Kolumnist

Zhvillime me pasoja të rrezikshme - Nga Shaban Murati

Pasi lëshoi predhën e parë strategjike në drejtim të Ballkanit Perëndimor, duke bllokuar në samitin e BE të 18 Tetorit hapjen e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut dhe procesin e zgjerimit të BE, presidenti i Francës Emanuel Makron lëshoi predhën e dytë strategjike, duke shpallur doktrinën e tij të re antiatlantike.

Në intervistën e tij të gjatë me revistën britanike “The Economist” në 7 Nëntor presidenti francez parashtroi përcaktimet e tij të reja lidhur me NATO-n dhe misionin e saj, duke e quajtur NATO-n “me tru të vdekur” dhe se ai “nuk e di nëse akoma beson te Neni 5 i Traktatit të NATO-s”.

10 vjet pasi Franca u rikthye në strukturat ushtarake të NATO-s në prill të vititi 2009 pas vetëlargimit nga ato struktura për 40 vjet me rradhë në ndjekje të politikës së presidentit Sharl De Gol, shihet një përqafim i doktrinës antiatlantike goliste nga presidenti Makron.

Ai është në fazën e paraqitjes ndërkombëtare të doktrinës së tij antiatlantike dhe ende nuk ka shkuar tek hapat konkrete të distancimit organizativ francez në raportet me NATO-n. Antiatlantizmi i ri i presidentit francez ka dalë në rrethana të caktuara, nga të cilat do të veçonim disa.

Së pari, presidenti francez vlerëson se meqë kancelarja e hekurt gjermane Angela Merkel është në prag të largimit nga drejtimi i Gjermanisë, kjo do të krijojë një vakum pushteti në BE dhe në Europë, të cilin Berlini do ta ketë të vështirë ta mbushë shpejt. Pas lideres së padiskutueshme europiane Merkel BE dhe Europa do ta kenë bosh karriken e liderit dhe Emanuel Makron mendon se tani është momenti i Francës dhe i tij personal.

Natyrisht në këtë llogari strategjike dhe gjeopolitike franceze NATO del si pengesë e realizimit të këtij objektivi madhor.

Së dyti, largimi i Britanisë së Madhe nga BE ka krijuar një vakum të madh strategjik në kapacitetet ushtarake të BE, por ka larguar edhe një konkurent ushtarak për Francën. Pas Brexit-it Franca mbetet tani i vetmi shtet anëtar i BE me armë bërthamore, gjë e cila vlerësohet në Paris si rast për të konfirmuar rolin udhëheqës të Francës në BE dhe në shkallë kontinenti.

Një mungesë e NATO-s e bën me jetike për BE varësinë ushtarako-strategjike nga armët bërthamore franceze.

Së treti, antiatlantizmi i ri i presidentit francez, njëlloj si ai golist, drejtohet në rradhë të parë kundër SHBA. Lëkundjet dhe problemet e çfaqura në raportet midis SHBA dhe BE në dy vitet e fundit, konsiderohen në Paris si një mundësi e mirë për shkëputjen europiane nga NATO dhe nga roli udhëheqës i SHBA në sigurinë europiane.

Përtej raporteve strategjike dhe gjeopolitike brenda shteteve të fuqishme të BE dhe atyre midis BE e SHBA, antiatlantizmi i presidentit Makron pritet të ketë efektet e veta negative edhe në rajonin e Ballkanit. Nëse veto e presidentit francez ndaj hapjes së bisedimeve të pranimit të BE me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut bllokoi integrimin europian të tyre, platforma e tij kundër NATO-s është një lëvizje e fortë kundër integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Aleancën Atlantike.

Duket ka një alergji shtetërore franceze ndaj orientimit dhe besimit të fortë të shteteve dhe popujve të rajonit të NATO-s. Këtë humor negativ e shprehu presidenti francez jo vetëm me veton ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por e vazhdoi me skandalet diplomatike që ai shkaktoi me Bullgarinë dhe Ukrainën, kur deklaroi para disa ditësh se ai preferon më mirë emigrantët nga Afrika se sa bandat nga Bullgaria dhe nga Ukraina, si dhe me Bosnjë-Hercegovinën, kur e quajti këto ditë atë shtet “një minë xhihadiste me sahat”.

