Kolumnist

A duhet të protestojnë fëmijët? - Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

“More pushkën dole malit, lule Velo Partizani

Ndoshta fëmijëve pjesëmarrës në protestat e ditëve të fundit në Shqipëri ky varg kënge nuk i kujton asgjë, por të tjerëve jam e sigurt që po. (Edhe pse nuk është ilustrimi më i mirë, bën punë).

Veloja ishte djaloshi i cili donte të hakmerrej për vrasjen e të atit e të dilte partizan për të luftuar armikun. Por partizanët nuk e pranonin në organizatë pasi ai ishte i vogël, më i shkurtër se vetë pushka. Por Velo arriti t’i bindte se mosha nuk duhej të ishte kriter për të luftuar të keqen.

Shembujt e fëmijëve të aktivizuar në çështje madhore nuk na i sjell vetëm kinemaja apo letërsia, por edhe realiteti. Rast i freskët botëror është Greta Thunberg, aktivistja e mjedisit, e cila nisi protestat para parlamentit suedez kur ishte 15 vjeç. Më herët në 1963 në Alabama mijëra fëmijë me ngjyrë të ciklit elementar dolën në rrugë duke kërkuar të drejtën për trajtim të barabartë. Shefi i policisë hyri në histori si figurë e urryer pasi mori masa ekstreme duke u vërsulur qentë fëmijëve.

Nëse fëmijët vendosin e dalin në një protestë, kjo është e drejtë legjitime e miratuar kryesisht prej ca burrash ndoshta edhe baballarë fëmijësh plus kombesh, në vitin 1989 në formën e një karte të drejtash.

Sepse fëmijët kanë mijëra arsye për t’u organizuar dhe askush nuk ka të drejtë t’i përjashtojë nga politika. Politika nuk është kafshatë vetëm për ata që ulen në karriget e parlamentit apo kolltukët e zyrave. Politika u përket të gjithëve përsa kohë ajo cënon jetën personale e publike.

Unë do doja që fëmijët të protestonin jo një herë (dua të theksoj se ka një dallim mes fëmjëve aktivë, të organizuar në masë dhe protagonistë në protestë dhe atyre që përdoren si dekor nga politikanë për imazhin e tyre, gjë që nuk e mbështes) por sa herë që ta ndjenin se diçka nuk shkon, diçka është keq, diçka është e padrejtë. Dhe nëse nuk kanë informacion për çka që nuk shkon, prindërit kanë detyrën t’ua thonë. Sa mirë një nënë kur mundohet ta bindë vajzën ta hajë supën se ka fëmijë në botë që nuk kanë fare të hanë. Ky është një rast për të shpjeguar varfërinë.

Do të habiteni se sa lehtë sensibilizohen fëmijët për një problem dhe sa seriozisht e marrin të luftojnë për të sjellë ndryshimin. A nuk do të ishte e fuqishme të protestonin për moshatarët e tyre që lajnë xhamat e makinave në semaforë. Për shokët e tyre të trafikuar rrugëve të Shqipërisë e botës. Të protestojnë për vëllezërit e motrat, kushërinjtë a komshinjtë e dhunuar e vrarë me pa të drejtë. Të protestojnë për dhunën verbale që çdo ditë e muaj të vitit shohin në media nga ata që luajnë me fatet e tyre. Të protestojnë për talljen që u bëhet çdo ditë vetëm sepse janë të vegjël dhe nuk kanë votë në dorë. Të protestojnë se prindërit e tyre u përbuzen, përbalten, dehumanizohen nga politikanët perversë që i konsiderojnë vetëm si votues në një ditë elektorale.

Po, fëmijët kanë mijëra të drejta të protestojnë e arsye të vandalizojnë. Janë të zemëruar, frikësuar për të ardhmen. Jetojnë në një vend ku shteti të vret pas shpine, siç vrau Klodianin.

Oh prit, disave po u dhimbsen pronat e shkatërruara se aty janë taksat tona…Po pse nuk qajmë kaq shumë për taksat kur ato na fluturojnë prej duarsh nga gomarllëqet me okë të qeverisë? Ju kujtohet Becheti se sa do paguajmë për ta dëmshpërblyer për faj të kryeministrit inatçor?

Nëse fëmijët dalin në protesta dhe shkatërrojnë prona, kjo do të thotë se ata janë të mërzitur shumë me të rriturit që nuk po ua kuptojnë nevojën. Është njëlloj si atëherë kur ishin të sapo dalë nga pelenat dhe thyen lodrën e parë në inat e sipër për t’i tërhequr vëmëndjen prindit se diçka nuk shkon.

E pra nëse një lodër thyhet e shkatërrohet me qëllim, ajo tregon se diçka nuk shkon si duhet. Disa fëmijë shqiptarë e prishën një lodër në mes të Tiranës, një pemë falso që u gënjente mendjen prindërve të tyre se gjithçka shkon mirë.

Policia e shtetit vrau në mes të Tiranës 25-vjeçarin Klodian Rasha pa bërë asnjë krim. Për çfarë duhen fasadat me drita e shkëlqim kur jeta nuk është e sigurt në qytetin tënd?

Fëmijët shqiptarë kanë plotësisht të drejtë të protestojnë kundër kryeministrit Edi Rama, si njeriu që ka ngritur të keqen në sistem, atij sistemi që i mori jetën Klodianit. Fëmijët e revoltuar nuk i kanë prindërit as në qeveri e as në bashki, as me vila e pasuri. Janë fëmijë që një ditë mund të ndodhen në kushtet e Klodianit nëse nuk do dilnin kundër këtij sistemi këto ditë Dhjetori.

Qeveria po përpiqet t’i alienojë ata prej protestave. Kryeministri u bën thirrje prindërve të ruajnë fëmijët se ata manipulohen nga të rriturit për interesa të tyre! Ministrja e Arsimit deklaron se fëmijët e protestave do t’i çojnë te psikologët.

A thua këtyre hipokritëve iu dogj barku për fëmijët e botës e bëjnë të merakosurin në publik. Janë veçse një tufë frikacakësh që ia hedhin topin njëri-tjetrit brenda zyrave duke ndjerë zemëratën kolektive dhe fundin që u ka ardhur.

©JetaDedja