Si e kujtoj Divën e këngës tradicionale shqiptare Nexhmije Pagarusha - Nga Taulant Dedja

Taulant Dedja
Me shumë trishtim po reagoj me këtë status pasi mora vesh lajmin për largimin në Amëshim të Divës së Këngës tradicionale shqiptare Nexhmije Pagarusha. Ne si brez patëm fatin ta dëgjojmë live ose përmes TVSH zërin e saj unikal dhe të mrekullueshëm, por edhe të njohim personalitetin e saj krejt të veçantë. Ajo më mirë se askush tjetër e solli mes nesh shpirtin e Kosovës martire dhe dashurinë e vëllezërve tanë për shtetin amë në vitet kur mes dy pjesëve të kombit ekzistonte "kufiri i hekurt" i ngritur nga regjimi totalitar.
Kam patur fatin e madh ta takoj Nexhmije Pagarushën disa herë nga afër, por takimi që më ka mbetur i pashlyer në mendje është ai i viti 1979 në Elbasan. Një ansambël muzikor Radiotelevizionit të Prishtinës dhe një grup këngëtarësh, mes të cilëve dhe artisja e madhe, ndodheshin për turne në Shqipëri. Grupi u ndal për vizitë edhe në shkollën artistike "Onufri" Elbasan ku unë isha nxënës i klasës së IX në degën violinë dhe kisha profesor të respektuarin Ardian Cani. Sapo kisha fituar Çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të RTSH për instrumentistët e rinj dhe drejtoria e shkollës më përzgjodhi të interpretoja para mysafirëve të nderuar sëbashku me disa nxënës të tjerë. Ndërkohë kur artistët nga Kosova mbërritën në shkollë ne u dhuruam atyre tufa me lule.
Nën shoqërimin me piano nga Prof. Keti Qosja, luajta koncertin për violinë të Pjetër Gacit. Natyrisht emocionet ishin të mëdha por pjesa që më ka mbetur e pashlyer në mendje është momenti kur përfundova interpretimin. Dëgjova zërin e Nexhmije Pagarushës që shqiptoi "Bravo"! Pashë që drejt meje erdhi këngëtarja e madhe, më përqafoi, më përkëdheli flokët në ballë dhe më dhuroi tufën e saj me lule që ajo mbante në prehër gjatë koncertit në sallën e katit të katërt të shkollës. Vërtetë e ndjeva veten të bekuar në atë moment nga dora e saj, sepse vetëm të mëdhenjtë dinë të inkurajojnë një fëmijë në këtë mënyrë.
Të prehesh në paqe Diva jonë!