Paraqitja e NATO-s “me tru të vdekur” dhe sidomos vënia në dyshim e Nenit 5 të Traktatit themelues të NATO-s, i cili përmban detyrimin për të gjithë që një sulm ndaj një anëtari të NATO-s të konsiderohet sulm ndaj gjithë anëtarëve të NATO-s, krijon një lëvizje gjeopolitike frenuese për procesin e integrimit atlantik të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

NATO ndodhet aktualisht në procesin e zgjerimit të saj me shtetet e Ballkanit Perëndimor, një proces në të cilin shtetet e rajonit janë përfshirë me vullnet të plotë. Qendrimet e presidentit francez kundër NATO-s janë një mesazh i keq për shtetet e rajonit, që qendrojnë në rradhë për t’u anëtarësuar në NATO dhe që vlerësojnë se NATO është një bllok i nevojshëm dhe i domosdoshëm për sigurinë, paqen dhe prosperitetin e tyre.  Janë një mesazh i keq, sepse i japin armë diplomatike, politike dhe propagandistike Rusisë, e cila është në kulmin e përpjekjeve për të sabotuar zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor.

Nuk qe i rastit entusiazmi i menjëhershëm, që ngjalli doktrina e re antiatlantike e presidentit francez në Moskë, ku zëdhënësja e MPJ, Maria Zakharova, brenda ditës reagoi dhe i lavdëroi si “fjalë të arta” qëndrimet e Makronit kundër NATO-s.

Diplomacia ruse e ka më të lehtë tani me argumentat franceze që ta luftojë NATO-n në vendet e Ballkanit Perëndimor. Një inkurajim dhe hov të ri pritet të marrin forcat politike filoruse dhe antiperëndimore në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pritet të kemi gjallërim të forcave politike filoruse në Mal të Zi, ku u ndërmorën edhe tentativa për grusht shteti në vitin 2016 me implikimin e shërbimit sekret rus dhe serb, që të ndalonin anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.

Priten trazira të reja nga forcat politike filoruse në Maqedoninë e Veriut, që provokuan kriza politike e konflikte në vitin 2017 me implikimin e shërbimit sekret rus dhe serb, që të pengonin zgjidhjen çeshtjes së emrit me Greqinë, ku me marrëveshjen e Prespës iu hap rruga e anëtarësimit të vendit në NATO, që pritet të zyrtarizohet në samitin e NATO-s në Dhjetor.

Devijimi antiatlantik i Francës mund ta çojë në rrugë më të gabuar rolin e diplomacisë franceze në bisedimet Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre. Qëndrimet e deritanishme të diplomacisë franceze në favor të shkëmbimit të territoreve dhe hapat e saj për të përfshirë Rusinë në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, pritet të intonohen në një optikë më antiantlantike, pra më larg interesave të Kosovës e më pranë interesave të Serbisë.

A mund të imagjinohet se çfarë do të kishte ndodhur në Ballkan po të mos kishte ndërhyrë NATO në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë dhe po të mos ishte NATO si aleancë e mbrotjes së lirisë së popujve? Mjafton Ballkani për të dëshmuar domosdoshmërinë jetike të ekzistencës së NATO-s dhe të vitalitetit të saj.

Antiatlantizmi i presidentit francez pritet të inkurajojë forcat filoruse në gjithë rajonin që të intensifikojnë diversionin e tyre kundër integrimit atlantik dhe të përpiqen të shesin në rajon alternativën e integrimit rus. Duhet t’i kishte kushtuar vëmendje Brukseli deklaratës së presidentit serb Vuçiç, i cila pas vetos franceze në BE ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut deklaroi se kjo veto tregon se kemi pasur të drejtë që lidhemi me Rusinë dhe me Kinën. Pas vetos franceze në samitin e 18 Tetorit, Rusia i bëri ofertë direkte, zyrtare dhe publike, shteteve të Ballkanit Perëndimor që ta braktisin BE dhe të futen në organizatën ruse të “Unionit Ekonomik Euroaziatik”, ku Serbia u fut zyrtarisht në 25 Tetor 2019.

Tani pas doktrinës anti NATO të Makronit pritet të vijnë ofertat ruse për anëtarësim në aleancën ushtarake ruse të CSTO, ku Serbia është futur si shtet vëzhgues me perspektivën për anëtarësim. Anëtari serb i treshes presidenciale të Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, i cili muajin e kaluar me porosi nga Moska bllokoi paraqitjen në NATO të “Planit të Veprimit për Anëtarësim” nga qeveria e Bosnjë-Hercegovinës, gjen tani një referencë mbështetëse franceze për kursin e tij antiatlantik dhe antiperëndimor.

