Kolumnist

Njerëzimi duke kuptuar çfarë vlen në jetë, ose jo – Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Një ndryshim i madh po përfshin botën, i ardhur si nevojë apo thjesht pa dashje këtë nuk e dimë. Ajo që po shohim me sy e dëgjojmë me veshë, është vorbulla e ankthit, frikës, pasigurisë, tronditjes, izolimit shkaktuar prej një sëmundjeje “Made in China”, ose të paktën kështu thuhet në publik.

Sidoqoftë, e kishim pas ditur gabim që produktet kineze nuk rezistojnë shumë, ose të paktën ato që ishin prodhim për Shqipëri ishin të tilla. Ndërsa Covid-19 po u reziston çdo lloj aksioni shkatërrimi. Ata që janë ekspertë japin shpresa, por ama asgjë nuk ndodh pa bashkëpunim.

Diku kërkohet të ruhet qetësia, diku të respektohet distanca e diku tjetër të izolohet gjindja. Ca masa parandaluese të duken jorealiste përsa kohë njeriu nuk jeton dot në veçim dhe aktivitetet jetësore nuk mund të ndalen kaq papritmas. Megjithatë, arsyeja pret t’i bëhet thirrje dhe njeriu të vendosë e kuptojë rolin e tij të jashtëzakonshëm në vazhdimësinë e jetës.

Njerëzimi ka kaluar sfida të mëdha herë pas here. Ka patur humbje plot, disa të shmangshme e disa jo. Disa prej natyre e disa prej vetes dhe jeta ka vazhduar me dhe pa ata që nxitën, sajuan apo u dorë-shpëtuan situatat fatale.

Dhe ja ku jemi sot me një kuti postare që është mbushur me fletushka apo zarfe. Posta e Kanadasë thotë se po e monitoron situatën. Ajo e di se një rrezik i madh i shpërndarjes së viruseve kalon prej saj.

Shkollat fillore dhe të mesme mbyllen për tre javë. Ndërsa universitetet me një afat të papërcaktuar.  

Marketet shënojnë rradhë të gjata. Njerëzit blejnë letra higjenike dhe ushqime për një muaj.

Udhëtimet janë anuluar.  

Banka e Kanadasë njofton se do ta ulë në 0.75% interesin për të ruajtur ekonominë.

Një kompani kanadeze shpall se në Qershor do kenë gati testimin për vaksinën ndaj Covid-19, ndërkohë që qeveria ka lëvruar fonde të reja për kërkimin shkencor.

Media kanadeze flet gjerësisht për virusin dhe ndikimin e mundshëm mbi jetën e kanadezëve dhe çiftin kryeministror, ajo shqiptare tregon se kryeministri u shfaqet si një virus qytetarëve në telefon.

Si për gjithçka ashtu edhe për sëmundjen ka gjykime e vlerësime të ndryshme. Ka një palë që e nënvlerëson rrezikun dhe një palë tjetër që mbivlerëson rrezikun ashtu siç janë edhe ata të mesit që duan të ruajnë racionalitetin.

Njerëzit ecin me kokën të zhytur në shall apo mbuluar me maska. Nëse dikush kollitet në ambient publik, mbi të bien qindra vështrime armiqësore.

Papritmas dija më e madhe duket se është larja e duarve, ndërsa pasuria më e madhe në çantë higjenizuesi i tyre.

Bisedat mbizotërohen prej konspiracionit, frikës dhe pasigurisë.

Si do jetë bota pas dy apo tre muajsh? A do e shohim atë? Kush do sundojë kë? Kush do jetë përfituesi më i madh pas pandemisë së shuar? Kush e prodhoi virusin?

A do puthemi sërish kur të takohemi apo zakoni i vjetër mund të jetë harruar? Si do të jenë shndërruar duart tona pas larjes frenetike? A do munden dot ato të mbajnë celularin? Po shoqëria a do jetë po aq inteligjente sa më parë?

Nuk e di pse në mendje më ngjallen skena nga filmi “Idiokracia”, kur personazhi kryesor me një inteligjencë mesatare zgjohet pas ca kohe eksperimentale në një vit absurd, ku gjithçka ishte rikonfiguruar, dhe mes të tjerash inteligjenca njerëzore kishte degraduar.

Gjithsesi asosacionet mendore jo gjithmonë ndodhin me lidhje. Ky rast është një nga ato. COVID-19, sipas të thënave nuk ka fuqinë e gjumëvënies dhe as atë të degradimit mendor, por është si një grip që afekton seriozisht personat me komplikacione të tjera shëndetësore dhe që për shkak të përhapjes së shpejtë i gjen punonjësit e shëndetësisë dhe pajisjet në ndihmë të tyre të pamjaftueshëm në numra.

Psikologët po mundohen t’u vënë emrin reagimeve sjellore dhe shenjave të tjera emocionale e kognitive që shfaqen tek njerëzit në këto ditë. Identifikohet ankthi dhe frika, e shprehur kjo në sferën publike dhe atë private të llogarive virtuale. Njerëzit duket se po tërheqin njeri-tjetrin në një "karantinë" plot stresorë dhe shfryjnë pa maska mbrojtëse mendime katastrofike.

COVID-19, ndryshe nga gripërat stinorë po imponon modele sjelljesh dhe mendimesh kolektive jofitimprurëse. Ai ka përfshirë në spiralen e panikut, të madh e të vogël, të mjerë e të kamur, të mençur e idiotë, udhëheqës, artistë dhe shkencëtarë, sepse vdekjen të gjithë e kanë frikë dhe sëmundjen askush nuk e do pranë.

Por nga ana tjetër, Covid-19 po u kujton njerëzve se jeta zhvillohet edhe brenda mureve të shtëpisë, se kafeja mund të pihet edhe në kuzhinën tënde dhe se disa ditë të tilla pushimi mund të të ndryshojnë për mirë mënyrat e të menduarit dhe stilin e jetës.

E më pas, ashtu si në çdo ambient të errët ku pas disa sekondash njeriu mësohet me errësirën dhe rifillon aktivitetin e ndalur për pak, kështu edhe njerëzimi shpejt do të dalë prej spirales dhe do t’i kthehet jetës së bukur apo plot sfida që e pret, disa me peshën e vlerës së saj në mendje.

©FlasShqip