Kolumnist

Antifa këtë Qershor si Lenini në Tetor - Nga Genc Tirana

Genc Tirana - Toronto

Një diskutim në Facebook për heqjen e monumentit të një gjenerali historik nga një shesh në Amerikë nuk duket si argument që të nxit shumë për tu marrë seriozisht me një koment apo analizë rreth këtij poblemi. Nga ana tjetër Facbook është thes i madh. Temat që hapen dhe debatohen aty variojnë qysh nga vrimat e brekëve të Shukriut e deri te origjina e nënës së Skënderbeut. Jo gjithnjë mund të justifikohet koha e humbur dhe mundimi për tu zhytur në diskutime pa fund. Veçse heqja e monumentit të Robert E. Lee, edhe pse duket si ngjarje e parëndësishme, paraqet interes sepse lidhet me probleme të tjera të mprehta ngaqë po ndodh në një periudhë tepër delikate që po kalon Amerika dhe e gjithë bota për pasojë. Anarkia që pasoi protestat paqësore të të revoltuarve prej vrasjes makabre të afro-amerikanit George Floyd, në Minneapolis, Minnesota, nga një polic i bardhë, ka marrë përmasa dhe ka nxitur konflikte e qëndrime kontradiktore. Në gjendjen që ndodhemi kur e mira është përballë të keqes ia vlen që të rektifikosh pozicionin dhe ta bësh të qartë se cilën anë ke marrë.

Le të pranojmë për një moment se e kaluara historike e gjeneralit nuk e justifikon statujën e tij në shesh për t’i dhënë më shumë frymëmarrje problemit që fshihet pas. Fakti që heqja e monumenteve të Konfederatës u intensifikua gjatë viteve të presidencës së Trump nuk është shumë e rastit. Shoqërimi i kësaj fushate me anatemat e Demokratëve se Trump është racist flet qartë për lidhje shkak-pasojë. Obama dhe Clinton që drejtuan Amerikën për tetë vjet janë boll të lexuar, gjë që do të thotë se edhe gjatë dy legjislaturave të tyre duhet ta kenë ditur historinë e gjeneralit dhe historinë e Amerikës në përgjithësi më mirë se ne. Nëse memorialet në fjalë ofendojnë ose lëndojnë sadopak ndjenjat e popullsisë me ngjyrë ata e kishin kohën dhe kushtet e mjaftueshme për të hartuar një legjislacion të plotë për ta realizuar këtë gjë. Duket hapur se Demokratët nuk kanë qenë të shqetësuar ndonjëherë për historinë që po diskutojmë ne sot e as për sentimentin e qytetarëve. Ne nuk jemi naivë që ta hamë këtë. Lufta me monumentet është luftë kundër Presidentit të Amerikës. Heqja e monumenteve sot është mesazh i qartë për elektoratin që do të votojë pas ca muajsh në zgjedhjet presidenciale se edhe Trump duhet hequr për të njejtat arësye.

Veçantia e ditëve që po jetojmë është se taktikisht kjo gjë po kërkohet të arrihet me metoda Leniniste me anarki dhe dhunë dhe me luftë të pandershme mediatike ndyshe nga zgjidhjet demokratike që janë aplikuar në Amerikë deri më sot në kësi rastesh. Është fare e qartë se protesta e të indinjuarve u uzurpua qysh në ditët e para nga grupe ekstremistësh që nuk u dhimbset aspak ai që vdiq por kërkojnë destabilizim dhe anarki për interesa të caktuara. Prokurori i Përgjithshëm, William Barr, tërhoqi vëmendjen qysh në ditët e para se dhuna e ushtruar nga Antifa dhe grupe të ngjashme do të konsidorohet terrorizëm i brendshëm dhe do të trajtohet si i tillë. Historikisht Antifa është lëvizje e krijuar në vitet 60 në Europë por që ka marr hov dhe në Amerikë sidomos qysh nga zgjedhjet presidenciale më 2016. Kryesisht Antifa njihet si lëvizje anarkiste e ekstremit të majtë në përbërje të të cilës ka edhe anëtarë me të kaluar në politikë.

