Kolumnist

Izolimi i pashmangshëm i Serbisë dhe politika jonë si shpëtimtare e saj - Nga Ardian Muhaj

Nga: Ardian Muhaj

Pozita gjeostrategjike e shqiptarëve po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për ekuilibrin në Ballkan. Një nga pikat më të forta të kësaj pozite gjeostrategjike është dalja e Shqipërisë në Detin Mesdhe përmes dy deteve, Adriatik e Jon, në një vijë bregdetare të gjerë dhe me porte të shumta. Aktualisht vetëm BE-ja dhe dy shtete të kontinentit europian kanë dalje në Mesdhe: Mali i Zi dhe Shqipëria. Mali i Zi pritet të jetë shteti i parë nga Ballkani Perëndimor që do të anëtarësohet në BE. Mbas anëtarësimit të Malit të Zi në BE, vetëm BE-ja dhe një shtet i kontinentit europian do të ketë dalje në Mesdhe: Shqipëria.

Me anëtarësimin e Malit të Zi në BE, harta politike dhe peizazhi ekonomik i kontinentit do të ketë një dukje të tillë që nga Deti i Veriut e Atlantiku Verior e deri në Mesdhe, e vetmja pjesë e linjës bregdetare që nuk do t’i përkasë një shteti të BE-së është vija bregdetare nga Velipoja në Butrint. Vetëm Shqipëria në Mesdhe dhe Rusia në Baltik do të jenë vendet e vetme të kontinentit europian që do të kenë dalje në Mesdhe e Atlantik por që nuk do të bëjnë pjesë në hapësirën ekonomike europiane.

Ndërsa, shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbi, Maqedoni, Bosnjë, (që ka vetëm portin e ngushtë dhe problematik të Neumit), as nuk do të kenë dalje në ujërat detarë ndërkombëtarë, as nuk do të jenë në BE. Kjo është arsyeja pse për Serbinë është një humbje e pallogaritshme ekonomike dhe gjeostrategjike kalimi i Malit të Zi në BE. Anëtarësimi i Malit të Zi në BE e detyron Serbinë të drejtohet nga shqiptarët për ndihmë, për të lehtësuar pasojat negative që do të sjellë ky izolim ekonomik dhe gjeostrategjik.

Megjithëse rrugëtimi i Malit të Zi drejt BE-së filloi vonë në krahasim me shtetet e tjera, sot është shteti i Ballkanit Perëndimor më afër integrimit në BE. Integrimi i Malit të Zi në BE, më shumë se sa integrimi i tij në NATO, do të sjellë një ndryshim radikal në situatën gjeostrategjike në Ballkan. E vërteton këtë rëndësi të jashtëzakonshme për ekuilibrin gjeopolitik ndërhyrja ruse e serbe për të përmbysur situaten. Duket se ajo që e shqetëson më shumë Rusinë dhe Serbinë nuk ishte aderimi i Malit të Zi në NATO, por integrimi i tij në BE. NATO ka të bëjë me sigurinë, ndërsa BE me ekonominë. E para i ngjason një kutie të ndihmës së parë në rast emergjence, që mund edhe të mos përdoret kurrë, ndërsa e dyta i ngjason frigoriferit ku mbahen gjërat e konsumit të përditshëm dhe që përdoret vazhdimisht e në çdo kohë.

Mbyllja e portës malazeze për depërtimin e Serbisë në Adriatik, duket se ka aktivizuar planin rus për të sponsorizuar rritjen e prestigjit të Serbisë në rajon, dhe nga ana tjetër afrimin dhe bashkëpunimin e ngushtë Tiranë-Beograd. Me anëtarësimin e Malit të Zi në BE, Serbia do ketë vetëm dy fqinjë, BE-në dhe Kosovë-Shqipërinë. Të gjitha shtetet fqinje të Serbisë, do të jenë ose pjesë të BE-së, si: Kroacia, Mali i Zi, Hungaria, Rumania, Bullgaria, ose vende si Bosnja e Maqedonia, edhe ato pa dalje në det dhe të rrethuara nga BE-ja dhe Kosovë-Shqipëria.

Mënyra e vetme për të lehtësuar këtë izolim të pritshëm të Serbisë, ndërmjet BE-së dhe shqiptarëve është që të hapet pjesa më e dobët e rrethimit, pra shtetet shqiptare. Pa bashkëpunimin e Tiranës zyrtare, Serbia do të vendosej në një izolim të tillë që do të detyrohej të pranonte çdo kusht të Brukselit, në lidhje me njohjen e Kosovës. Pa dalje në det të hapur, e rrethuar ngado me shtete të BE-së, me Danubin po ashtu të mbyllur dhe në BE, Serbia po shpejton të sigurojë daljen në ujëra ndërkombëtarë përmes shteteve shqiptare dhe këtë derë shpëtimi Tirana po përpiqet me çdo kusht t’ia hapë. Pas sigurimit të kësaj daljeje emergjence, Serbia do t’i bëjë karshillëk Brukselit dhe paradoksalisht do të na përdorë edhe ne shqiptarëve, duke na e shndërruar bamirësinë tonë në bumerang.

Shqiptarët për fatin e mirë të serbëve duket se po bëjnë çmos që ta shpëtojnë Serbinë nga ky izolim ekonomik dhe gjeostrategjik. Për fatin e keq tonin duket se këtë ndihmë po ua ofrojmë pa asnjë kusht dhe me gjithë zemër. Po shndërrojmë në prioritet tonin prioritetin e Serbisë, po e sakrifikojmë edhe vokacionin tonë europian për hatër të Serbisë. Me minishengena e dialogje pa fryt, po bëjmë çmos ta lidhim Novi Sadin e Beogradin me Mesdheun.

Në një situatë ideale, në të cilën Serbia do të ndodhej tërësisht në mëshirën e BE-së, do të duhej që edhe Shqipëria të ishte anëtare e BE-së. Atëherë, krejt bregdeti europian i Mesdheut do t’i përkiste vetëm Bashkimit Europian. Serbia do të ndodhej në një rrethim të plotë me shtete të Bashkimit Europian në të gjitha anët dhe do të detyrohej ta njihte Kosovën si shtet fqinj e të pavarur, në këmbim të çfarëdo lirie tregëtare e bashkëpunimi ekonomik me BE-në. Që Serbia të mos izolohet tërësisht, është e domosdoshme që Shqipëria të mos anëtarësohet në BE. E ne thjesht këtë po bëjmë, pavarësisht se çka themi!

Burimi: kulturatv.com