I palumtur bëhesh kur...Nga Jeta Dedja
- Nga: JETA DEDJA
I palumtur bëhet ai që lejon të zhytet në gjendje palumturie për shkak të njerëzve që mban pranë. Ose për shkak se ndihet pré e një historie me fund të përcaktuar. I duhet të shtiret ditënetëve. Sa e tmerrshme duhet të jetë të gdhihesh e të ngrysesh me dikë që prej kohësh të duket i huaj! Të tërheq në pusin e pesimizmit, qoftë edhe vetëm përmes fytyrës së ngrysur pa shenja buzëqeshjeje. Kush mundet shpëton përmes largimit, ose nëse ka nerva të mjaftueshme e motivim arrin të përmbysë raportet e dominimit dhe gjen lumturinë, ndërsa kush nuk gjen forcë pajtohet dhe fle me dëshpërimin.
I palumtur bëhet edhe ai që i dorëzohet pushtetit të atyre që çdo natë e përndjekin përmes ekraneve. Atyre që arrijnë t’i hedhin skutave të errëta të pashpresshmërisë, përmes analizave të rëndomta të temave të stërtjerra e të shtjelluara ligësisht. Të njëjtat portrete emocionvarfëra janë bjerrëse të kënaqësisë.
I palumtur bëhet edhe ai që nuk lufton për të dalë në dritë, por zgjedh të qëndrojë e të qelbet si uji i ndenjur, duke pritur zgjidhjen nga lart, ose të viktimizohet e të tërheqë mëshirën a lëmoshën pranë.
I palumtur bëhet ai që qimen e bën tra. Që dramatizon e zmadhon ngjarjet e vogla të duken të mëdha.
I palumtur bëhet edhe ai që gjyqet ndaj vetes i bën zakon pas çdo skuqjeje fytyre apo gabimi trashanik. Ai që thotë “Hapu dhé të futem” kur gjërat i dalin jashtë kontrollit, e më pas vuan e nuk gjen më rehati.
I palumtur bëhet edhe ai që harrohet zakoneve të këqija, deri në agim apo në mugëtirë, mejhaneve të lagjeve apo edhe atyre përtej kufijve.
I palumtur bëhet ai që përçmon e përbuz gjithçka, që nuk arrin dot të shohë të bukurën, ose kur e sheh i erret shikimi, zemra e gjykimi. Fillimisht ai mund të ndihet superior sepse dikë apo diçka e ka bërë të ndihet apo duket më i vogël, më i dobët. Por kështu i ka vënë minat një marrëdhënieje ose ka hedhur në erë diçka të mirë. Le ta pranojmë se ndonjëherë mund të ketë të drejtë, por jo në çdo rast e drejta është me të. Nëse këmbëngul në budallallëk kjo do ta shkatërrojë. Të tjerët do të duan ta shmangin nga rruga e jetës së tyre. Kjo nuk do të thotë që kritizerët të zhduken nga qarkullimi. Përkundrazi, konstruktivët, racionalët ndër ta u shtofshin!
I palumtur bëhet edhe ai, të cilit i ka ngecur ora në një epokë të artë të jetës ku sipas tij gjithçka ka qenë perfekte. Ai ndihet i huaj me të tashmen që jeton, e cila nuk ka lidhje fare me të kaluarën e jashtëzakonshme ku ndoshta ka qenë protagonist. Dhe duke kujtuar këtë të shkuar të lavdishme, ai shkëputet dhe bëhet refuzues për gjithçka të tashme duke mos parë asnjë mundësi për lumturinë.
I palumtur bëhet ai që vendos veten të parën. Ai që rend me galop të përmbushë nevojat, kërkesat, lakmitë, ëndrrat. Dhe harron të tjerët, ose kujtohet për ta vetëm kur i duhen për krahasim. Kështu rrezikon të mbetet pa dashuri, pasi të dashurosh, do të thotë të mos rezervosh për veten vendin e parë në listë.
I palumtur do t’bëhet edhe ai që e rendit në fund fare veten, ose nuk e llogarit fare. Të tjerët do ta shkelin me këmbë duke e bërë të ndihet i pavlerë. E sigurt që nuk do ta dojë njeri nëse vlerën e vetes nuk e nxjerr në pah dhe zërin nuk e ngre ndonjëherë.
I palumtur do të bëhet ai edhe nëse rendit në listë gjërat para njerëzve. Vërtet që shumë shpejt do ndihet plot me sende, por i vetmuar për dreq. Do ta marrë malli për pakëz shoqëri të vërtetë.
I palumturi zgjedh të bëhet i tillë, dhe i palumtur do bëhet nëse zgjedh gjithmonë të njëjtën udhë, kur ajo ka dhe degëzime të tjera.
Prandaj provo të zgjedhësh diçka tjetër, tjetër, dështo dhe provo sërish por mos prano asnjë çast zgjedhjen që të jep palumturinë.
Prill 2018











