Kolumnist

Pse e humbi Moska qetësinë nga rezultati i zgjedhjeve në Kosovë - Nga Shaban Murati

 Shaban Murati

Nuk ka ndodhur ndonjëherë që Rusia t’i kushtojë aq vëmendje mediatike zgjedhjeve në një shtet europian të madh apo të vogël, sa ç’i kushtoi zgjedhjeve parlamentare të 14 Shkurtit në Kosovë. Mbi 40 gazeta e media ruse të nesërmen e zgjedhjeve, në 15 Shkurt, bënë temë kryesore rezultatet elektorale në Kosovë, duke u bashkuar dhe shprehur të gjitha njëzëri shqetësimin zyrtar politik dhe diplomatik rus për kapitullin e ri, që hap një qeveri e “Vetëvendosjes” në Kosovë.

Është hera e parë që mediat e kontrolluara ruse heshtin në kor dhe nuk vërshojnë llumin e tyre të sharjeve për qeveritë e “trafikantëve, të kriminelëve dhe të korruptuarve” në Prishtinë, sepse biografia e “Vetëvendosjes” dhe kryetarit të saj, kryeministrit të ri Albin Kurti, nuk ua mundësojnë dot shpifje të tilla 22 vjeçare ruso-serbe.

Të gjitha mediat ruse në kor shprehin hapur thelbin e shqetësimit apo thembrën e Akilit të politikës ruse në Ballkan: frikën se kemi një fazë të re të zgjidhjes përfundimtare të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Moska ka humbur qetësinë nga momentumi i ri diplomatik i brendshëm dhe i jashtëm i Kosovës tani, me fazën e re, ku ka hyrë tema e Kosovës në dy drejtime.

Së pari, në planin e brendshëm, ku qeveria e re e Albin Kurtit pritet të jetë një partner më dinjitoz dhe i barabartë bisedimesh me Serbinë dhe besohet se nuk do të pranojë tjerrjen pafund të bisedimeve, siç bënë gjatë 10 viteve paraardhësit e saj në Prishtinë. Rrotullimi 10 vjeçar në vend i bisedimeve të Brukselit i intereson edhe Serbisë, edhe Rusisë.

Ndaj Agjencia zyrtare ruse e lajmeve, TASS, në datën 15 Shkurt shprehte qartë frikën e qeverisë dhe të diplomacisë ruse se “Ardhja në pushtet e “Vetëvendosjes” e ndërlikon dialogun e tensionuar për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Forcimi i “Vetëvendosjes” do të thotë një pozicion më i ashpër i Prishtinës në bisedimet me Beogradin”. Këtij shqetësimi i bëjnë jehonë në mënyrë të organizuar të gjitha mediat e shumta ruse, që trajtojnë rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë.

Rusia dhe Serbia janë të shqetësuara se tani kanë përballë një situatë të re dhe një realitet të ri politik dhe diplomatik në bisedimet me Kosovën për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis tyre. Në 15 Shkurt kryeministri i ri Albin Kurti, në një deklaratë për AFP, theksoi se ai dëshiron rikuadrimin e bisedimeve me Serbinë dhe t’i verë të dy palët në pozita të barabarta. Qëndrimi i tij ka qenë i qartë se bisedimet duhet të përfundojnë me njohje reciproke dhe pa asnjë kompensim Serbisë, e cila ka qenë pushtuesja dhe agresorja e Kosovës.

Qeveria dhe diplomacia ruse tremben, sepse shenjat dhe perspektivat janë që qeveria e re e “Vetëvendosjes” në Kosovë të mos tolerojë më rrotullimin në vend dhe fundin e hapur të bisedimeve me Serbinë, siç përpiqet Rusia që ta mbajë të gjallë një konflikt të ngrirë midis Serbisë dhe Kosovës dhe ai konflikt të mos zgjidhet asnjëherë.

Është e pritshme që qeveria e re e “Vetëvendosjes” t’i japë fund njëherë e mirë të gjitha qëndrimeve dhe tezave neojugosllave dhe filoserbe, që kanë qarkulluar në disa qarqe politike dhe drejtuese të Prishtinës lidhur me dialogun midis Serbisë dhe Prishtinës.

