Kolumnist

Të dua Tirana ime - Nga Përparim Kabo

Nga: Përparim Kabo

Të dua Tirana ime…të dua me shpirt, të dua pa interes…

Ti sot mbush 100 vite kryeqytet Tirana ime… por jeta jote është më e gjatë si trevë, si histori, si qytetërime që u ngujuan dhe u zhvilluan te kjo hapsirë mes dy lumenjve dhe në këmbët e një mali.

Të dua Tirana ime se këtu u linda dhe kalova fëmijërinë, mes ekualipteve me aromë buzë Lanës dhe rrepeve të lartë, tek liqeni dhe duke u larë në rezervuar.

Të dua se këmbëzbathur ecnim në verë rrugëve të tua të bukura me hijeshi dhe shumë të pastra.

Tirana e bukur me pishat e larta në bulevard ku mernim boçet e pishave dhe i çanim e hanim farat…

Tek ky qytet mësova, kujtoj shkollat, mësuesit, Pallatin e Pionerëve, aktivitetet atje, konkurset, kinemanë e vogël, filmat rusë, çekë, hungarezë, meksikanë, gjermano-lindorë, italianë, francezë, por sidomos franko-italianë.

Kinema Agimi, tempulli ynë i fëmijërisë, kinema Republika, 17 Nëntori, Partizani, Dajti, Ali Demi…

Oh, Tirana ime, Tirana jonë, ti kishe shumë kinema, ajri atje ishte ndryshe, si i ngarkuar me ngjarje dhe histori…

Tirana jonë me histori por pa muzeum të qytetit, me organizata që dashurinë për ty e kanë të ndarë, por askush nuk merret me seriozitet me gjenezën tënde.

Sot nuk ka as edhe një muzeum të hapur në rrugë qoftë edhe në atë këmbësoren (pedonalen) ku me foto dhe dokumente të pasqyrohet udhëtimi yt historik si qytet.

Ti je qytet me themele, me kontribute, me gjurmë me histori. Ti nuk e meriton heshtjen apo mosrespektimin…

Kam mall Tirana ime të dëgjoj sirenën e trenit, të vrapoj si në rini kur rendnim të kapnim trenin e orës 7 pa pesë minuta për të shkuar në plazh…

Eh, ato ditë të nxehta kur tironsit dhe durrësakët bëheshin njësh, komuniteti i bukur dhe modern…

Kam mall Tirana ime për xhirot e mbrëmjes ku bukuria gjallonte në shëtitje dhe të gjithë njihnim të gjithë. Atje gëlonin ëndrrat, erotika, dashuritë dhe ndarjet. Ai bulevard dhe ato xhiro shkruanin historitë tona…

Të dua Tirana ime, së paku për pak çaste në imagjinatë, të kaloj mes punishteve të zanatçinjve të Pazarit të vjetër, të dëgjoj çekiçët e kovaçanave, të shoh si fryhen kacekët dhe ndizet prushi në vatrën e zjarrtë… Nuk janë më, as si aspekt muzeal i qytetit dhe as si kujtime, nuk janë as si dokumentar…

Të dua Tirana ime me Dajtin e bukur. Si shkruante një poet tironas, Mihal Hanxhari, ky erudit sipëror… “mali i Dajtit duket si një femër e shtrirë që i duken hiret”…

U ngjitëm atje në rini se në darkë do vallëzonim dhe ata me më shumë fat edhe do mund të putheshin… Tani ka më shumë se 10 vite që atje ngjitemi me teleferik, i vetmi investim inteligjent në Tiranën tonë që lindi nga ëndrra si edhe shkruante albanologu austriak George Von Hann.

Rrugicat e tua lyer më gëlqere, sa mall kam për to, por se një muzeum etnografik apo etno-kulturor nuk e ke edhe sot në 100 vite kryeqytet…

Më vijnë sot në mendje fushat ku luanim, pa fund kudo, por ato nuk janë më…humbën, u mbollën me godina të mëdha dhe të shëmtuara, ka edhe të bukura por ndërtuar vend e pa vend…

Tirana ime të dua edhe me plagët që ke. Sa herë iki jashtë më merr malli për ty…

Të dua pa interes, të dua me besë dhe me përbetim…

Sa shumë je shtuar qyteti ynë, por ujë në rubineta ende nuk ke 24 orë…Thonë se do kesh…

Sa shumë lëvizje ke, hyrje dhe dalje çdo ditë, por disa ibrikë të mëdhenj që i vunë në qendrat më të ngarkuara për të pirë ujë kalimtarët nuk janë më…Edhe banjat publike nuk janë më… ndaj kryejnë nevojat ku mundin hallexhinjtë….

Tirana ime dikur gjallëroje nga uzina dhe fabrika, nga kombinate dhe qëndra prodhimi por sot nuk i ke më…Tani çdo gjë e blen jashtë vendit, importohet dhe gruri dhe rrushi, dhe vera dhe mielli, dhe plugu dhe mbathjet…

Tirana ime dua të të pyes çfarë qyteti je ti? Industrial? Jo!

Qendër administrative? Se besoj!

Qytet ekologjik? Është e pamundur ta thuash!

Po çfarë qyteti je ti Tirana ime?

Një gjë e di me siguri. Je qyteti që dua më shumë në botë!

Këtu linda dhe jetoj…. nga këtu… nisin të gjitha rrugët….

Të falem si biri yt. I ulur në gjunjë të puth këmbët Tirana ime…

11 Shkurt 2020