Në këtë kaos është e vështirë që të gjenden lidhjet e drejtëpërdrejta të atyre që e drejtojnë anarkinë por është e kuptueshme se ka forca politike dhe media në shërbim të tyre të interesuara për të përfituar nga kjo amulli. Demokratët deri tani e kanë denoncuar dhunën me gjysëm zëri. Pjesa me madhe e mediave të majta që këto katër vite janë deklaruar natë e ditë kundër Presidentit nuk ka në fokus dhunën e ushtruar nga ekstremistët. Për ata më e rëndësishme është ta paraqesin protestën si paqësore dhe të gjejnë këndin se ku mund ta sulmojnë Presidentin përsëri. Duke mos llogaritur dëmin ekonomik nga djegiet, plaçkitjet dhe shkatërrimet e anarkistëve deri tani janë regjistruar gjithashtu me dhjetra viktima mes të cilëve oficerë të policisë dhe njerëz të tjerë të nderuar. Është e dhimbshme se pjesa më e madhe e viktimave deri tani janë gjithashtu nga komuniteti afro-amerikan. Nëse mediat në fjalë vërtetë kërkojnë ta paraqesin protestën nën këndvështrimin e dhimbjes për humbjen e George Floyd përse nuk i kushtojnë rëdndësi humbjes së jetëve të tjera që në fund të fundit janë po nga i njëjti komunitet?

Është e arsyeshme që edhe komentuesit spontanë në rrjete sociale të denoncojnë krahas problemit të dhunës së policit që kreu tragjedinë edhe dhunën e pashembullt të këtyre ditëve nga grupet ekstremiste. Veçse ka nga ata që në Facebook njësoj si CNN e spostojnë problemin te Presidenti duke shkruar herë drejtëpërdrejt e herë duke lënë të kuptohet se Trump është fashist apo racist. Të shkruash qoftë dhe në mediat sociale për një president që është fashist apo me sjellje fashistoide duhet të sjellësh ndonjë fakt ose të paktën një burim ku thuhen shkeljet që ka bërë. A ka nxjerrë Trump ndonjë parti jashtë ligji apo ka vrarë a dënuar ndonjë kundërshtar politik apo gazetar? Këto janë veprime që në fakt ndodhin në botë. Këtu nuk është fjala vetëm për Erdogan apo Putin. Përpara disa vitesh ish-kryeministri Italian Giulio Andreotti u akuzua që kishte gisht në vrasjen e një gazetari. Për Trump deri tani dihet që gazetarët që vjellin vrerë gjithë ditën kundër tij i ka etiketuar si “fake news”. A e rendit Trumpin ky veprim te fashistët?!

Trump u etiketua si racist gjatë fushatës elektrorale nga kundështarët kur ai ngriti me forcë problemin e imigracionit të paligjshëm nga Meksika. Është tashmë e provuar se në këtë qëndrim nuk kishte asgjë raciste përveç iniciativës së tij për të siguruar kufirin dhe vendin nga trafikantët e keqbërësit. Madje Trump e zgjidhi këtë çështje aq sa mundi me vetë Meksikën duke i bërë presion nëpërmjet tarifave që të vendosnin mijra trupa për të ruajtur kufirin nga ana e tyre.