“Vetëvendosja” dhe Albin Kurti nuk e kanë pranuar asnjëherë tezën filoserbe të qarkulluar në Prishtinë këto tre vitet e fundit se Kosova në dialog nuk ka nevojë të kërkojë njohjen nga Serbia. “Vetëvendosja” dhe Albin Kurti nuk kanë pranuar asnjëherë tezat filoserbe dhe idiote të disa qarqeve në Prishtinë se dialogu me Serbinë duhet të ketë objektiv të parë anëtarësimin në OKB. “Vetëvendosja” dhe Albin Kurti nuk kanë pranuar asnjëherë tezën filoserbe dhe filoruse të disa qarqeve në Prishtinë që çështja e njohjes reciproke apo e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë duhet të shkojë në Këshillin e Sigurimit të OKB. “Vetëvendosja” dhe Albin Kurti nuk e kanë pranuar asnjëherë tezën serbe të Prishtinës zyrtare se Serbia duhet shpërblyer me territore të Kosovës që të bindet për njohjen e Kosovës.

Në këtë inkuadrim të ri të politikës së Jashtme të qeverisë së re të “Vetëvendosjes” Rusia shikon humbjen e pozitave të neojugosllavëve dhe filoserbëve në Prishtinë, të cilët mediat ruse i lavdëruan në 15 shkurt si “politikanë të moderuar”. Por Moska sheh edhe humbjen në Prishtinë të iluzioneve filoruse, që u ngjallën në disa qarqe drejtuese të Prishtinës se Rusia mund të ndryshojë qëndrim dhe ta mirëkuptojë Kosovën, sidomos pas takimit të pazbardhur të presidentëve të Rusisë dhe të Kosovës në Paris në 11 Nëntor 2018.

Së dyti, lidhur me momentumin e ri diplomatik ndërkombëtar Rusia e ka humbur qetësinë, sepse për politikën e saj ballkanike shikon një koniukturë të re të pafavorshme me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të presidentit të ri Xho Bajden. Në 7 Shkurt u publikua telegrami i urimit, që presidenti amerikan Bajden i dërgoi presidentit të serb Vuçiç me rastin e ditës së shtetësisë së Serbisë, dhe ku i shkruan qartë qëndrimin e qeverisë së re amerikane që dialogu midisi Serbisë dhe Kosovës duhet të përqendrohet në njohjen reciproke të dy shteteve.

Rusia dhe Serbia janë alarmuar, sepse shohin se krijohet një rezonancë e plotë midis qëndrimit të qeverisë së re amerikane dhe qëndrimit të “Vetëvendosjes” në Kosovë lidhur me mbylljen sa më shpejt me njohje reciproke të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Kryesorja është se qeveria e re amerikane e presidentit Bajden i bëri të qartë edhe Rusisë, edhe Serbisë, se nuk ka më kohë për të humbur, çka do të thotë se SHBA me angazhimin e tyre të ri nuk do të tolerojnë taktikën ruso-serbe të fundit të hapur të bisedimeve të stërzgjatura të Brukselit.

Siç shkruante organi mediatik ndërkombëtar qeveritar rus “Russia Today” në 15 Shkurt, “Sipas SHBA asnjë çështje e diskutueshme për Kosovën nuk duhet të mbetet as për Serbinë dhe as për të tjerët”.

Moska e ka humbur qetësinë nga kjo perspektivë e re e zhvillimit të dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Ndaj ajo reagoi menjëherë kundër qëndrimit të presidentit të SHBA për përqendrimin në njohjen reciproke në dialogun midis Serbisë dhe Kosovës. Ambasadori i Rusisë në Beograd, që është një lloj guvernatori i emëruar rus për Ballkanin, i deklaroi agjencisë zyrtare serbe “Tanjug” në 10 Shkurt se “Rusia nuk e përkrah politikën e Perëndimit që ngul këmbë në njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

Është një pohim zyrtar i interesit të Rusisë që bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës të mos çojnë asgjëkundi dhe që marrëdhëniet midis dy shteteve fqinjë të mbeten një konflikt i ngrirë, sepse kështu i jepet mundësi Rusisë të ndërhyjë vazhdimisht në Ballkan. Kështu i jepet mundësi Rusisë ta mbajë Serbinë të lidhur pas qerres ruse dhe t’ia pengojë hyrjen në BE, dhe rrjedhimisht edhe në NATO. Rusia lufton për bllokimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për mosnjohjen e saj nga Serbia, jo për hatër të Serbisë, por e bën për interesat e saj të provokimit të tensioneve të përhershme në Gadishullin ballkanik, si një instrument i ndërhyrjes dhe i pranisë së saj në rajon.

Nuk duket rastësi që menjëherë pas fitores elektorale të “Vetëvendosjes” propaganda ndërkombëtare ruse nisi një fushatë sulmesh ndaj qeverisë ende të pakrijuar të “Vetëvendosjes” për lidhjet me SHBA. Organi mediatik qeveritar rus “eadaily.ru” me titullin “Radikalët e Prishtinës presin instruksionet e Bajdenit”, shkruante në 14 shkurt: “Ardhja në pushtet në SHBA e Xho Bajdenit dhe e Partisë Demokrate, që mund ta quash kuratore të Albin Kurtit, mund t’i japin atij peshë politike, meqë administrata amerikane synon të aktivizojë përkrahjen për projektin kosovar dhe Kurti është përfaqësuesi i interesave të demokratëve amerikanë”.

