Na ishte një herë LDK - Nga Enver Robelli
Nuk ka parti shqiptare që ka pasur rrjet më të gjerë, më të fuqishëm, më të organizuar në botën perëndimore se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). S’ka qytet të madh dhe qytet mesatar në Gjermani e Zvicër ku s’ka pasur zyra e nëndegë të LDK-së.
Degët në Gjermani dhe Zvicër kanë qenë pothuaj ministri të Kosovës në botën e jashtme. Këto degë e kanë mbajtur LDK-në në Kosovë me financa dhe ndihma të tjera. Madje kur është themeluar Partia Demokratike e Shqipërisë (PD), aktivistët e LDK-së nga Zvicra e Gjermania kanë dërguar aparate faksi dhe materiale të tjera për të ndihmuar PD-në për t’u përballur me regjimin komunist në Shqipëri.
Adem Jashari kur ka ardhur në Zvicër në fillim të viteve 90-të ka qenë mysafir i Degës së LDK-së. Sali Çekaj nga Stuttgarti i ka vënë bazat e rezistencës së armatosur kundër regjimit serb dhe më vonë është kyçur në luftë. Në çdo tubim që kanë organizuar Degët e LDK-së në Zvicër e Gjermani, sallat kanë qenë plot. Përkushtimi për Kosovën i madh. Sakrifica po ashtu.
Këto Degë kanë qenë pika logjistike për delegacionet e LDK-së që kanë ardhur për vizita në Europën Perëndimore. Për shembull: zgjedhja e kryetarit të Degës së LDK-së në Zvicër dikur ka qenë ngjarje nacionale. Kush e merrte Degën, ai ishte politikan me ndikim edhe në Kosovë.
Është tragjike që LDK në Prishtinë e braktisi këtë trashëgimi, e harroi këtë anë të ndritshme të historisë. I harroi qindra e mijëra përkrahës në mërgatë. Ka vite që askush nga kryesia e LDK-së nuk e ka vizituar mërgatën.
Tani sallat në Europë dhe autobusët drejt Kosovës i mbush konkurrenca politike. Sepse në politikë konkurrenca nuk rri indiferente, nuk fle. Puna me bazën është thelbi i punës së një partie. Njerëzit nuk kanë kontrata me parti. U qëndrojnë besnik partive po aq sa partitë u qëndrojnë besnike përkrahësve.
©Enver Robelli












