Kolumnist

Na ishte një herë revolucioni - Nga Rushan Xhaferi

Lotët e aktorit Neritan Liçaj duke u arrestuar nga policë robotë transmetuan gjithë dhimbjen e një historie të fshirë sikurse nuk kishte ndodhur asnjë gjë në një nga pozicionet më me vlerë në kryeqytetin shqiptar. Është shumë komode të neglizhosh një ndërtesë prej 20 vjetësh dhe ndoshta të falsifikosh dokumenta për të cilësuar se kush godinë ka vlerë kulturore dhe cila duhet ruajtur si truall për disa miq oligarkë.

Me kokën mbrapa nga Teatri Kombetar i hedhur në shesh si një bisht cigare, aktori i cili si për ironi të fatit i jep jetë, në filmin Gjirokasta, i programuar për tu shfaqur në 2020, ish-diktatorit, Liçaj shikonte një pjesë të jetës së tij prej profesionisti të thërmohej përpara tij me pafuqinë për të ndaluar këtë masakër historike por jo më pak arkitekturale. Fizikisht si godinë, dhe simbolikisht për atë që përfaqësonte, Teatri Kombëtar nuk është më!

-E po pastaj?

-E po pastaj the? Reth godinës të dënuar qysh 20 vjet më parë kishte gati, gati më shumë policë se qytetarë. Indiferenca e shumëfishuar nga uria e një populli me barkun bosh dhe xhepat e shpuar në kohët e Koronavirusit krijuan më shumë indiferent seç duhej.

«I urrej indiferentët. Si Friedrich Hebbel, besoj se "të jetosh do të thotë të jesh partizan". Nuk mund të ketë vetëm individë, të huaj ndaj jetës në qytet. Kushdo që jeton me të vërtetë mund të jetë vetëm qytetar dhe të marrë anë. Indiferenca është mungesa patologjike e motivimit, parazitizëm, frikë, kjo nuk është jetë. Kjo është arsyeja pse unë i urrej indiferentët. Indiferenca është pesha e vdekur e historisë » shkruante Antonio Gramsci, filozof, shkrimtar dhe teoricien italian me origjinë shqiptare, në 11 Shkurt 1917. 100 vjet më parë!

Një fjali godet më fort se të tjerat: «Indiferenca është pesha e vdekur e historisë.» Indiferenca nuk lë shenjë në historinë e njerëzimit sepse ajo nuk i jep rëndësi asgjëje. As artit, as historisë, as tjetrit.

Pse bëhen njerëzit indiferentë? Të bësh pyetjen është ti përgjigjesh. Në një atmosferë mbytësë, devijimi më i vogël si qytetar të kushton shumë për xhepin bosh. Kush merr guximin dhe denoncon padrejtësitë rikuperohet shumë shpejt nga persona për interesa private. Ne jemi dëshmitarë se çdo protestë studentësh rimerret shumë shpejt nga pushteti ose grupe të ndryshëm që kanalizojnë këtë energji për interesa në të kundërt me angazhimin e forcës së të rinjve.

Për më tepër, pushteti neoliberal i vendosur këto 30 vitet e fundit, sidomos mbas rënies së Murit të Berlinit, ku frika ndaj bllokut sovjetik si kundërpushet u zhduk, i hapi dyert në një epërsi pa masë neoliberalizmit ekonomik perëndimor drejt shkatërrimit të pronës publike dhe privatizimit pa fund. Eshtë mirë kur ke mundësi financiare të privatizosh, por kur nuk ke, si ja bën?

-Si ja bën? Vdes për bukë.

***

Debatet emocionale dhe pa fund mbi shkatërrimin e godinës së Teatrit Kombëtar kanë edhe një qëllim pervers, ndoshta kryesorin, të zhvendosin vëmendjen e miliona shqiptarëve. Nga ana tjetër emisionet variete, femrat gjysëm lakuriq nëpër ekrane, bëmat e spikerinave pa talent, spektakle muzike apo talenti në kuzhinë vënë në gjumë popullsinë me qëllim për t’i kthyer njerëzit në konsumatorë injorantë kundrejt jetës politike dhe përgjegjës për fatin e tyre. Në qoftë se nuk ke sukses është faji yt. Nuk ke talent për Tv? Nuk di të gatuash si MasterChef? Nuk ke aq bukuri apo nuk je aq llafazan për Big Brother? Nuk ke aq miq apo lekë sa të gjesh një punë në shtet? You are so fucked up, my friend!

«Ata që u kanë nxjerrë sytë njerëzve ua hedhin fajin se janë të verbër». Këto fjalë të John Milton u drejtohen direkt aktorëve, elitës shqiptare, intelektualëve, politikanëve të pozitës dhe opozitës, gazetarëve dhe të gjitha mediave që kanë bërë dëme thelbësore në shoqërinë shqiptare. Një popull nuk mund të bashkohet si gishtat e dorës në një grusht të vetëm për të goditur autokratin e rradhës kur për 30 vjetë është nxjerrë në pah individualizmi, ekonomia e tregut, fitimi pa fre si dhe çdo lloj tjetër avantazhi personal duke neglizhuar Republikën e cila nga latinishtja Res publica do të thotë: gjëja publike, ajo që u përket të gjithëve. Privatizimi pa fund i ekonomisë, i spitaleve dhe i arsimit, lë njerëzit me duar bosh, të pamjekuar dhe injorantë sepse nuk kujdesen dot edhe për politikën. Nga ana tjetër, po nuk u kujdese për politikën është ajo që do kujdeset për ty, dhe në këtë moment Politika po shkatërron gjithë Republikën.