Duke deklaruar se ai nuk e di akoma nëse beson te neni 5 i Traktatit themelues të NATO-s, presidenti francez i hap një dritë të gjelbër Rusisë për veprime ndërhyrëse ushtarake në vendet anëtare të  NATO-s, sidomos të atyre që kanë qenë anëtarë të Traktatit ushtarak të Varshavës, të drejtuar në kohën e komunizmit nga Rusia. Akti i presidentit francez përbën një lëvizje strategjike të gabuar në rrethanat e sotme europiane, sepse nuk merr në konsideratë që Rusia është shteti që në vitin 2008 ndërmori agresion kundër Gjeorgjisë dhe në vitin 2014 agresion kundër Ukrainës dhe aneksimin e Krimesë.

Çdo strategjist dhe ushtarak di fare mirë se është pikërisht Neni 5 i Traktatit themelues të NATO-s, që ka mbajtur dhe e mban frerin e ambicjeve aneksioniste ruse në drejtim të Europës atlantike. Rusia është shteti që kërcënon pareshtur shtetet pribaltike me forcën e vet ushtarake, siç kërcënon me muskujt e vet ushtarakë edhe Ballkanin, ku zhvillon çdo vit në Serbi manovra ushtarake të forcave zbarkuese ruse dhe po sjell raketat dhe ka ngritur edhe baza ushtarake atje. Është e lehtë të imagjinohet se çfarë ndryshim planesh mund të bëhen në shtabet e Moskës, pasi një nga shtetet kryesore të NATO-s shpall me gojën e presidentit se Neni 5 nuk do të zbatohet, të paktën nga Franca.

Me doktrinën e re antiatlantike të presidentit Makron kemi një provë të hidhur se Franca nuk duket se ka interes strategjik për integrimin europian dhe atlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Interesi strategjik i Parisit në rajonin tonë është Serbia dhe projekti serb i krijimit të “zonës së përbashkët ekonomike ballkaniko-perëndimore”, të cilin Franca e përkrah, dhe të cilin nuk dihet përse naivët ballkanikë vazhdojnë ta mashtrojnë veten duke e quajtur “mini Shengen”, kur ai nuk ka asnjë lidhje me regjimin europian të Shengenit.

Interesi strategjik i Francës mbetet Serbia, gjë që e konfirmoi vetë presidenti francez gjatë vizitës së tij në Beograd në korrik të këtij viti dhe ku e shpalli Serbinë lider të rajonit.

Antiatlantizmi i presidentit francez çfaqet si një lëvizje e gabuar strategjike dhe gjeopolitike me efekte negative edhe në rajonin e Balllkanit. Kemi një zhvillim që dëshmon se marrëdhëniet ndërkombëtare dhe aleancat janë më komplekse nga ç’i pandehim.

Janë zhvillime me pasoja të rrezikshme në planin strategjik dhe gjeopolitik, të cilat duhet t’i marrin në konsideratë ata që drejtojnë qeverinë dhe shtetin në Shqipëri. Ndryshimet e raporteve strategjike në shkalle europiane dhe brendaeuropiane krijojnë problematika te reja dhe shqetësuese për sigurinë dhe stabilitetin edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk duhet kurrsesi të neglizhohen nga vendimmarrësit tanë.

Sido që të jetë puna, dy konsiderata gjeopolitike duhen pasur parasysh. E para, që antiatlantizmi i presidentit francez nuk e prish dhe as e zëvëndëson dot NATO-n. Kemi një përvojë historike me antiatlantizmin e ish-presidentit De Gol, i cili nuk i siguroi dot Francës një peshë më të madhe në skakierën e fuqive të mëdha botërore me largimin nga struktura ushtarake e NATO-s. Kemi mendimin se edhe presidenti Makron vështirë se do të arrijë ambiciet e tij europiane dhe ndërkombëtare me antiatlantizmin e tij.

Konsiderata e dytë është që edhe sikur Franca, edhe sikur BE, të ikin nga NATO, Shqipëria nuk duhet të ikë kurrë nga SHBA. Nuk është emocion, por strategji gjeopolitike dhe llogaritje gjakftohtë e interesit mbarëkombëtar dhe e rrethanave, në të cilat po ecën Ballkani dhe Europa.

Burimi: DITA