Kolumnist

Një bord më shumë s’e shpëton Arsimin Shqiptar - Nga Vangjush Saro

Jo më larg se dje, pashë diku këtë fjali: “Zgjidhet Bordi i Akreditimit i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë.” Duke e lëçitur lajmin e plotë me kureshtje, mësova se “ngjarja” në fjalë, është bërë me dije nga vetë Kryeministri, z. Edi Rama, që ashtu si paraardhësit e tij, ashtu si gjithë kolegët e tij në këto dy (tash tre) mandate, kanë bërë pareshtur vetëm lajmërime dhe show…

Megjithatë, duke u përpjekur shumë për të mos e paragjykuar fjalinë dhe titullin e mësipërm, atë të lumë bord gjithashtu - sado që shumë i gjatë emërtimi dhe disi i sajuar “institucioni” - po shpreh disa mendime rreth aventurave shqiptare në fushën e Arsimit, duke u fokusuar në atë që njoh më mirë: në abc-në e tij dhe në mësimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe.

E di që nuk është vendi për eksklamacione, por (O Zot!) sa të tilla komisione, borde, anekse, institucione të sajuara, janë lajmëruar në këto tri dekada! Dhe deri më tash, rezultatet nuk janë aq inkurajuese. Në këtë sens, edhe “Bordi i Akreditimit i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë” më duket një sajesë. Vetiu lindin disa pyetje. Nuk ka pasur deri tani një institucion që të merrej me… arsimin e lartë? Si ka bërë ai vend gjer më tash pa një “bord të tillë”? Nëse ai (bordi) duhej, përse paskemi pritur jo pak, por tri dekada?

Nuk dua t’i mëshoj pesimizmit, por mendoj se as Arsimin Shqiptar, as vetë Shqipërinë, nuk e shpëton dot një bord më shumë. Problemi ynë është më i madh se sa “Bordi i Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë”. (Duhet pak durim për ta emërtuar.) Problemi ynë vërtet ka lidhje me arsimin e lartë, por mendoj se nuk jemi në rrugën e duhur duke shtuar institucione, duke shkatërruar financat e shtetit; (sepse kjo ndodh në të gjitha fushat dhe sektorët).

Mendoj se shpresat duhen varur më së pari te emancipimi i përgjithshëm i shoqërisë shqiptare, te puna e përditshme e të gjithëve, te kthimi në thjeshtësinë e jetës dhe të arsimimit e, para së gjithash, te besueshmëria e procesit, nga kopështi, në shkollën fillore, në atë tetëvjeçare e deri te shkolla e lartë.

Janë dhjetra arsyet pse na bie koka në një temë të tillë. Po përmend vetëm një: përfytyroni një shkollë me një oborr që është dhjetë a pesëmbëdhjetë metra katrorë, ku parkohen makinat e personelit, ndërkohë që në të gjitha anët e mundshme ngrihen pallate, kulla dhe… shikohet edhe pak qiell. Çfarë mund të presësh nga një shkollë e tillë, me kaq pak tokë, pasuri e hapësirë?!

Arsyet e tjera janë edhe më kundërshtuese. Por ani, është vërtet një vodevil e mbi të gjitha arsyet e tjera, kjo puna e shumimit të institucioneve; “për hir të arsimit”. Pasi për vite me radhë, ua kemi bërë çorbë mendjen dhe programet, tani fillojmë e ankohemi që… nuk punohet mirë, që na mungon diçka, që faji është atje e më tej; prandaj të bëjmë një bord tjetër, të shtojmë pak zhurmën, që më vonë të na bien veshët në qetësi.

Nuk ka se si të përparojë e të stabilizohet - së paku në fushat kryesore - një vend ku orë e çast ngrihen borde, ndërrohen kurrikula, sajohen grupe gjithfarë për të gjetur… gjilpërën në kashtë. Kjo histeri institucionesh-kërpudhë të administratës shqiptare, kjo mani për të sjellë vazhdimisht anekse, zyra, metoda, terma, shpikje, etj., është e hershme (që në kohërat e Socializmit); por sot është bërë barrë për shoqërinë shqiptare; për nga bullizmi që praktikohet dhe për nga fondet që shpërdorohen.

