Kolumnist

Ja pse e urrejnë Xhafer Devën pasardhësit e Dushanit, Miladinit dhe Enverit - Nga Hajro Çini

Politika nuk mund të kuptohet pa ditur historinë. Më 1913, kur Shqipëria “londineze” u konfirmua si autonome, Kryeministri i Serbisë, Nikolla Pashiç, ndërtoi një aksiomë famëkeqe:

“Që të kemi dorë të lirë në Kosovë, ne duhet të ndërtojmë një Shqipëri të vogël, të varfër dhe të izoluar.”

Beogradi i ka qëndruar me skizofreni këtij postulati. Gjithnjë ka mbështetur në Shqipëri politikanë që kanë qënë të gatshëm ta zbatojnë me zell këtë përcaktim të Beogradit.

Referuar debatit të ditës që nisi për shkak të restaurimit të ish-shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, debat i nxitur po nga Beogradi dhe i mbështetur nga shërbëtorët e tij në Tiranë e Prishtinë, pyetja që shtrohet është qartësisht kjo: Çfarë përfaqësonte Xhaferr Deva dhe pse e urrejnë aq shumë pjellat e Dushan Mugoshës, Miladin Popoviçit dhe komunistët shqipfolës?

Më poshtë po i përgjigjem kësaj pyetjeje.

Enver Hoxha dhe grupi i tij kriminal dhe anti-kombëtar ishte edhe më agresiv edhe më në esktrem se kushdo tjetër.  Në një letër drejtuar Titos më 17 mars 1948, ai i kërkon udhëzime druzhe Titos për shndërrimin e Shqipërisë në republikë të 7-të të Jugosllavisë: “Ne kemi nevojë të na thuhet nga ju nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit me Jugosllavinë ...” (AQSH, Fondi 14/AP, Dosja 4, 1948).

Mirëpo kombit shqiptar kurrë nuk i kanë munguar burra (dhe gra) patriotë që për të kanë bërë çfarë kanë pasur mundësi dhe shpesh edhe përtej mundësive. Të tillë patriotë janë denigruar, janë përfolur, kundër tyre është shpifur dhe anatemuar që nga 1941. Një nga ata mbetet edhe Xhafer Deva, një nga patriotët më të shquar, më inteligjentë, më stoikë që kombi ynë ka nxjerrë.

Komunistët kanë tentuar gjatë gjithë kohës ta akuzojnë si nazist, si vrasës të shqiptarëve, por nuk e kanë lidhur atë direkt me asnjë nga këto akuza, veç ngjarjes së 4 shkurtit 1944.

Por si është e vërteta e 4 shkurtit? Dhe a janë vrarë realisht 84 vetë apo është edhe ky numër i rritur eksponencialisht si ai i 28,000 dëshmorëve fiktivë?

Ishte koha që Xhaferr Deva kishte organizuar Operacionin e Dimrit dhe i kishte shpartalluar totalisht bandat e Miladinit, Dushanit, Enver Hoxhës etj. Miladini i kërkoi PKSH që të reagonte me disa sulme terroriste për t’i treguar qeverisë se ata janë akoma aktivë. Dhe PKSH si një organizatë terroriste anti-kombëtare u hodh shpejt në veprim.

Ja çfarë shkruhet në një letër me autor Nako Spiru, që gjendet edhe në Arkivin Qëndror të Shtetit (AQSH):

“Të dashur Trashi (Koçi Xoxe), Ali (Miladin Popoviçi), Muzhik (Liri Gega),

Situata këtu është kritike. Ka shpërthyer një fushatë e madhe dhe e organizuar, kundra nesh nga të katër anët. Kjo fushatë shkon paralel me terrorin dhe për këtë arsye pak nga pak fiton kohë. Tirana mbulohet përditë me gazeta dhe trakte kundra nesh. Pikat kryesore janë:

  1. Miladini dhe Dushani;
  2. Vëllavrasja (e shkaktuar nga ne);
  3. Lufta ideologjike kundër interesave të atdheut (nga ana jonë);
  4. Apel rinisë për t’u shkëputur nga ne dhe për t’u futur në rrugën e drejtë (të tyre);

Më 3 shkurt, spiunët e Bektash Cakranit, ndoqën në rrugë dy të rinj, njëri prej tyre Todi Shkurti, kish qënë partizan dhe ish i armatosur, (tjetri ish Vangjel Capo). Bënë pushkë me ta dhe i vranë në Tiranën e Re.

Të fala Deti (Nako Spiru)”

Çfarë shqetsimi shpreh Nako Spiru për 4 shkurtin dhe si është e vërteta?

Disa terroristë nga Fieri, vrasin, në afërsi të hotel “Dajti”, dy djemtë e Kadri Cakranit, nipa të Bektash Cakranit dhe Hajredin Cakranit - ky i fundit firmëtar i Mëvetësisë. Rojet e Kadriut reaguan dhe i vrasin dy nga këta terroristë, (sot, për turpin tonë, ka rrugë në Tiranë me emrat e tyre) ndërkohë xhandërmëria ndërhyn dhe vret dy të tjerë në përpjekje me ta, se nuk pranuan të dorëzoheshin.

Katër terroristët që u vranë për ngjarjen e 3 shkurtit janë: Todi Shkurti, Vangjel Capo, Hasan Çeliku, Mihal Koço.

Po atë ditë terroristët shqipfolës vranë edhe nipin 12 vjeçar të ish-ministrit të Brendshëm Xhafer Devës, pra u vranë 3 njerëz të pafajshëm.

Ndërkohë kishte dezertuar nga Brigada e parë Xhelal Staravecka, sepse i ishin prishur pazaret me Dushan Mugoshën dhe Mehmet Shehun. Ai u vetëofrua si zgjidhje kundër terrorit serbo-komunist.

