Kolumnist

Edhe mizerabiliteti ka njëfarë morali - Nga Artan Gjyzel Hasani

Ndershmëri dhe moral në politikë nuk ka. Kjo është një aksiomë e vjetër e gjithëpranuar. Megjithatë, politika e ka një standard moral, sado e çuditshme të tingëllojë kjo gjë, dhe ky standard buron nga rregullat e pranuara dhe të sanksionuara në ligje e marrëveshje të lojës politike.

Nëse Politika e shteteve të fuqishme është Kurvë, sepse bën me “trupin” e saj çfarë do ajo dhe jo çfare duan të tjerët, Politika e shteteve të dobët dhe rrëmbythje si Shqipëria është Prostitutë, sepse e shet “trupin” e vet sa herë t'i kërkohet, e jo sa herë dëshiron për qejf të vet, te ai që paguan më mirë.

Politika e shteteve rrëmbythje nuk ngrihet dot kurrë në nivelin e Kurvës, (kemi rënë dakord që në Politikën Standarde nuk ekziston kategoria Zonjë) por mbetet Prostitutë përjetësisht. Edhe pas vdekjes, do të thoja unë në një kontekst të realizmit magjik të çështjes.

Për të ilustruar këtë mjafton t'i referohemi çështjes së përjashtimit të Berishës nga Grupi Parlamentar i PD, nga vetë ish-beniamini i tij Basha.

Politika Kurvë do të reagonte kështu: "Berisha do të vazhdojë të jetë pjesë e Grupit Parlamentar te PD, përsa kohë që nuk i është vërtetuar asnjë nga akuzat." Rregullat e lojës politike do të kishin funksionuar dhe vendimi do të kishte një moral. Por Politika Prostitutë e mishëruar në këtë rast te Basha reagoi: "Berisha do të përjashtohet nga grupi ynë parlamentar derisa të vërtetohet nëse akuzat që i janë bërë qëndrojnë ose jo."

Një deklaratë mbi të gjitha absurde dhe idioteske. Rregullat e lojës u shkelën dhe vendimi i përjashtimit nuk ka asnjë moral, pra është amoral par exellence. Pak rëndësi ka kush është i perjashtuari. Rëndësi ka precedenti i legalizimit të amoralitetit. Sot ishte Berisha, nesër mund të jetë Rama, Basha, Meta dhe vargani i gjatë i politikanëve shqiptarë.

Më vjen ndërmend tani një histori nga viti shqiptar 1997, në pikun e ngjarjeve të rënda vrastare.

Ishte errësirë dhe po udhëtoja nga Tirana drejt Vlorës me autobuz dhe diku para urës së Mifolit, ku bëhej kontrolli nga policët apo nga banditët e armatosur, nuk jam shumë i sigurt, hipi dikush dhe erdhi e u struk anash meje në sediljen e fundit. Në pikën e kontrollit, kur kontrolluesit po i afroheshin fundit të autobuzit, djaloshi me një levizje të kujdesshme futi një pako të vogël te çanta e një gruaje të moshuar që rrinte në sediljen para nesh. E pa që e pashë dhe më shkeli syrin.

Kur kontrolli mbaroi, djaloshi futi dorën në çantën e plakës dhe mori pakon e vet. Ishte pako me para.  Në muhabet e sipër më rrëfeu që kishte ardhur me skaf nga Italia, kishte zbritur në Seman, pastaj kishte ecur në këmbë deri te rruga nacionale dhe të nesërmen do nisej nga rrugë të tërthorta për në një fshat të Korçës, ku do t'i jepte pakon (me para) babait të një vajze që punonte si prostitutë në Milano për djaloshin tutor. Ishin fitimet, paratë, rroga e saj dhe po ai vetë po ia çonte familjes së vajzës në Shqipëri, duke rrezikuar edhe kokën e vet.

Kur e pa që une kisha mbetur i çuditur nga kjo sakrificë e pazakontë dhe kundër steriotipit të një tutori, në ate kohë lufte kur plumbi mund të merrte nga çdo anë, më shikoi i buzëqeshur dhe tha: "Edhe kjo puna jonë e pistë, sidoqoftë e ka një moral!"

©Artan Gjyzel Hasani