Kolumnist

Po s’të vrau, të forcon - Nga Arben Kallamata

Padyshim gjella më pa shije që na u servir këtë javë ishte ajo biseda në studion e Fevziut e Kryeministrit Edi Rama. Ishte jo vetëm pa shije, por edhe e prishur, e qelbur, nga ato gjellët që të shkaktojnë të vjella dhe diharre. Një gjellë që përzjente arrogancën dhe rrugaçërinë e Kryeministrit me nivelin mizerabël profesional, etik, dhe kulturor të atyre që kishin ardhur ta vinin me shpatulla për muri. Më shumë se gjithçka tjetër rropullitë e barkut t’i përziente fakti që ja ku ishin, pesë gazetarë-analistë, kryeredaktorë, figura të shquara me Kryeministrin përballë, me rastin më të mirë për ta mbërthyer objektin e sulmeve të tyre, me mundësinë e pastër për ta vënë atë me shpatulla pas muri dhe rezultati ishte një vrimë në ujë. Asnjë prej tyre nuk ishte në gjendje të parashtronte dhe të mbështeste një argument për të qënë.
 
Gjysmë ora e parë e diskutimit u hodh në plehëra me debatin idiot për blindimin e xhamave të makinës. A thua se të qënit apo të mos qënit e blinduar makina kishte ndonjë farë rëndësie. Pastaj u kalua në temën edhe më idiote–pse kishte dalë Rama në fotografi me një person i cili më pas është dënuar, një tjetër argument që nuk i prishte asnjë punë Kryeministrit. Pastaj...
Pastaj unë e ktheva TV në gjëra më interesante dhe më pak acaruese dhe do ta kisha harruar fare shijen e asaj gjelle të pështirë sikur të mos më ishte shfaqur përsëri tani në fundjavë, kësaj rradhe nga kjo anë e oqeanit, si për të vërtetuar edhe një herë që edhe ne që jetojmë përtej kufijve shqiptarë jemi, nuk kemi ndryshuar.
 
Në të katër anët po qarkullon një letër që një vajzë shqiptare që kryen punë kërkimore në Universitetin e Ottawa-s i ka shkruar Kryeministrit të Kanadasë Trudeau ku i shpreh indinjatën për takimin që ky ka pasur me Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe për faktin që e ka quajtur atë mik. Kjo është njëlloj si të fillosh t’i diskutosh Ramës blindimin e makinës.
 
Kanadaja ka vënë kandidaturën për në Këshillin e Sigurimit. Është në praktikën e të gjithë shteteve që kandidojnë për forume të ndryshme të OKB-së që të bëjnë fushatë për të mbledhur sa më shumë vota. Në këtë kuadër diplomatët dhe drejtuesit e shteteve kandiduese takojnë diplomatë dhe drejtues të shteteve të tjerë që janë anëtarë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo është praktikë mëse normale dhe rëndom shfrytëzohen forume ndërkombëtare ose samite, siç ishte Konferenca e Munihut për Sigurinë, në të cilat mblidhen disa kryetarë shtetesh dhe mund të realizohen disa takime brenda një kohe të shkurtër. Thjesht kërkohet vota dhe, ndoshta, si shkëmbim premtohet një favor i të njëjtit standard. Në këtë kuadër Trudeau takoi edhe Presidentin e Iranit, megjithë marrëdhëniet e tensionuara midis dy vendeve dhe megjithë reaksionin që mund të ketë brenda Kanadasë për këtë. Takimi i Trudosë me Ramën ka qënë brenda kësaj logjike dhe mua nuk më duket se mund të nxjerrim konkluzione nga ky takim-as që Rama është i larë sepse ka takuar Trudonë, as që Trudoja është i ndohtur se ka takuar Ramën.
 
Në anglisht ka një shprehje: “What doesn’t kill, makes you stronger,” që pak a shumë përkthehet "Po s’të vrau, të forcon". Kuptimi i kësaj shprehjeje është edhe që sulmet e dobëta, të paargumentuara, lehjet dhe sharjet e pambështetura në fakte, nuk bëjnë gjë tjetër veçse i rrisin imunitetin dhe ndoshta edhe prestigjin atij që sulmohet. Një nga arsyet e forcimit të pozitave të Ramës është paefektshmëria e opozitës dhe atyre që e kundërshtojnë. Rama nuk mund të detyrohet të ikë duke i vënë përpara fakte të paqëna ose argumenta pa vlerë. Rama mund të detyrohet të ikë vetëm me arsyetim bindës, me fakte të pakundërshtueshme, me logjikë dhe pa emocione boshe. Jo rastësisht, deri më sot fushata më e efektshme kundër tij ka qënë mbrojtja e Teatrit Kombëtar.