Kolumnist

“Enciklopedia” e të gjallëve dhe bota e delirantëve pa kufij - Nga Ndue Dedaj

Nga: Ndue Dedaj

"Enciklopedia" e të gjallëve, ajo e stisura, ngjan me një fasadë qesharake, a thua se jeta e njeriut është një reklamë boshe. Politikanët i lënë portretet e tyre afishuar në billborde edhe pas muajsh e vitesh që ka mbaruar fushata zgjedhore e radhës. U pëlqen të shihen me veten sa herë kalojnë andej dhe sidomos t’i kundrojnë të tjerët me adhurim. Populli kësaj i thotë t’ia bësh me sy vetes.

Është në stilin e thuajse gjithë zyrtarëve të lartë të na dëftojnë foto “private”, dhurata simbolike etj., kinse çfarë mbështetje kanë në kancelaritë e mëdha euroatlantike a europiane. Numri një i shtetit, Meta, kur ishte në Amerikë, në Mëngjesin e Lutjeve, poston në “Facebook” një selfie me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Pompeo, si për të na thënë neve këndej oqeanit “e kam mik”… Kështu edhe më parë, Berisha me Bushin, Rama me Obamën.

Mos u habisni! Kjo është një sëmundje e tranzicionit, nga burrat e shtetit te burrat e mëhallës. Ti nuk mund ta kuptosh se si bashkëshorti, që zgjohet në mëngjes në shtëpinë e tij, sapo del te kafeneja e lagjes, ulet e shkruan një status që ia kushton gruas për ditëlindje me fjalë zemre. Kujt ia thotë? Të ishte për t’ia thënë asaj, e kishte në shtëpi! Pra, po ia thotë publikut. Do ta ndajë me të tjerët ditëlindjen familjare të së shoqes. Me të njëjtën logjikë, në pikë të mëngjesit, prindi del në “foltoren” e Facebook dhe i uron ditëlindjen djalit apo vajzës së tij?! Me fjalë të tjera, nuk ka mbetur më asgjë familjare, intime, që nuk u kallëzohet të tjerëve…

Shkrimtari i njohur serb, Danilo Kish, ka shkruar “Enciklopedinë e të Vdekurve”. Dhe me gjasë e vërtetë është vetëm ajo. Kurse “enciklopedia e të gjallëve” ndër ne ngjan një mashtrim. Kjo nuk do të thotë që të gjallët të “sillen” si të vdekurit, për të qenë dhe ata të vërtetë. Por fjala është për më shumë prudencë e përkorje nga të gjallët. Si dikur të vjetrit e kësaj rrokullie që të mahnisnin me thjeshtësinë e tyre proverbiale. Pa folur për gjenitë, që kurrë nuk u ndjenë për të gjallë, prandaj “kambanat” e tyre bien sot e gjithë ditën, dhe pse kanë mote e shekuj që nuk rrojnë.

Musa Ramadani, shkrimtar nga Kosova, në romanin e tij “Profeti nga Praga”, nderuar me çmimin “Kadare” në UET, risjell pas dyzet e një vitesh Franc Kafkën në vendin ku ai kishte qenë i gjallë dhe ku nuk e njeh askush, pasi janë shuar bashkëkohësit e tij, që e mbulonin me lavde apo thashetheme. Tashmë është vetëm libraria, biblioteka që e mbart dhe lexuesi i një kohe tjetër që e peshon. Ka avulluar gjithçka tjetër dhe ka mbetur vetëm vepra. Ky është fati i shkrimtarit të vërtetë. Ai duhet të “presë” historinë për t’u dëshmuar se cili ishte.

