Kolumnist

Të gjitha rrugët të çojnë në Romë - Nga Ilir Gjini

Ilir Gjini - Toronto

Kjo shprehje e vjetër mjaft kuptimplote për kohën e Perandorisë Romake që cilësohej si epiqendra e civilizimit, vazhdon ta ruajë aktualitetin edhe sot, si “kryeqendër” futbollistike e Kontinentit Europian. Përfaqësuesja italiane kurorëzohet “mbretëreshë” e Europës, pikërisht në ishullin mbretëror të Elizabetës së II-të. “Pizza azzurri” me ananas që thumbonte me humor shtypi britanik, mposhti “Tre Luanët” në shtëpinë e tyre, duke e çuar në Romën perandorake të futbollit, “thesarin” që mungonte që nga viti i largët 1968.

Ekipi Italian na befasoi në fushën e blertë përgjatë 31 ditëve të kampionatit, me magjinë e futbollit agresiv, sulmues e dominues. Dukeshin si gladiator në zotërimin e topit. Pas tre fitoreve në grup, ndeshja më e mirë e italianëve në këtë Europian, ishte me Belgjikën. Një ndeshje e fituar në çdo aspekt. Futboll sulmues siç nuk e kishim parë kurrë më parë, zotërim i topit dhe finesë. Një përfaqësuese që në fushë vuri zemrën. Kjo fitore madhështore u kushtoi italianëve në përplasjen me Spanjën, ku u ndjenë shenjat e lodhjes. Ruleta e pamëshirshme e penalltive i dënoi spanjollët dhe magjia e ndeshjes ndaj Belgjikës, u përsërit me madhështi në finalen përballë anglezëve.

Gladiatorët e topit të udhëhequr nga Leonardo Bonucci, pikturuan në fushën e blertë “Mona Lizën” e Leonardo da Vinci-t, me kolorin e “penelave” të futbollit.

Kombëtarja e “Tre Luanëve” u përball me dinjitet. Luftoi, besoi, dha shpirtin në fushë, por fitorja në fund i buzëqeshi kombit të “Leonardove”. Kjo Itali magjike ngjason me Italinë e madhërishme të Paolo Rosit, që ngriti në qiell Kupën e Botës në 1982, por me një mentalitet më sulmues. Bonnuci si Cabrini, Veratti si Bruno Conti dhe Donnarumma si Dino Zoff. E në fund Roberto Mancini si Enco Bearzot.

Roberto Mancini

Shtypi spanjoll në Kambionatin Botëror 1982 të zhvilluar në Spanjë shkruante : «Pas çdo duhme tymi të llullës së Bearzot, fshihet një plan djallëzor». Bearzot nuk e ndante çibukun nga goja edhe gjatë ndeshjeve. Ishte ai arkitekti që shtriu në tapet Brazilin e madh të Falkaos, Sokratesit dhe Ederit. Britmat e trainierit brazilian Tele Santana për të motivuar brazilianët pas golit të tretë të Paolo Rosit, më ushtuan në veshë kur Donnarumma priti penalltinë e fundit. Ruleta e penalltive është e pamëshirshme për lojtajrët që e humbasin. Ajo u peshon së tepërmi gjatë gjithë jetës. Roberto Baggio, lojtari më i mirë i Botërorit të 1994-s, humbi Kupën e Botës për shkak të penalltisë që nuk shënoi në finalen me Brazilin.

Në përplasjet mes klubeve për Kupën e Kampioneve, Liverpuli mposhti Romën brenda në Olimpico, pikërisht me ruletën e penalltive. Agostino Di Bartolomei i Romës qe lojtari më brilant në egzekutimin e 11 metërshave. Ai nuk merrte vrull. Vetëm një hap larg topit dhe gjuajtja e tij predhë, përfundonte e pakapshme në cep të portës. Por kësaj radhe historia u shkruajt ndryshe.

Roberto Mancini arkitekti i kësaj Italie të bukur të harmonizuar në forcën e grupit, ka meritën kryesore të këtij triumfi po aq të merituar që mund të vazhdojë në Kampionatin Botëror të 2022, në Katar. Kjo Itali “mbretëreshë” e Europës, ndoshta do të kurorëzohet edhe një herë në fronin e “mbretëreshës” së Botës në Katar.

Jo më kot të gjitha rrugët të çojnë në Romë!

©Ilir Gjini