Kolumnist

Christmas-dekreti grabitqar grek me “Kalë Troje” shqiptar - Nga Arben Braçe

Arben Braçe

Zyrtarizimi i Christmas-dekretit të Qeverisë greke për zgjerimin në mënyrë të njëanshme të ujërave territorialë nga 6-12 milje është një nonsens i plotë juridik, që bie tërësisht në kundërshtim me rekuizitat e Kushteteutës Shqiptare, por edhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë të 15 Prillit 2010, sepse asimilon haptazi kufirin shtetëror që ndan territoret e shteteve duke cënuar rëndë sovranitetin territorial shqiptar.

Sikurse është vënë në dijeni pala greke, ky vendim ka dalë shumë kohë më parë dhe përcakton edhe instrumentat se si duhet të procedohet ligjërisht për zgjidhjen e kësaj çështjeje të rendesishme per të dy palët.

Por kështu, sikurse theksova që në fillimin e negociatave të fshehta të Kryeministrit, ai dekret bie në kundershtim me instrumentin ndërkombëtar ku jemi palë, konkretisht me paragrafin e parë të nenit 15, të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS),  ku thuhet: “Kur brigjet e dy shteteve janë të kundërta, ose ngjitur me njëri-tjetrin, asnjëri nga të dy shtetet nuk ka të drejtë, duke mos arritur marrëveshjen midis tyre në të kundërt, të zgjasë detin e tij territorial përtej vijës mesatare, çdo pikë e së cilës është e barabartë nga pikat më të afërta në pikat bazë nga të cilat matet gjërësia e deteve territoriale të secilit prej dy shteteve. Dispozita e mësipërme nuk zbatohet, megjithatë, kur është e nevojshme për shkak të titullit historik ose rrethanave të tjera të veçanta për të kufizuar detet terrritoriale të dy shteteve në një mënyrë që është në ndryshim prej tyre”.

Christmas-dekreti grek për aneksimin dhe zgjerimin e kufijve detarë në 12 milje që mbështetet në nenin 3 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), është një veprim amator, por edhe shumë grabitqar, i cili do të krijojë një precedent të rrezikshëm, “Casus belli” ose shkak për luftë, duke qënë se do të përdoret si precedent i rrezikshem nga Greqia që ka ishuj të shumtë dhe do të binte ndesh me disa shtete fqinjë sikur Turqia dhe do të sillte për pasojë humbjen e territorit detar të saj.

Christmas-dekreti i cili shpreh vetem vullnetin anakronik ekspansionist të qeverisë shoviniste greke është i pambeshtetur ligjërisht në aktin ndërkombëtar ku jemi palë, me kushtetuten dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare, por edhe me parimin e njohur ndërkombëtar te reciprocitetit.

Ai është një dekret që kërkon të grabisë territor me procedurë dhe është i vlefshem vetem për tu arshivuar në kancelaritë e qeverisë konservatore greke dhe asnjëherë nuk do të kete fuqinë e duhur juridike. Nën këtë frymë edhe pala shqiptare mund të kërkojë me vullnet të njëanshem zgjerimin me 12 milje duke mohuar frymën që kërkon koha, atë të negocimit për të realizuar marrëveshje, sipas rekuizitave që përcakton akti ku jemi palë.

Edhe Aneksi V i Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), përcakton modalitete të qarta për mosmarrëveshjet dhe ndarjet e Zonave Ekskluzive Ekonomike të cilat Rama si padron territori, pa u konsultuar me ekspertë të fushës ka dhënë pëlqimin për zgjidhjen e kësaj çështjeje pa kaluar në procesin e rëndësishëm të negociatave, është një krim korrupsioni që i heq një mundësi të rëndësishme të ligjshme vendit për zgjidhjen adekuate të ndarjes. Sugjerimi për zgjidhjen e kësaj çështjeje direkt në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës ishte një rast i pastër korrupsioni nga të dy palët që tejkalojnë vullnetin për negociata dhe marrëveshje. Në gjykatë shkohet vetëm në instancë të fundit kur dialogu dhe negocimi shteron.

Nuk duhet të harrojme se vetëm pak kohë me pare Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Greqisë dhe Italisë, për ndarjen e Detit Jon, ndërmjet dy anëtarëve të Bashkimit Europian, ishte një tjetër skandal në disfavor të interesave të Shqipërisë, që kaloi në heshtje nga qeveria shqiptare që nuk ka minister të Jashtëm dhe një kryeminister me instikt të mpirë politik në drejtim të atij që është më i rëndësishmi për shqiptarët, sovraniteti territorial i vendit. Marrëveshja është zgjatje e marrëveshjes së vitit 1977 dhe i hap rrugë Greqisë dhe Italisë për të lëshuar licensa për kërkimin dhe shfrytëzimin e burimeve të hidrokarbureve në Detin Jon.

Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Greqisë dhe Italisë, prek direkt ujërat territoriale shqiptare në një zonë shumë të rëndësishme dhe e bën Greqinë pjesë të ujërave territoriale të Kanalit të Otrantos.

Duke qënë se në këtë territor përkojnë direkt interesat e të tre palëve, domosdoshmërisht marrëveshja në këtë rast duhet të kishte si palë edhe shtetin shqiptar, përfaqësuesit e të cilit ndodhen në gjumë letargjik dhe disa të tjerë më të rëndësishëm kanë nxjerrë në shitje territoret e mbrojtura me aq sakrifica nga shqiparët e vërtetë që tashmë po na duket sikur ekzistojnë vetëm në librat e histories, sepse ata që duhet dhe e kanë detyrë të reagojnë nuk e bëjnë. Natyrisht, në asnjë rast, nuk duhet të mungojë edhe denoncimi i duhur pranë organeve kompetente penale për shpërdorim të detyrës dhe pamundësi për të mbrojtur atë që është më e rëndësishme, interesat e vendit.

Sikur të kishim përfaqesues të denjë politikisht të ardhur nga zgjedhje të lira, njerëz që e duan vendin që sot sulmohen më shumë se kushdo tjetër, sot duhet të ishim duke kërkuar të drejtat që na garantojnë aktet ndërkombëtare ku jemi palë për rivendikimin e padrejtësive që na solli Konferenca e Londrës e 1913, që na shkëputi trevën tonë shqiptare dhe ia aneksoi Greqisë dhe nuk do të ndodheshim nën këtë mjerim politik ku nuk mbrojmë dot as edhe atë qe na kanë lënë ata që u dogjën dhe u vranë në terrin e armiqësisë për të gëzuar vendin e lirë.

©Arben Braçe