Kolumnist

Mediat si indikator i racizmit në Greqi - Nga Ilir Gjini

Vrasja e 20 vjeçares Caroline Crouch nga burri i saj pilot Charalambos Anagnostopoulos para një muaji në Athinë, nxorri edhe një herë në skenë çështjen e racizmit në media. Për më shumë se një muaj, emigrantët shqiptarë në Greqi u bënë “tabelë qitje” nga mediat kryesore vizive e të shkruara për krimin monstruoz. Ende pa u zbardhur krimi nga organet ligjzbatuese, mediat helene po u binin fuqishëm borive të propagandës për një tjetër krim të padëgjuar nga shqiptarët. Madje një prokurore në një intervistë shkoi edhe më tej: “një grek nuk do ta bënte kurrë një krim të tillë monstruoz” - u shpreh ajo në Antena Tv. Kjo vale dizinformuese po nxit një frymë ksenofobie, raciste ndaj një komuniteti.

Në vitin e mbrapshtë 1997, jetova një periudhë në kryeqytetin grek Athinë, duke e përjetuar frymën raciste që mediat përhapnin. Sapo ndodhte një krim, mediat në unison ia faturonin shqiptarëve, duke ndikuar shoqërinë greke në krijimin e një opinioni denigrues ndaj emigrantëve shqiptarë. Por kulmi i kësaj propagande raciste, ndodhi me një vogëlushe të abuzuar “shqiptare”. Një vajzë e moshës 4 vjeçare u gjet e braktisur në metronë e Athinës nga policia. Vajza ishtë abuzuar në mënyrë monstruoze, madje në gjymtyrët e saj, kishte shënja djegiesh nga cigare të shuara në mish. Vajza nuk fliste dhe u dërgua në një qëndër rehabilitimi. Një mikja ime gazetare e birësoi vogëlushen, madje e pagëzoi me emrin e ri Anna.

Mediat greke në kor përshkruan historinë e vajzës duke thënë se prindërit abuzues ishin shqiptarë. Kjo krijoi një reaksion të madh në popull, duke nxitur një uragan urrejtjeje ndaj emigrantëve shqiptarë. Mirëpo pa kaluar as dy muaj nga abuzimi i vogëlushes nga prindërit “shqiptarë”, policia greke arrestoi prindërit e saj të vërtetë, që ishin një çift emigrantësh polakë, të cilët ishin edhe trafikanë, edhe përdorues droge. Lajmi mori dhenë gjithandej, por askush nuk u kujtua të kërkonte falje për linçimin e padrejtë të një komuniteti. Dëmi qe bërë dhe nuk mund të riparohej qoftë edhe me një “na falni”! Për të nxitur urrejtjen mjafton edhe një publikim në media. Por, për të shëruar plagët e shkaktuara, është mjaft e vështirë.

Në vitin 2006 ndodhesha në një kongres gazetarësh që zhvillohej në Selanik. Duke përfituar nga mundësia që na u dha, vendosa të intervistoj nxënësin e shkëlqyer shqiptar Odisea Cena që iu mohua ngritja e flamurit grek në një shkollë të Selanikut, pasi ishte shqiptar. Sipas një tradite mjaft kuptimplotë, nxënësi me rezultatet më të mira në mësime, kishte nderin të ngrinte flamurin grek para gjithë nxënësve, në oborrin e shkollës. Por prindërit e nxënësve, kur morën lajmin se flamurin do ta ngrinte një nxënës shqiptar, protestuan me forcë duke kërcënuar me masa të tjera ekstreme.

Kjo e detyroi drejtorinë e shkollës, t’ia mohonte këtë të drejtë Odiseas, duke ia lënë një nxënësi grek, që ishtë i dyti. Intervistën me Odisean e bëmë në shtëpinë e tij. Atëherë punoja për Top Channel dhe intervistën e realizuam bashkë me gazetarët Ilir Lluri dhe Odise Kote që punonin në atë kohë për Vizion Plus. Të nesërmen në mëngjes shkuam për të filmuar disa plane te shkolla e Odiseas dhe te qendra e punës së babait të tij emigrant. Mirëpo sapo morën vesh që jemi televizion shqiptar, na përzunë menjëhërë.

Media si pushteti i katërt në një shoqëri demokratike, luan një rol tejet të rëndësishëm për informimin e publikut si dhe në mbrojtjen e tij nga çdo abuzim i pushtetit. Roli i medias (sot media vizive ka ndikimin më të madh), është jo vetëm të informojë, por mbi të gjitha të investigojë problematikat më të mprehta që shqetësojnë shoqërinë, si dhe të promovojë shembujt pozitivë që duhen ndjekur. Publikimi i racës kur kryhet një krim, aq më tepër kur ende nuk kemi autor, është abuzim me tendenca raciste. Në Kanada, është kategorikisht e ndaluar të publikohet etnia apo grupi shoqëror, kur ndodh një krim.

Më 1215, pra rreth 800 vite më parë Anglia i dha njerëzimit dokumentin më të rëndësishëm të të drejtave njerëzore. Magna Carta, u aprovua nga mbreti John, duke i dhënë njerëzimit një manual tepër të rëndësishëm për të drejtat bazike ku përfshihet edhe liria e medias. Por liri do të thotë edhe përgjegjësi. E jotja liri, mbaron aty ku shkelet liria e tjetrit. Liri nuk do të thotë: linçim, abuzim, dizinformim!

©Ilir Gjini