Kolumnist

Të gjykosh me moralin e kohës - Nga Arben Kallamata

Lufta Civile Amerikane (1861-1865) është ndër të paktat konflikte madhore ku dallimi midis të mirës dhe të keqes, midis të moralshmes dhe të pamoralshmes është i qartë. Në mesin e shekullit të 19-të, diçka më shumë se 70 vjet pas krijimit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetën veten të ndarë më dysh në qëndrimin ndaj skllavërisë. Ndërsa shtetet në Veri e kishin ndaluar me ligj dhe e dënonin praktikën e mbajtjes së skllevërve, në një pjesë të madhe të Jugut ajo ishte ende normë.
 
Qëndrimi i ndryshëm ndaj skllavërisë nuk kishte të bënte vetëm me të qënit mendjehapur apo mendjembyllur, liberal apo konservator. Ai ishte i lidhur edhe me interesa ekonomike. Një pjesë e shteteve të Jugut e kishin ngritur ekonominë e tyre mbi plantacionet e mëdha të pambukut, prodhimi dhe mbledhja e të cilit bazohej te puna e papaguar e skllevërve. Skllevërit shiheshin jo si njerëz që mund të kishin apo mund të mos kishin të drejta, por thjesht si mall, si komoditet, si mjet prodhimi pa shpenzime. Ata trajtoheshin, ose më saktë, keqtrajtoheshin si qenie të dorës së dytë.
 
Në shtetet e Veriut ekonomia bazohej mbi faktorë të tjerë që kërkonin modernizimin, përqafimin e Revolucionit Industrial, mbështetjen te përparimi teknik e shkencor. Në planin ekonomik në Veri skllavëria ishte e panevojshme, madje edhe e dëmshme. Në planin moral, njerëzor ajo ishte e papranueshme.
 
Qëndrimi ndaj skllavërisë ishte tema qendrore e zgjedhjeve presidenciale të vitit 1860. Partia Republikane e drejtuar nga Abraham Linkoln premtonte nxjerrjen jashtë ligji të skllavërisë në të gjithë territoret e Shteteve të Bashkuara, ndërsa politikanë nga shtatë shtete të jugut ngulnin këmbë se kjo shkelte të drejtat e tyre kushtetuese. Përfaqësuesit e shteteve të Jugut kërcënuan se po të fitonte Partia Republikane do të shkëputeshin nga Shtetet e Bashkuara. Nga ana tjetër tre parti kryesore të quajtura unioniste mbronin idenë që askush nuk kishte të drejtë të shkëputej. Ato ishin Partia Republikane, Partia Demokrate dhe Partia e Unionistëve Kushtetues. Kandidatët e të tre këtyre partive fituan 82 përqind të votave dhe, për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara president u zgjodh një Republikan, Abraham Lincoln.
 
Pra, kur flitet për ata që mbështesnin skllavërinë përpara dhe gjatë Luftës Civile Amerikane, nuk bëhet fjalë për njerëz që mund të ishin përparimtarë në mendime por që rrethanat e kohës i detyronin të pranonin skllavërinë. Flitet për njerëz regresivë edhe për moralin e kohës, që dilnin kundër mendimit të 82 përqind të votuesve të Shteteve të Bashkuara të cilët kërkonin nxjerrjen jashtë ligji të kësaj praktike çnjerëzore. Jo vetëm kaq, por ata u treguan të gatshëm të luftonin me armë në dorë për të shkatërruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm e vetëm që të mbronin të drejtën për të skllavëruar të tjerët. Në krye të ushtrisë së këtyre njerëzve ishte gjenerali Robert E. Lee.
 
Duke parë përfundimin e zgjedhjeve dhe pashmangshmërinë e ndalimit me ligj të skllavërisë, shtetet e Jugut vendosën të shkëputen nga Shtetet e Bashkuara dhe të shpallin atë që ata e quajtën Konfederatë. Duhet thënë se edhe në këto shtete një pjesë e mirë e popullsisë, diçka më pak se 50 përqind, kishin votuar për kandidatët Unionistë.
 
Lufta Civile e Shteteve të Bashkuara filloi në 12 Prill 1861 kur forcat e Konfederatës sulmuan Fort Sumter. Ajo zgjati deri në 1865 duke iu marrë jetën afro 750 mijë ushtarëve dhe ndoshta një numri shumë më të madh civilësh.
 
Lufta përfundoi me fitoren e forcave të bashkimit (Unionit) dhe me krijimin e asaj Amerike qe njohim sot. Ajo i dha fund një herë e përgjithmonë skllavërisë. Sipas Censusit të vitit 1860 në shtetet e Jugut të Amerikës kishte 3,953,762 skllevër. Afro katër milionë njerëz fituan lirinë.
 