Sapo mori detyrën, shkon në Burgun e Tiranës, merr atje 4 komunistë dhe i pushkaton pa gjyq. Regjenca reagoi fuqishëm dhe Xhelalin e pushuan nga puna menjëherë. Pra më 2-4 shkurt u vranë 12 vetë, tre prej të cilëve viktima të pafajshme.

Mirëpo propaganda e tmerrshme serbo-komuniste e ka paraqitur Devën si të tmerrshëm. E kanë zakon, ashtu paraqitën edhe Prof. Bashkim Gazideden, edhe pse ai ishte një nga njerëzit më të ndershëm që kanë jetuar në Shqipëri dhe një nga zyrtarët më etikë që ai komb ka nxjerrë.

Është interesante përgjigja që vetë Xhafer Deva u ka dhënë më 25 prill 1944 akuzave të gjeneralit anglez Hill:

“Shqiptari Xhafer Deva që ka nderin t'ju përgjigjet, mund t’ju theksojë se nuk është në shërbim të gjermaneve, nuk asht kenë kurrë, dhe nuk do të jetë kurrë, por gjithashtu, nuk asht në shërbim të anglezëve, amerikanëve, rusëve. Xhafer Deva ka nderin të jetë në shërbim të popullit shqiptar dhe sigurisht ky shërbim asht ndera ma e madhe që mund të ketë.”

Mbas lufte Xhafer Devën e ndaluan në Austri anglezët dhe donin ta kthenin në Shqipëri, siç deshën të bëjnë me Mit’hat Frashërin dhe të gjithë patriotët shqiptarë, apo siç bënë me 2,000,000 rusë anti-komunistë më 1945, duke ua dhënë në dorë Stalinit që ai t’i pushkatonte pa gjyq (lexoni “The Last Secret” të Lordit Nicholas Bethel).

Por oficeri anglez nuk dinte si t’i përgjigjej logjikës së hekurt të Xhafer Devës:

“Kush je ti që më ndalon mua në Austri?! Ç’të drejte ndërkombëtare ke ti në këtë vend?! Ç’të drejta ke ti mbi mua, një ish-ministër i një qeverie shqiptare Neutrale, të Pavarur dhe Sovrane?!”

Oficeri britanik nuk e dinte, gjithashtu, se Xhafer Deva kishte shpëtuar disa mijëra hebrenj në Shqipëri.

"Nga fundi i pranverës së vitit 1944 nazistët kërkuan zyrtarisht jo vetëm listat, por dhe grumbullimin e gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi. Mbështetur në burimet amerikane, sipas Sarner, dy përfaqësues të bashkësisë hebraike në Shqipëri, duke përfshirë dhe hebrenjtë e deportuar prej vendeve të Europës Qendrore, që kishin gjetur këtë vend si strehë shpëtimi, Rafael Jakohel dhe Mateo Matathia, duke qenë të vetëdijshëm se ky urdhër i nazistëve do të thoshte arrestim dhe shfarosje të gjithë bashkësisë ("Shoah"), iu drejtuan Mehdi Frashërit për ndihmë:[10]

“Ky i fundit i këshilloi ata që të takoheshin me ministrin e Brendshëm Xhafer Deva, i cili njihej si anti-semit. Ata shkuan të takoheshin me ministrin Deva, megjithëse e dinin rrezikun që u vinte rrotull nga ky takim. Të dy pranuan sfidën, duke u lënë familjeve lamtumirën përpara se të niseshin. Për çudinë e tyre, sedra nacionale e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva ia doli që t'i bindtte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve” (Sinani, Shaban, 2009. Hebrenjtë në Shqipëri - Prania dhe shpëtimi. Tiranë: Naimi. fq. 144. ISBN 978-99956-800-2-2).

Autori hebre Harvey Sarnet në librin e tij “Rescue in Albania” shkruan:

“Kur Ministri Deva refuzoi kërkesën gjerme, raportohet se ai e konsideronte kërkesën e tyre një shkelje flagrante të marrëveshjes së tyre dhe ndërhyrje në punët e brëndshme të Shqipërisë. Ai i tregoi përfaqësuesve të komunitetit jahudi në lidhje me përgjigjen e tij kërkesës së nazistëve, dhe i siguroi ata se sa kohë që qeveria shqiptare do të kishte fuqi, ata nuk kanë asnjë arsye të jenë të frikësuar. Ngjarjet e mëvonëshme treguan saktësinë e deklaratës së tij” (faqe 43).

Atë kohë, lobi hebre i USA, në shenjë mirënjohje për mbrojtjen që ai i kishte dhënë hebrejve në Shqipëri (sepse ai, Lef Nosi dhe Mehdi Frashëri e ndaluan Gestapon Gjermane, në nderin e tyre) i shkruan presidentit Truman dhe ai i dha Xhaferr Devës të drejtën për të jetuar në USA.

Shqiptarët krenohen sot në botë se i kanë mbrojtur hebrejtë, por të indoktrinuarit nga komunizmi nuk e përmëndin të vërtetën.

Shkurt, Xhaferr Deva është nderi i kombit shqiptar, është përfaqsues tipik i humanizmit dhe patriotizmit të kombit tone. Janë këto vlera dhe virtyte të tij si dhe aktivitetit i tij, shkaku për të cilin grupi antishqiptar i organizuar nga Miladini dhe Mugosha që në vitin 1941 dhe pasardhësit tij e urrejnë.

Para vitit 1990 gjeje shumë pak shqiptarë në Shqipëri që ta respektonin dhe nderonin Xhafer Devën. Për fat të mirë, sot, gjen shumë pak që akoma e akuzojnë, se e vërteta e gjen rrugën për të dalë sheshit dhe shqiptarët po civilizohen.

©Hajro Çini