Gabimisht mijëra njerëz mendojnë se situata në të cilën ndodhen është faji i tyre. Nuk janë të zotët apo me fat. Harrojnë që janë thjesht të ndershëm dhe të manipuluar dhe janë te drejtuar nga Derra! Ferma e kafshëve e shkrimtarit britanik George Orwell është një veprër që shpjegon shumë qartë sistemin politik dhe hierarkinë në një shoqëri.

Me dy fjalë. Kafshët e një ferme shtypen nga një fermer brutal, i dhunshëm, alkoolik dhe budalla. Një derr i vjetër dhe në fund të jetës i bën ata të vetëdijshëm për tjetërsimin e tyre. Kafshët rebelohen, dëbojnë fermerin dhe krijojnë një shoqëri të barabartë, të qeverisur nga më të zgjuarit e tyre, derrat, të cilët diktojnë ligje të reja dhe urdhërin revolucionar: "Të gjitha kafshët janë të barabarta". Kjo parullë, me kalimin e kohës ndyshon në: "Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të barabarta se të tjerat". Derrat marrin gjithë pushtetin, qentë janë rojet e tyre dhe kafshët e tjera punojnë që drejtuesit e tyre të kenë bankete pa fund dhe të fryhen, pikërisht, si derra.

Personazhi që u jep alarmin kafshëvë të tjera kundër pushtetit të Derrave tek vepra e George Orwell është gomari, sepse është i vetmi që di të lexojë. Çudi? Jo! Një shoqëri injorante ngelet në robëri me shekuj.  Ne kemi kalur të paktën pesë.

***

Viktor Hygo na duket shumë larg, por ai na ka treguar rrugën e lirisë kundrejt sistemeve autokratike. Ne e dimë shumë mirë se liria nuk dhurohet, por ajo fitohet me gjak. «Të mjerët» e Hygosë kanë qënë, janë dhe do të vazhdojnë të jenë midis nesh. Në një botë ku 28 miliarderë kanë aq pasuri sa 3 500 000 000 persona do të thotë që në këtë tokë ka diçka që nuk shkon siç duhet.  Në Shqipëri ka milionerë që fitojnë që në 1 Janar, ditën e parë të vitit, rrogën e gjithë vitit të çdo qytetari të thjeshtë.

Ata që jetojnë janë ata që luftojnë;

Ata që me një qëllim të fortë mbushin shpirtin dhe ballin.

Ata që me një fat të lartë ngjiten në kulmin e hidhur.

Ata që ecin me mendime, rënë në dashuri me një qëllim sublim.

***

Këta jetojnë o Zot! për të tjerët më vjen keq.

Për shkak të mërzisë së tij të paqartë asgjëja i dehëson,

Por barra më e rëndë është të ekzistosh pa jetuar.

Hygo na fton drejt një jete më heroike dhe revolucionare. Heroizmi individual është romantik por përfundon në tragjedi. Nga ana tjetër, çdo shoqëri që ka nevojë për heronj është një shoqëri e cila është në vetvete jofunksionale. Nëse kemi nevojë për një person të vetëm që të rregulloj një dështim strukturor, ka diçka që nuk funksionon. Ne duhet të rregullojmë problemin strukturor, dhe ta korrigjojmë këtë dështim që na çoi në këtë situatë aktuale. Kjo është arsyeja e parë pse çdo heroizëm dhe valorizimi i heroit është i rrezikshëm dhe mbi të gjitha është një simptomë e vetë sistemit.

Pas çdo cikli ku gjëndja sociale dhe politike arrin një kulm pa zgjidhje, lind nevoja për revolucion. Por, revolucionet duhet te ripërsëriten sepse kanë edhe një të metë. Siç e thotë edhe fjala, revolucioni në astronomi është rrotullim i plotë i një trupi të luajtshëm rreth boshtit të tij për të përfunduar në të njëjtin pozicion. Prandaj, herë pas here revolucioni shërben t’u japë sinjalin popujve se ka ardhur momenti për të rifituar të drejtat. Demokracia nuk është gjëndje permanente por një luftë e përhershme.

***

Kriza e Teatrit Kombëtar është një simptomë e kllapisë totale që mbizotëron. Jo shumë larg, por në një moment të caktuar, forca e studentëve dhe e rinisë do të gjejë çarjen e duhur për të marrë edhe një herë rrugët dhe do të zaptojë bulevardet e shtyrë nga dëshira natyrale që karakterizon qëniet plot hormone, pa frikë dhe pa apriori. Në atë moment thelbësor, xhepshpuarët, pabuksit, të injoruarit me qëllim, ata që janë lënë mënjanë nga prodhimi i pasurisë, por sidomos të diturit, intelektualët, artistët domethenë gjithë shoqëria civile duhet të përfitojnë nga kjo energji për të shëmbur sistemin aktual.

Të gjithë njerëzit janë të barabartë … por fatkeqësisht disa do të jenë gjithmonë më të barabartë se të tjerët.