Në krye të forcave të shteteve të Jugut që luftonin për ruajtjen e skllavërisë ishte Gjenerali Robert E. Lee. Ai u mposht nga forcat e Unionit në betejën e famshme të Getysburgut. Në mbarim të luftës, si edhe shumë pjesmarrësve të tjerë në Luftën Civile, Gjeneralit Lee iu ofrua amnisti, me kusht që ai të bënte kërkesë me shkrim. Lee pranoi dhe bëri kërkesë për falje. Mbas luftës ai ndërroi edhe qëndrim në lidhje me skllavërinë duke mbështetur idenë që skllevërit e liruar të shkolloheshin. Megjithatë, deri në fund të jetës së tij ai kundërshtoi barazinë midis racave dhe mbrojti idenë që njerëzit me ngjyrë në Amerikë nuk duhet të kishin të drejtën të votonin.
 
Sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrimi ndaj figurës së Robert E. Lee shkon pak a shumë paralel me qëndrimin ndaj idesë së Konfederatës. Veçanërisht në shtetet e Jugut në SHBA gjenden ende nostalgjikë që vazhdojnë të valvitin krenarë flamurin e Konfederatës, pavarësisht se kjo bie diametralisht kundër idesë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por më tepër se sa dëshira për t’u shkëputur nga Shtetet e Bashkuara, këto grupime të supremacistëve të bardhë i bashkon racizmi, egërsia ndaj njerëzve me ngjyrë, ndaj latinove, ndaj emigrantëve, ndaj hebrejve, ndaj muslimanëve, ndaj kujtdo që ata e shohin si të ndryshëm. Mbrojtja e simboleve të Konfederatës në Shtetet e Bashkuara sot përkthehet thjesht në luftë për të mbrojtur supremacinë e bardhë.
 
Megjithëse në të gjallë të tij vetë Lee e kundërshtonte ndërtimin e përkujtimoreve për kryengritjen e Konfederatës me arsyetimin se ato s’do të bënin gjë tjetër veçse do të mbanin plagët e hapura, supremacistët e majtë u kujdesën që statujat e tij të lartësoheshin në shumë qytete të Jugut. Pas vdekjes, Lee u kthye në ikonë për të gjithë mbështetësit e të ashtuquajturës ‘çështje e humbur’, të cilët synonin të krijonin një imazh romantik për Konfederatën dhe të mbanin sa më të fortë supremacinë e bardhë në Jug. Monumentet e tij filluan të mbinin në qytete të ndryshme të Jugut. Më i njohuri prej tyre ishte monumenti që iu ngrit në New Orleans në 1884 (18 metra i lartë). Ajo statujë u zhvendos në vitin 2017.
 
Një tjetër monument i Gjeneralit Lee ngrihet në qendër të Charlottesville, Virginia. Në vitin 2017 banorët e Virginias kërkuan që monumenti të hiqej me arsyetimin që Robert E. Lee nuk kishte pasur kurrë ndonjë veprimtari në Charlottesville dhe nuk kishte asnjë lidhje me qytetin, kuptohet, veç simbolikës që kishte qënë një gjeneral i Konfederatës dhe kishte drejtuar luftën për ruajtjen e skllavërisë dhe shkëputjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Propozimi u hodh në votë dhe Bashkia, me shumicë votash (3 me 2) vendosi të hiqet. Monumenti nuk është hequr ende sot e kësaj dite, as pasi guvernatori i shtetit mori vendim të dëgjojë zërin e protestuesve të lëvizjes “S’marr dot frymë“ që shpërtheu pas vrasjes së George Lloyd.
 
Robert E. Lee nuk ishte aspak një figurë përparimtare e kohës së vet i cili për rrethanat përtej vullnetit të tij ose për shkak se ashtu ishin normat e kohës nuk dilte dot kundër skllavërisë. Robert E. Lee drejtonte trupat ushtarake të Konfederatës së Shteteve të Jugut të cilët për të mbrojtur skllavërinë kërkonin të prishnin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Robert E. Lee ishte ushtaraku që luftoi me armë për të kundërshtuar zgjedhjen e Presidentit Linkoln. Robert E. Lee mbronte trajtimin si skllevër të 4 milion njerëzve në një kohë kur 82 përqind e popullit amerikan kishte votuar për lirimin e tyre. Edhe me standardet e kohes kur ka jetuar ai është i pajustifikueshëm.
 
Robert E. Lee dhe Abraham Lincoln ishin në dy anë të kundërta të një lufte civile dhe përfaqësonin dy morale krejtësisht të papajtueshëm. Barazimi që iu bëhet sot atyre qoftë nga vandalët injorantë që përpiqen të shkatërrojnë gjithçka, qoftë nga mbrojtësit e supremacistëve të bardhë është thjesht i pakuptimtë.