativat e fshehta diplomatike midis tyre për të krijuar një aleancë shtetërore ballkanike kundër armëve kimike në Shqipëri. Nga eksperienca ime diplomatike unë nuk mendoj se diplomacia e tre shteteve të mësipërme e kishte hallin te ambienti në Shqipëri, por tek nxitja e një kundërvënie dhe një çarje midis Shqipërisë dhe SHBA.

Aleanca strategjike e Shqipërisë me SHBA ndodhet nën një presion të vazhdueshëm diplomatik dhe gjeopolitik nga shtetet e Ballkanit, të cilat nuk dëshirojnë që Shqipëria të jetë faktor rajonal dhe as të ketë një mbrojtës të fuqishëm si SHBA. Nuk është rastësi dhe duhet konsideruar produkt i interferencave të jashtme fakti që në politikën shqiptare, qoftë te e majta, qoftë te e djathta, është aktiv një antiamerikanizëm konstant, i cili është bërë element i mozaikut të jetës politike shqiptare.

Një fenomen tjetër negativ i politikës shqiptare dhe i qeverive shqiptare është interpretimi i aleancës strategjike Shqipëri-SHBA sipas opinionit politik partiak për presidentët amerikanë, të cilët vijnë në pushtet në SHBA. Mentaliteti rural i politikës shqiptare, që matrikullon qeveritë në Uashington me skemat folklorike shqiptare të kohës së Luftës së Dytë Botërore, sipas të cilave duket se Presidentin Obama e kishte caktuar Dushan Mugosha, ka shkaktuar rënien e besimit tek aftësia e Shqipërisë për nivelin e aleatit strategjik. Shqipëria nuk ka arritur të shfrytëzojë siç duhet as rastin e artë të rrethanës së re gjeopolitike të ekzistencës së dy shteteve shqiptare pas pavarësisë së Kosovës, rrethanë që rriste nevojën strategjike amerikane për faktorin shqiptar në rajon.

Qeveritë dhe shteti shqiptar duhet të ndjekin hap pas hapi kurbën e zhvillimit të interesit të SHBA në rajonin tonë. Aktualisht kemi një rritje të interesit amerikan për Ballkanin në vitin 2019. Kjo çfaqet në dy drejtime. Drejtimi i parë, i cili është diplomatik dhe mund të quhet afatshkurtër, është angazhimi i ri i SHBA për zgjidhjen e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës dhe të konflikteve të tjera në Ballkan si ai i Bosnjës, duke caktuar kohët e fundit një të dërguar të posaçëm për Ballkanin dhe një të dërguar të posaçëm për dialogun Serbi- Kosovë. Drejtimi i dytë i interesit amerikan është ushtarak, pra afatgjatë dhe konkretizohet me vendimin amerikan për hapjen e bazave të reja ushtarake amerikane apo të NATO-s në rajon. Baza e re ajrore e Kuçovës dhe baza e re ajrore e Aleksandropulit në Greqi, për të cilën u nënshkrua marrëveshja në Tetor 2019, duhen konsideruar si një interes afatgjatë i strategjisë dhe i politikës amerikane në Ballkan.

Aleanca strategjike kërkon angazhime të pandërprera në të gjitha fushat dhe drejtimet. Qeveria dhe diplomacia shqiptare duhet të reflektojnë si ndaj fenomeneve negative në politikën e brendshme shqiptare, ashtu dhe ndaj fenomeneve negative në politikën rajonale. Duhet të përpiqen që aleanca strategjike e Shqipërisë me SHBA të jetë në mënyrë të përhershme efektive dhe e nevojshme, jo vetëm për mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare shqiptare, por edhe për perspektivën e interesave amerikane në Ballkan. Të keni parasysh një këshillë: SHBA nuk e ndërrojnë strategjinë e tyre në Ballkan, por lojtarët ballkanikë në fushë mund t’i ndërrojnë, nëse ata nuk luajnë sipas skemës së trajnerit.

Burimi: DITA