Kolumnist

Mbi edukimin dhe praninë e LGBTIQ në shkolla - Nga Jeta Dedja

Nga: JETA DEDJA

Po të pyesësh prindërit sot se çfarë bëjnë për edukimin e fëmijëve, të tregojnë se janë përpjekur të zgjedhin shkollat ose mësuesit më të mirë. Më tej i kanë rregjistruar në kurse të ndryshme gjuhësh të huaja apo sporte. Pra, ata kanë investuar paratë e tyre për të zhvilluar më tej inteligjencën mendore të fëmijës, në mënyrë që të kenë sukses në të ardhmen e afërt e të largët. Shumë pak prindër interesohen për “shkollën e jetës”. Është ajo shkollë, e cila i ndihmon fëmijët të mençurohen emocionalisht.  Të zhvillosh inteligjencën emocionale do të thotë të njohësh veten, të kuptosh ndjenjat e tua dhe të të tjerëve, të jesh empatik dhe i aftë për të komunikuar me çdokënd. Fëmijët e sotëm po vuajnë gjithnjë e më shpesh nga çrregullime të gjendjes shpirtërore. Bien në gjendje depresive fëmijë me inteligjencë të niveleve të larta. Ata që janë gjenialë në matematikë apo gjuhë apo muzikë. Pse? Një arsye është sepse familja dhe shkolla nuk i jep rëndësinë e duhur zhvillimit të inteligjencës emocionale. Në një shkollë private të Tiranës, një gjimnaziste vrau veten. Askush nuk dha një motiv të qenësishëm. Shkolla jo e jo se i prishet imazhi. Dhe ndërkohë, në mungesë të të dhënave, na mbetet të supozojmë duke bërë lidhjen e sjelljeve vetëshkatërruese me shqetësimet fëminore, që deri dje numëroheshin me gishtat e dorës në psikiatri.

Duhet të dimë se fëmijët kanë nevojë të drejtohen e t’u thellohen aftësitë për të ndërvepruar me botën që i rrethon, me të mirat e të këqijat e saj. Kanë nevojë të përshtaten me prurjet e reja e të përditësohen me to. Njëlloj si të rriturit përditësohen me lajme. Ata gjenden të papërgatitur ose të keqpërgatitur në situata të cilat prindërit nuk ua kanë shpjeguar. Dhe fëmijët me inteligjencë të varfër emocionale të pa-pajisur me aftësitë përkatëse për të reaguar, do të bien pré e bullizmit, do të bëhen target të preferuar nga të fortët e lagjes apo shkollës.

Dikush mund t’u ofrohet si shpëtimtar. Në rastin më të mirë, mund t’u vijë në ndihmë ndonjë mësues i zellshëm, ose psikolog i zoti. Por mund t’u vijë edhe ndonjë “hero” nga jashtë i padëshiruar, njohur apo i miratuar nga familja.

Kështu u lexua perceptimi publik ndaj disa anëtarëve të komunitetit LGBTIQ të lejuar nga Ministria e Arsimit për të zhvilluar trainime me nxënës 17-vjeçarë në Tiranë. Në fakt në dijeninë time, mbi bullizmin flitet çdo vit me nxënësit nga psikologët shkollorë dhe m’u duk pak si mbivendosje ky trainim i miratuar nga ministria. Ose psikologët nuk kanë qenë në lartësinë e duhur të shpërndarjes së informacionit ose ka vend për disa pikëpyetje në këtë gurgulenë e rradhës së nxitur prej risive të Ministrisë së Arsimit.

Dolën prindër të shqetësuar për mësymjen e LGBTIQ në shkolla. Kishte syresh që ndiheshin të frikësuar si ndaj epidemisë së një sëmundjeje. Kishte të tjerë që ndiheshin të përjashtuar nga një vendimmarrje në kurriz të procesit mësimor të fëmijëve.

Këtij këndvështrimit të dytë i jap të drejtë. Ashtu si nisma 3 lëndë në 6 orë që u miratua në mes të vitit shkollor, ashtu si rifutja e punonjësit të sigurisë në shkollë po në mes të vitit shkollor, u shtua dhe një tjetër nismë.

Kush e vendosi në program temën e bullizmit dhe pse jo temën e inteligjencës emocionale? Kush i zgjodhi trainuesit dhe cilat ishin kriteret përzgjedhëse?

Duket sikur Ministria e Arsimit, krejt arbitrare në vendimmarrje, duke injoruar tërësisht prindërit, kujdeset për imazhin e saj që të dalë mirë me statistikat e t’i tundë në sy të Kryeministrit apo Ndërkombëtarëve gjatë konferencave, ose diku tjetër mund të flejë lepuri.

