Kolumnist

Ambasadorë mejhanesh – Nga Jeta Dedja

Nga: Jeta Dedja

Pyeta një shoqen time amerikane se si quhej ambasadori i SHBA në Kanada. S’ia kam idenë-tha ajo. Pyeta një kolege kanadeze se mos e dinte ajo kush ishte. Kanadezja mu përgjigj se nuk donte t’ia dinte fare. Kurse ne shqiptarët-u thashë-dimë pothuaj gjithçka për ambasadoren e USA në Shqipëri. Ajo është si një tip blogereje që kërkon audiencë, po jo duke reklamuar veshje a parfume, por duke promovuar moronizmin. Nuk ka lënë imbecil politik a shejtan publik pa u eglendisur mejhaneve e mejdaneve.

Ne shqiptarët sa herë që vjen koha të ndërrohen ambasadorët bëhemi pjesë e një vale shprese dhe idealizmash, shfaqim euforizmin e një bipolari që shpenzon gjithë energjitë në një kauzë. Kujtojmë se i dërguari apo e dërguara do bëjë hatanë me politikanët e korruptuar. Por shumë shpejt kalojmë në gjendjen tjetër emotive dhe sjellore duke rënë pre e zhgënjimit dhe mërzitjes.

Ambasadorët janë të gjithë njëlloj, hyjnë e dalin nga i njëjti thes që është interesi personal e politik. Kanë luajtur kulisash nëpër departamente për të kapur një post, kur e arrijnë shfrytëzojnë me ç’të munden pozitën e tyre të përfitojnë e të bëjnë dallavere me njerëz që u shkojnë pas si gjallesa inferiore apo si langonj vigjilentë. Thuhet se për Shqipërinë luhet fort në Departamentin e Shtetit, jo se po vdesin ta rregullojnë e t’u japin drejtim pisllëqeve të qeverisjeve mafioze, por se ka dalë nami se Shqipëria i pret ambasadorët si Messiah e i përcjell si Baronë.

Ç’është në fund të fundit një ambasador? Në gjuhën e thjeshtëzuar-një zyrtar i rëndomtë që duhet të merret me shkresa dhe ca "spiunllëqe" me fokus interesat e vendit që ai përfaqëson. Por këta ambasadorët e sotëm duket se janë larg diplomacisë, qëkur atë e kanë zëvendësuar me cicërima apo statuse rrjetesh sociale. Gjithë ecuria e tyre profesionale përmblidhet në shumën e postimeve. Madje kur bëjnë përmbledhjen mujore a vjetore, u referohen aktiviteteve të Facebook. Aty kanë arkivin e fotove të panumërta.

Se ambasadorët e paaftë kujtojnë se janë artistë të titulluar ambasadorë kulture dhe s’lënë event të fotografohen me soj e sorollop e mejhane pa u shtruar, për të thënë se janë në krye të detyrës, po shkrihen në terrenin, po bëhen njësh të fitojnë besimin e komunitetit.  

S’ka gajle se i lahet e shpëlahet emri nëpër media apo se shkel sovranitetin e vendit ku po kryen detyrën, apo që nuk arrin minimalisht një marrëveshje mes vendeve të firmoset, një konflikt a situatë ndërvendesh të zgjidhet. Në fund të fundit, valixhja për fluturim sërish njëlloj do mbushet.

 

Shënim: Fjalët e huaja, kryesisht turqizmat janë përdorur qëllimisht për efekt stilistik dhe jo si mungesë e fjalëve respektive shqipe.

©JetaDedja, Flasshqip.ca