Kolumnist

Dështimi jonë si shoqëri dhe si shtet në Olimpiadën e Tokios - Nga Arben Kallamata

Me gjithë zemër i përshëndes dhe i duartrokas atletët që përfaqësuan Shqipërinë në Lojrat Olimpike të Tokios. Kurrsesi nuk e konsideroj si dështim të tyre si ekip apo të secilit individualisht faktin që ata nuk morën asnjë medalje. Ata janë atletët më të mirë që kemi. Dështimi është i joni, si shoqëri dhe si shtet.

Unë jetoj në Kanada dhe krahasimin di ta bëj vetëm me Kanadanë. Në vitin 1976 Montreali organizoi lojrat olimpike. Në fund të tyre, kanadezët mbetën pak a shumë me të njëjtën ndjenjë që kanë shqiptarët pas çdo olimpiade: megjithëse vend organizator nuk arritën të merrnin asnjë medalje të vetme ari. Por në vend që të shaheshin e të përfoleshin, ata përveshën mëngët.

Së pari, njerëzit e thjeshtë ditën t’i shihnin lojrat olimpike si një frymëzim. Pas Olimpiadës së vitit 1976 u shtua në mënyrë të ndjeshme numri i të rinjve që iu përkushtuan sporteve seriozisht, me synimin për t’u ngjitur në podiumet e fituesve. Në të katër anët e vendit filloi të rritet numri i palestrave, pistave, fushave dhe mjediseve sportive. Shumë biznese të mëdha e panë interesimin e njerëzve dhe filluan të sponsorizojnë veprimtaritë sportive, të japin donacione dhe ndihmë të drejtpërdrejtë për atletët.

Një tjetër ndryshim renjësor ndodhi në vetë Shoqatën Olimpike të Kanadasë. Pas olimpiadës anëtarët e saj patën kurajon ta pranojnë përgjegjësinë dhe të përkrahin domosdoshmërinë e ristrukturimit të organizatës së tyre. Ata filluan të zhvillojnë programe konkrete për të përmirësuar nivelin e paraqitjes së atletëve kanadezë.

Rezultatet nuk vonuan. Tetë vjet më vonë, në Los Angeles kanadaja mori 10 medalje ari, 18 bronzi dhe 16 argjendi, duke u renditur e gjashta në botë. Sot Kanadaja e mbylli Olimpiadën e Tokjos me 7 medalje ari, 6 argjendi dhe 11 bronzi (vendi 11 në renditjen botërore).

Përpara se të fajësojmë atletët tanë ne duhet t’i bëjmë disa pyetje vetes: Sa dhe si investon shteti shqiptar, ose pushtetet lokale për sportet? Sa para sponsorizojnë bizneset shqiptare? Ku ndërtohen mjediset për zhvillimin e sporteve? Sa fusha prishen për t’u zëvendësuar me ndërtesa të larta?

Pastaj duhet t’i hedhim sytë edhe Komitetit Olimpik Shqiptar. Kush e drejton? Sa kohë ka që e drejton? Çfarë kanë bërë dhe sa të vetëdijshëm janë për dështimin e tyre? A kanë ndonjë plan konkret për ta ndryshuar gjendjen?

Dhe së fundi, ç’punë kishte Kryetari i Bashkisë së Kryeqytetit të shkonte në Tokio? Me fondet e kujt shkoi dhe në çfarë kapaciteti është bërë pjestar i delegacionit?

©Arben Kallamata