Por nëse punëtorët e letrave dhe të dijes e dinë këtë dhe iu nënshtrohen vetëm ligjësive të kohës, nuk ndodh kështu me njerëzit e politikës, të cilët, kush më pak e kush më shumë, në Ballkan, luajnë me ndjenjat rapsodike të turmës. Nuk kemi pse të shkojmë larg dhe të kërkojmë këngët për udhëheqësit komunistë, por të vërejmë se si dukuria pangjenerike e himnizimit të liderëve të gjallë ka zgjatimin e saj deri në shekullin postmodern, XXI. Në Shqipërinë e pasnëntëdhjetës mori dheun një këngë kushtuar Sali Berishës, e cila këndohej dhe në dasma, duke bërë ndonjëherë që në sofrën tjetër si reagim të këndoheshin këngë për Enver Hoxhën. Asgjë më shumë apo më pak se një parodi e kohës së tranzicionit.

Në Kosovë, krahas këngëve të shumta për heronjtë e Luftës, këndohen këngë për Ramush Haradinajn, siç ka një këngë dhe për Albin Kurtin, disa kohë para se të bëhej Kryeministër. Ky është një rapsodizëm i vonë i njerëzve me psikologji populiste, që ende udhëheqësit i shohin si shpëtimtarë, duke i veshur me aureola heronjsh. Ndërkohë që nuk ka (dhe s’ka si të ketë!) këngë për Ismail Kadarenë, Lasgush Poradecin, Martin Camajn, Esad Mekulin, Idriz Ajetin, Arbër Xhaferin e të ngjashmit e tyre.

Nuk janë vetëm këngët rapsodike për burra të shquar të krahinave dhe ato butaforike për burra të pashquar të “fiseve” tona. (Fundja, kjo është punë amatorësh, se po të ishte profesionistësh, nuk ka si të shkruash sot këngë për Dedë Gjo Lulin e Çerçiz Topullin, si njëqind vite më parë, pasi kënga për heronjtë lindte aty për aty dhe nuk mbartej në kohë të mëpasme si “barra e vrame”!). Janë dhe dekoratat që presidentët e Republikës i kanë dhënë si për artistë të shquar, si për mediokër, pa kurrfarë hierarkie vlerash.

Gjer “Mirënjohjet” (fletët e nderit të dikurshme) që i japin me dorë të liruar: ministritë, këshillat e qarqeve, bashkitë, kryepleqtë, shoqatat, si thotë populli “kush çohet më herët”, pasi, fundja, çfarë kushton – një copë letër është! Danilo Kish në “Enciklopedinë” e tij shkruan: “Im atë kaloi, me ndërprerje të shkurtra, gati pesëdhjetë vite në Beograd dhe këtë sasi jete… Libri i të vdekurve e risjell në pesë apo gjashtë faqe!”.

Kurse “Enciklopedia” e të gjallëve te ne është mbushur me monografi të pafundme të të gjallëve për të gjallët, prej qindra faqesh. Në qytete të gjithë shkruajnë libra e vetëthirrën studiues, shkrimtarë. Në Enciklopedinë e botuar të një krahine verilindore prej rreth një mijë faqesh ka më shumë portrete të gjallësh se të vdekurish, janë të gjithë kuadrot dhe ish-kuadrot, me fotografi e biografi. Këta janë dhe blerësit e kësaj lloj enciklopedie që mbush raftet e shtëpive të tyre, duke lënë jashtë Enciklopedinë Amerikane, Angleze, Italiane etj. Ka dhe të tjera “xhevahire” nga bota e delirantëve pa kufij.

Nuk mund ta kuptosh se si disa persona, në provincë, ledhatohen kur shohin emrin e tyre të shkruar në njoftime veprimtarish me “Prof.” përpara, pa pasur asnjë titull dhe gradë shkencore, kur mjaft profesorë të mirëfilltë e shkruajnë emrin e tyre thjesht, pa titujt shkencorë që gëzojnë realisht. Megalomaninë tonë e tregojnë dhe rreth 100 parti mjerane pa anëtarë e vota, që vegjetojnë në regjistrat e themelimit të tyre, duke krijuar idenë e rreme të pluralizmit partiak. Ata e kanë deformuar në të vërtetë mjedisin politik shqiptar, me bekimin e dy-tri partive kryesore, që i mbajnë nën sqetull për të qenë në rregull me “koalicionin” që kërkohet nga ndërkombëtarët, domethënë me fasadën?!