Përpara disa viteve, gjithçka përcillej me pretekstin e ndryshimit dhe të krijimit të “kurrikulës”; (term më qesharak nuk bëhet). Dhe u ngritën disa institucione-shtesë që përgatisnin tezat, provimet, që merreshin me tekstet, por që dështuan dhe kjo nuk ka nevojë për shumë komente; mjaft të shohim nivelin e mediave dhe disa pista të tjera ku tregohet në mënyrën më të mjerueshme prapambetja: në të folur, në të shkruar dhe… në të menduar. E tash, vazhdon loja: termat, institucionet, bordet, kulisat, shtohen pareshtur, përzihen ato e bëhet një përshesh me gjithfarë fjalësh, përvojash, sugjerimesh… nga e tërë bota; vetëm asish nga Shqipëri nuk ka. Mjerim!

Shpesh bullizmi vjen nga lart; ata që drejtojnë, kujdesen shumë për fasadën. (Ju kujtohet lyerja e fasadave të Tiranës, e cila sot është betonizuar dhe vazhdon të betonizohet orë e çast?) Por me raste, propozimet dhe rrëmeti vijnë edhe nga “poshtë”: një pjesë e specialistëve, grafomanëve dhe profanëve të arsimit bëjnë vazhdimisht presion për fonde e “ndryshime”; janë pikërisht ata që hartojnë politikat e “mëdha”, që inspirojnë e mbushin mediet me gjithfarë broçkullash, që hartojnë tekstet e shkollës në një mjerim gjuhësor e logjik ekstrem, që lëvrijnë tenderat e botimet sipas njëmijë e një prapësive e interesave, që japin çmimet dhe përcaktojnë kush do të fitojë në aksh konkurs a projekt, etj.

Në tekstet shkollore dhe në Arsim përgjithësisht - u bënë tre dekada me këtë histori të turpshme - është hile mungesa e pavarësisë së shkollës; është fakt pandjeshmëria ndaj kërkesës për një të mësuar real e frytdhënës; është lemeri nëpërkëmbja e gjuhës shqipe dhe letërsisë së mirë. Këto janë të vërteta që të trishtojnë. Për vite me radhë, vihen në dukje gafat dhe marrëzitë në tekste shkollore dhe, po ashtu, mangësitë në sjelljen me mësuesit e pedagogët, (ndërkohë që edhe këta duhet të rishohin pozitën dhe përgjegjësitë e tyre).

Por askush nuk përgjigjet për këto gjëra të thjeshta; veç është gjithnjë në rendin e ditës këmbëngulja për të shtuar diçka në hallkat e rënda të programeve dhe ngarkesës mësimore, gjithaq për të sajuar borde; një sjellje harbutërie e padurueshme.

Fusha mbetet mjaft e favorshme për fitime, për demagogji dhe halabakëri të tjera të llojit të Tranzicionit; kështu që kemi ende shumë për të folur e për të shkruar. Siç kam shkruar (me dëshpërim) edhe më parë, “lufta” me emfazën dhe me profanët do të vazhdojë gjatë.

E përsëris… një bord më shumë nuk e shpëton as Arsimin, as Shqipërinë. Duhet të rikthehet më së pari institucioni i besimit dhe i qytetarisë. Mbase një brez tjetër do ta bëjë këtë, duke e nxjerrë vendin prej pavionit të infektuar nga politikëqeverisja e pahir e Tranzicionit, proces qesharak që shtyhet e shtyhet në përshtatje me situatat dhe interesat e pushteteve, ku ushqehen pareshtur drejtues e ndjekës të verbër nga çdo parti e klan.

©Vangjush Saro