Por pavarësisht interesave të ministrisë prindërit kanë të drejtën e informimit për çdo masë, strategji apo program të iniciuar në interes të fëmijëve. Politikat arsimore kudo në botë prej vitesh nuk zhvillohen veçmas, por në bashkëpunim me këshillin e prindërve dhe komunitetin. Për çdo nismë lipset miratim bordi. Prandaj mendoj se gjithçka mund të ishte konsultuar paraprakisht dhe të ndërmerreshin hapat sipas një plani të miratuar gjerësisht.

Dhe si psikologe me përvojë modeste prej 16 vitesh me fëmijë e adoleshentë, kam qenë dhe jam partizane e teorisë që nëse do të edukosh një fëmijë, fillimisht merru me edukimin e prindërve dhe mësuesve të tij.

Prandaj unë mendoj që çdo risi, të cilën specialistët e arsimit synojnë të implementojnë duhet ta kalojnë përmes prindërve e mësuesve. Informacioni fillestar për te fëmija duhet të vijë nga familja. Fuqizimi i prindërve me njohuri, trajnimi i tyre është rruga më e përshtatshme e edukimit të fëmijëve qoftë për bullizmin, qoftë për fenë apo kriminalitetin. Paralel me prindërit vjen stafi i shkollës, si aktor numër dy i edukimit. Nëse Ministria e Arsimit është e interesuar vërtet në minimizimin e shqetësimeve psikologjike te fëmijët, mirë do të bënte të hartonte programin mbi edukimin e inteligjencës emocionale dhe klasave të prindërimit. Trajnimi i atyre që kanë autoritetin profesional, ligjor dhe shpirtëror në edukimin e fëmijëve, është çelsi i suksesit për të parandaluar çdo tip bullizmi, sjelljesh delinkuente apo vetëshkatërruese në moshën e fëmijërisë dhe adoleshencës.

Shoqatat apo individët të cilët kontaktojnë direkt fëmijët, nxënësit, dhe që nuk i përkasin ligjërisht sistemit arsimor, si dhe për të cilët prindërit nuk kanë asnjë informacion, dhe nuk kanë dhënë aprovim, mendoj që janë në shkelje të ligjit. Ashtu siç është në shkelje të parimit të interesit më të lartë të fëmijës, Ministria e Arsimit në këtë rast. Shoqatave apo organizatave do t’i sugjeroja që për projektet ndërgjegjësuese më mirë t’u drejtohen mediave për zbatim. Vetëm në rast se interesi i tyre është krijimi i debateve publikë me qëllim tërheqjen e vëmendjes duke u vetë-bullizuar apo viktimizuar për hir të ca granteve më tepër, atëherë sugjerimin e tërheq mbrapsht.

Pasi flitet se në Shqipëri anëtarëve të komunitetit LGBTIQ, u intereson të paragjykohen e diskriminohen vetëm sepse i përkasin kësaj kategorie. Por nga ana tjetër, thuhet gjithashtu se shumë prej këtyre personave gëzojnë status social-ekonomik mjaft të mirë dhe respektohen pa i hyrë njeriu në qese se me kë e ndajnë shtratin. Ndërkohë diskutohet gjithandej se gjuha e urrejtjes është përhapur më shumë ndaj politikanëve apo njerëzve me pushtet. Por edhe ndaj malësorëve apo heteroseksualëve të vobektë. Lëre pastaj kur flitet për femrat e trafikuara, nuk kanë të krahasuar me asnjë kategori. Dhe të gjithë këtyre ligji u garanton të drejtat dhe u njeh barazinë, por jo të gjithë kërkojnë përmes paradave t’u respektohen. Ndoshta jo të gjithë e dinë se të respektuarit ose edukohet që herët, ose fitohet me kohë, por vështirë se imponohet. Realiteti ka treguar se ka plot persona të çdo kategorie që mund të ishin bullizuar, por ja që nuk janë. Kjo sepse kanë arritur me aftësitë e tyre personale, me inteligjencën e tyre mendore dhe emocionale të fitojnë vendin e tyre në shoqëri.

Në ditët e sotme ashtu edhe në antikitet, nuk janë keqtrajtuar persona sepse ishin gay, apo të shëndoshë, apo të gjymtuar. Janë bullizuar sepse nuk kanë ditur të reagojnë si duhet, nuk kanë ditur të përshtaten, pra nuk kanë qenë emocionalisht inteligjentë. Prandaj edhe njëherë theksoj nevojën e programeve mbi edukimin e inteligjencës emocionale për një shoqëri të gjithëshëndetshme, e të hiqet dorë nga arnat e të grisurave në vend të qepjes së një rrobe të re. Në këtë proces do ketë nevojë për ekspertizë nga çdo kategori personash që ligji ka krijuar e përcaktuar.

 ©JetaDedja/Flasshqip