Njeriu i ri i kësaj kohe nuk ndalet para çdo lloj eksperimenti me veten dhe të tjerët, mjaft që ta shesë atë shtrenjtë në publik. Ai i njeh vetes të drejtën të ndërhyjë dhe mbi fytyrën apo lëkurën e vet, duke kryer operacione plastike për të ngjarë përherë i ri, i hijshëm, tërheqës. Jeta e të gjallëve është mbushur me gjithfarë shpikjesh për të qenë ndryshe nga ç’janë! Kur e mendon, nuk është një gjë e re, çfarë bënte me mullinjtë e erës “kalorësi i fytyrës së vrerosur” Don Kishoti? Ne e mëshirojmë, na dhimbset që e çoi jetën dëm, në kërkim të lavdisë imagjinare dhe harrojmë veten. Servantesi e ka krijuar atë si personazh që njerëzimi të mos merrej mendsh pas kotësirave të jetës!

Arena më e madhe e shpërfaqjes pa skrupuj të kësaj lloj “enciklopedie” mashtruese të të gjallëve sot janë rrjetet sociale. Askund më mirë se aty nuk mund ta kuptosh psikologjinë e të dashuruarve me vetveten, që në njërën anë të peshores kanë lavdërimet histerike për miqtë dhe në anën tjetër të saj sharjet, fyerjet dhe denigrimet për (ar)miqtë. Një marrëzi e njeriut që luhet përmes teknologjisë digjitale, njërës nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit, për t’i ardhur në ndihmë atij dhe jo për t’i nxjerrë sytë.

Kronikat e përditshme të lajmeve janë me plot raste të shëmtuara dhe kriminale të dhunës në familje, kurse profilet e të “dashuruarve” në ditën e Shën Valentinit ishin të mbushura me slogane laramane dashurie, a thua se rrojmë në një planet tjetër. Ndaj një pedagoge e re, H. H., tërhiqte vëmendjen në profilin e saj: “Po të ishin kaq të vërteta këto deklaratat në Facebook për dashurinë, do kishte më pak divorce, më pak dhunë, më pak lidhje paralele, më pak lëndime. Rrofshin gënjeshtrat dhe ngrënësit e tyre!”.

Ky është problemi, mashtrimi sheshit dhe falsifikimi i njerëzores. Një pjese të madhe njerëzish u pëlqen të koloviten në shilarësin përkëdhelës të rrjeteve sociale, ani se e gjitha kjo, nëse do të përshtatnim një frazë nga Shekspiri, është “shumë zhurmë për asgjë”. Kjo psikologji, ky falsifikim shembullor i vetvetes nga njerëzit, ka çuar në falsifikimin e Shqipërisë.

Për sytë qeveritarë ajo është në progres të vazhdueshëm, që nga koha kur qeveria e tyre ka ardhur në pushtet. Festat dhe tubimet e organizuara nga pushteti janë me ngjyra të gëzueshme. Kështu kemi vepruar dhe dje, kur na thuhej se ishim fanar ndriçues i Europës, edhe pse më të varfrit e kontinentit ku rronim. Ndaj nuk është e rastit që gazetarët flasin sot për dy Shqipëri, një virtuale, të glorifikuar nga propaganda, dhe një reale me një mijë probleme.

Kur qeveria merr si tregues të performancës së saj pozitive në publik klikimet, kuptohet se deri ku ka shkuar vetëmashtrimi. Ku është parë të qeverisësh me klikime, me portale, kur pjesa më e madhe e popullsisë nuk e ka luksin teknologjik e as kohën për këtë “risi” të qeverisjes. Administrata po, ajo mund të porositet e të përdoret për t’i shërbyer qeverisë, me klikime etj. Për të gjitha këto cene të të gjallëve… duhet pritur Enciklopedia e të Vdekurve!/Panorama