Kolumnist

Përfundimisht Nobel nuk e meriton të asociohet me emrin Kadare - Nga Taulant Dedja

Taulant Dedja - Chambly, Québec

Nuk pres aspak të jenë të gjithë dakord me mua për këtë opinion, mbase dhe emocional. I rikthehem asaj që kam thënë, shkruaj për ata që më kuptojnë, ndërsa të tjerët janë të lirë të më keqkuptojnë.

Është bërë ritual, sa herë ndahet çmimi Nobel në letërsi (që nuk është aspak kriteri se cili bën letërsi të vërtetë) të rihapet diskutimi mbi personalitetin dhe veprën e shkrimtarit më të njohur shqiptar dhe më të përkthyer në botë Ismail Kadare. A thua se ky është problemi më i rëndësishëm për ne si popull. Ndofta ndër popujt e vegjël, për fat të keq jemi dhe më të vegjëlit në shpirt. Kujtoni atë anekdotën që tregonim dikur kur Zoti deshi t’u bëjë nga një nder dy shqiptarëve. Pasi i premtoi të parit që do t’i falte një shtëpi, i dyti i tha Zotit, dëshira ime është që mos t’ia falësh shtëpinë atij tjetrit. Sinqerisht nuk e di nëse një vend i ngjashëm me ne e ka një anekdotë të ngjashme…

Në historinë e njerëzimit ka me dhjetëra e dhjetëra raste shkrimtarësh, artistësh, filozofësh apo mendimtarësh, që u kanë shërbyer regjimeve. Kjo nuk ua ul aspak vlerën veprave që kanë lenë, sepse veprat dhe krijimtaria nuk vlerësohen me kritere politike. Pra Ismail Kadare nuk ka qenë as i pari, as i fundit shkrimtar regjimi. Por edhe pse i tillë, e theksoj, ai arriti të jepte mesazhe anti-regjim përmes letërsisë së tij edhe në kohën kur në të gjithë ishim pionierë të Enverit apo anëtarë të BRPSH.

Personalisht mund të kem rezerva për Ismail Kadare individ, sidomos për heshtjen e tij në lidhje me situatën politike në Shqiperi, apo për afërsinë e tij me pushtetin aktual, që ndofta e ka “blerë’” heshtjen e tij, qoftë edhe me një emërim diplomatik, por nuk kam pasur kurrë më të voglin dyshim për vlerat e tij të pakrahasueshmë si shkrimtari më i madh i letrave shqipe.

Jam rritur mbi libra dhe kudo që shkoj, ndër objektet e para që vizitoj janë libraritë. Nuk ka asnjë librari në ato dhjetëra vende ku kam shkelur, ku të mos kem gjetur librat e Ismail Kadaresë. Si njohës i botës frankofone dhe njeri që jeton në një provincë kanadeze frankofone, mund të konfirmoj që në të gjitha rastet kur me njerëz të letrave kam përmendur origjinën time, shumë të paktë ishin ata që nuk kishin lexuar qoftë edhe një libër prej tij. Kujtoj gjithashtu që Ismail Kadare i ka marrë të gjitha vlerësimet që mund të marrë një shkrimtar në arenën botërore (përjashto Nobel), pas vitit 1990, kur regjimi pjesë e të cilit edhe ai ishte, si shumë të tjerë që vjellin sot kundër tij, u përmbys perfundimisht.

Ka shumë llomotitës e zhgaravitës që sot pretendojnë se bëjnë letërsi e hidhen përpjetë nga gëzimi për faktin që Nobel nuk e mori Ismaili, por Abdyli nga Tanzania (nuk kam asgjë me Tanzaninë, përkundrazi). Unë u them atyre bujrum, punoni, shkruani, e po mundët përkthehuni në 45 gjuhë të botës, e po patët mendere, merrini dhe ju ato vlerësime që ka marrë Kadare.

Sipas meje, që nga dita që Nobel në letërsi i është akorduar tipave si Peter Handke, që i kanë dalë në mbrojtje një regjimi që ka ushtruar gjenocid ndaj shqiptarëve, Nobel nuk e meriton më të asociohet me emrin e një shkrimtari shqiptar, aq më tëpër me emrin e Kadare, që ka shkruar aq shumë për Kosovën. Madje do ta ftoja publikisht Ismail Kadare të kërkojë zyrtarisht heqjen e emrit të tij nga listat e Nobel-it një herë e përgjithmonë.

Përfundimisht, Ismail Kadare është shkrimtari më i madh shqiptar i të gjitha kohërave me rrezatim mbarëbotëror, deri sa të dalë ndonjë i dytë. Të tjerat janë llogje pazari, ose më mirë llogje Facebook-u!

©Taulant Dedja