Çështja e riciklimit të akuzës se Trump qenka racist në këtë situate, ku përpjekjet bëhen për të siguruar pushtetin me dhunë e kur për ironi dhe anarkistët luftojnë me flamurin e antiracizmit në dorë, u intereson kundështarëve të Presidentit dhe u vjen mbas fijes atyre që janë pozicionuar si anti-Trump. Madje ditët e fundit angazhimi më i hapur i lëvizjes Black Lives Matter hedh më shumë xixa mbi këtë narrativë. Kjo lëvizje si pjesë e trashëgimisë së Obamës nuk duket se i bind të gjithë për efikasitetin që mund të ketë për të luftuar racizmin. Lufta kundër diskriminimit racor nuk fillon e mbaron me denoncimin e brutalitetit të policisë. Politikat famëkeqe të ndarjes racore janë më shumë të shprehuar në kufizimin ekonomik dhe në lënien e komuniteteve me ngjyrë pa punë dhe të izoluara në zona të varfëra. Racizmi si plagë e shoqërisë njerëzore nuk nisi dhe nuk ka për tu zgjidhur në këto katër vjet. Premtimi dhe kontributi i Trump në këtë aspekt ishte në rrafshin ekonomik. Ai synoi dhe arriti uljen e papunësinë në nivel të paparë dekada me radhë nga ku komuniteti afro-amerikan për rrjedhojë del i fituar.

Veçse Demokratët kërkojnë me çdo kusht që afro-amerikanët të marrin anën e tyre në zgjedhje. Është e qartë se atyre nuk u intereson shumë sa afro-amerikanë po vriten sot në rrugë e aq më pak u interesojnë historitë e skllavopronarisë dhe bëmat e gjeneralit përpara një shekulli që diskutojmë ne në Facebook. Kështu shpjegohet që ata veç shtiren si mbështetës të flaktë të lëvizjes Black Lives Matter. Madje drejtues të lartë Demkratë kanë shkuar edhe më larg tashmë duke kërkuar tkurrjen e fondeve për departamentet e policisë gjoja në emër të shmangies së brutalitetit të policëve. Përfaqësuesja e Minnesota-s në Kongres, Ilhan Omar, tha se është koha për të shpërndarë departamentin e policisë në Minneapolis. Të njejtën gjë kanë thënë dhe anëtarë të tjerë të këshillit të qytetit atje. Është e qartë se tkurrja e forcave të rendit, sidomos në këtë kaos, do të çonte në më shumë dhunë e më shumë anarki dhe më shumë viktima, por duket se Demokratët kjo gjë nuk i shqetëson shumë.

Anarkia në qyetet kryesore që Antifa dhe lëvizje të ekstremeve të tjera kanë imponuar këto ditë përhap frikë dhe ankth dhe favorizon marrjen e pushtetit në mënyrë të dhunshme. Në përmbushjen e kësaj axhende motorri mediatik po punon këto ditë me kapacitet të plotë duke fabrikuar shpifje në favor të Demokratëve. Ndërsa ne rrekeshim në Facebook me historinë e skllavopronarisë disa organe mediash si Esquire Magazine, Yahoo News, PPR, etj dhe gazetarë të njohur përshirë dhe korrespondentin e New York Times në Shtëpinë e Bardhë, Peter Baker, etj, etj, publikuan një citim të Presidentit Trump të falsifikuar. Ata shkruan se Trump ka thënë se George Floyd do të ishte i lumtur për treguesit e uljes së papunësisë kur në të vërtetë ai tha se George Floyd do të ishte i lumtur për çfarë po bëhet për të siguruar barazi dhe drejtësi përpara ligjit. Menjëherë pas tyre këtë falsifikim e përcolli publikisht Joe Biden në fjalimin e tij. Kjo pra është skema e marrjes së pushtetit: anarki dhe mashtrim.

Ne si vëzhgues që ndodhemi përpara të vërtetës dhe gënjeshtrës kemi mundësi të zgjedhim dhe të pozicionohemi. Nëse sytë janë të mjergulluar nga urrejtja për Presidentin këtë falsifikim e rendisim në “listen e gënjeshtrave të Trump” që ka hartuar CNN dhe e bëjmë share në Facebook. Nëse qëndrojmë syçelë dhe u referohemi burimeve të tjerë alternativë të informacionit e klasifikojmë këtë si mashtrim të qëllimshëm mediatik e si shkelje flagrante të parimit të vërtetësisë ku duhet të mbështetet liria e shprehjes dhe informimit dhe u vemë emrin si duhet anarkisë, dizinformimit dhe përpjekjeve për të uzurpuar pushtetin me dhunë.

 ©Genc Tirana