Kolumnist

Braktisur nga “nëna”, dyermbyllur te “njerka” - Nga Arben Braçe

 

Arben Braçe

Prej disa ditësh emigrantët shqiptarē torturohen në radha të gjata për të kaluar kufirin grek në Kakavi dhe Kapshticë.

Rregullat e reja me karakter prapaveprues, të vendosura rishtas prej shtetit grek këtë radhë kanë gjetur një shkak madhor; ruajtjen e sigurisë vendase prej infektimit nga Covid 19.

Nuk është hera e parë, që qeveria greke, vendos rregulla të tilla, në disfavor të emigrantëve shqiptarë.

Në kundërshtim të hapur me çdo akt ndërkombëtar, ata vazhdojnë të trajtohen si krah i lirë në tregun arkaik të punës, duke u zhvatur mbivlerë dhe duke i trajtuar si njerëz të “botës së tretë”, njësoj sikur nga kolonët e dikurshëm popujt afrikanë.

Eshtë vazhdimësi e trajtimit harbut të përballësh emigrantët shqiptarë me “rregulla të reja”, në udhëtimin e tyre të kthimit, ndërkohë që mund të ishin vëne në dijeni paraprakisht për pasojat në qoftë se do të hynin në shtetin amë.

Sistemi i rregullave të reja anti-Covid i cili dëmton interesat, integritetin ekonomik dhe social të mijëra emigrantëve shqiptarë, është veprim brutal në vazhdën e “prishjes së kompjuterave” dhe “reduktimit të stafeve” në pikat hyrëse, në pikun e sezonit turistik të pushimeve të emigrantëve që robëroheshin gjithë vitin në shtetin fqinj.

Të braktisur dhe lënë nën mëshirën e fatit prej autoriteve të tyre, emigrantët gjenden përsëri nën sagën e vuajtjeve dhe mundimeve të gjata prej nacionalizmit agresiv grek që mirëseardhjen e fillonte me ndryshimin e identitetit të emrit dhe përkatësisë fetare, duke u përpjekur ta zbraznin atë nga qënia e vet e mirëfilltë, për ta mbushur me pas me një identitet të huajtur, njësoj sikur dikur fiset afrikane e gjenin veten të spitulluar me gjyshërit galikë, falë kolonializmit.

Etnocentrizmi dhe obskurantizmi grek në kundërshtim me të gjithë aktet ndërkombëtare akoma mban larg me forcë të drejtat e emigrantëve për arsim në gjuhen shqipe nën moton e “mos pranimit të verbër e të gjithë asaj që nuk është e jona”, pra greke.

Mbi më shumë se 600.000 mijë emigrantë shqiptarë janë ndarë dhunshëm nga perënditë e tyre, shprehitë, kujtimet, jeta e tyre duke iu kundërvëne formave të stërholluara të alienimit grek, traditat e vjetra shqiptare që zëvendësojnë tërësisht mimetizmin poshtërues grek me afirmimin e tipareve tona dalluese, shumë të vjetra qe e kanë zanafillën në kulturën e vjetër shqiptare parahelenike.

Gjithsesi, këto netë të veshtira që po kalojnë duke gdhirë jashtë, padyshim që do t’i kënë futur në dilema të medha.

Të braktisur dhe pothuaj të përzënë nga shteti amë dhe të përbuzur dhe dyermbyllur nga shteti grek për herë të parë në jetën e tyre u takon të zgjedhin, të marrin vendime të medha për jetën dhe të ardhmen e familjeve të tyre.

Ndryshimet e mëdha që do të ndodhin pas pandemisë Covid 19, padyshim që nuk do favorizojnë të dobtit ekonomikisht. Kohës së tretjes së dallimeve ndërmjet vendeve të zhvilluara dhe atyre të pazhvilluara dhe kalimit në universalitetin perëndimor, duket se po i vjen fundi.

Sa nuk është akoma vonë, do të ishte më e dobishme, për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve, një kthim me guxim në vendin amë, duke pastruar me votë korrupsionin politik dhe duke iu kthyer tokës dhe biznesit në origjinë, si një rrugë me të ardhme dhe pa kthim.

©Arben Braçe