Ndërkaq Moska ka intensifikuar presionet mbi presidentin Vuçiç dhe qeverinë serbe që të qëndrojnë në istikamet e instruktuara nga Kremlini për mosnjohjen e Kosovës dhe te pretendimet për rikthimin e Kosovës në pronësi të metropolit serb. Presidenti Vuçiç, i cili nuk po e kupton ende se kohërat ecin në drejtimin e Perëndimit dhe se pengesat e dredhitë bizantine serbe për të mos njohur Kosovën mund të sjellin edhe fatkeqësinë e tij politike dhe personale, po përpiqet ta shprehë besnikërinë ndaj Moskës duke shtuar qëndrimet dhe deklarimet megalomane serbe për aneksimin e shteteve të pavarura, që kanë dalë nga ish-Jugosllavia.

Në fjalimin e mbajtur në 15 Shkurt në ditën e festës kombëtare, në prani të zëvendëskryeministrit rus Juri Borisov, të cilin sapo e dekoroi, Vuçiç deklaroi: “Sot është ditëlindja e Serbisë së Madhe”. Një deklarim shovinist dhe ekspansionist, i cili afishon publikisht qëllimet dhe strategjinë e politikës hegjemoniste të Serbisë në Ballkanin Perëndimor. Është një deklarim, që vërteton se sa të drejtë ka presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, që ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e diplomacisë ndërkombëtare dhe të opinionit publik rajonal e ndërkombëtar për rrezikun nga projekti i presidentit Vuçiç për “Serbinë e Madhe”.

Është një deklarim i rëndë provokues i presidentit serb, që kërkon reagim të fortë nga BE, e cila po hesht dhe nuk e di përse e bën qimen tra dhe zhurmon për një të ashtuquajtur “Shqipëri të Madhe”, të cilën nuk e ka pretenduar kurrë ndonjë president apo kryeministër shqiptar dhe nuk është në programin e asnjë partie politike parlamentare shqiptare.

Për deklarimin provokativ të presidentit serb duhet të reagojë edhe Tirana, e cila mjaft ka vrapuar symbyllur pas projekteve rajonale serbe, që synojnë krijimin e Jugosllavisë së re apo siç pohon Vuçiçi, duan të krijojnë “Serbinë e Madhe”. Presidenti serb e konfirmoi hapur në 15 Shkurt se ai e planifikon “Serbinë e Madhe” të bashkuar me Kosovën dhe me Malin e Zi, ku sipas tij banojnë popuj serbë. Por ambicia e Serbisë shkon edhe me tej, duke synuar të akaparojë të gjitha shtetet, që dolën nga ish-Jugosllavia, përfshirë edhe Shqipërinë, siç e ka pohuar vetë Vuçiç kur u zgjodh president në 2017 dhe paraqiti projektin e tij neojugosllav me emrin “Mini-Shengen”.

Humbja e qetësisë nga Rusia lidhur me zhvillimet elektorale në Prishtinë duhet të shërbejë si një sinjal reflektimi për qeverinë dhe për diplomacinë e Shqipërisë se viti 2021 po sjell një inkuadrim të ri diplomatik ndërkombëtar dhe të brendshëm në Kosovë, ndaj të cilit duhet të përshtatet dhe të lëvizë edhe Tirana. Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet të rrijë në bisht të situatës së re. Ajo duhet të rakordojë qëndrimet dhe veprimet me Uashingtonin dhe me Prishtinën për të bërë që Kosova të avancojë si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare dhe si aleate e fortë strategjike e Shqipërisë, e SHBA, e NATO dhe BE.

Qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë kanë nevojë për një katarsis në raport me Kosovën. Ato duhet të shkundin dhe të heqin nga vetja të gjitha ndikimet dhe afeksionet për tezat dhe joshjet e dëmshme serbe lidhur me Kosovën. Qeveritarët shqiptarë duhet t’i japin fund menjëherë sjelljes së tyre prej “bad boys” ndaj Prishtinës, sjellje që tre vitet e fundit ka dëmtuar rëndë çështjen kombëtare. Këto kërkesa janë detyrim kushtetues dhe kombëtar i Shqipërisë ndaj Kosovës, por edhe detyrim diplomatik ndërkombëtar ndaj aleatit të parë strategjik të Shqipërisë, të Kosovës dhe të kombit shqiptar, SHBA.

Burimi: DITA