Kolumnist

Mendime fundmbrëmjeje në Ditën e Kanadasë - Nga Endrit Mullisi

Sivjet nuk kisha ndonjë dëshirë të veçantë për të festuar këtë ditë. Jo ndonjë disidencë ndaj kësaj dite pushimi, pak mungesë organizimi, pak dëshirë për të ndenjur në shtëpi, me sa më pak njerëz të zhurmshëm rrotull, por thellë brenda nuk është se jam ndjerë “kanadez i lumtur” këtë periudhë.

10-vjeçari i parë në Kanada ka qenë shumë optimist, pjesërisht per t'i mbushur mendjen vetes që morëm vendimin e duhur që erdhëm këtu, pjesërisht se vërtetë kemi shumë gjëra për të cilat i jemi mirënjohës dhe që i kemi përjetuar në këtë vend.

Por një person që lë vendlindjen për një vend më të mirë, duhet të jetë akoma më skeptik për “atdheun e dytë”. Dhe këto vitet e fundit nuk më kanë lënë shije të mira. E kam ende në mendje shijen e keqe të mesazheve përçarëse përgjatë kohës së COVID-it.

U vunë miqtë, kolegët e komshinjtë kundër njeri-tjetrit, ca duke spiunuar tjetrin, të tjerët duke mos dashur të takojnë persona që kishin status ndryshe vaksinimi. U hoqën njerëz nga puna dhe stresi u rrit në nivele marramendëse. U detyruan, nuk di se sa, por gjysma e atyre që njoh unë, të vaksinoheshin pa qenë të bindur për vlerën, vetëm që të mbanin vendin e punës, apo që të ishin në gjendje të udhëtonin.

Një shplarje truri kaq masive, nuk e prisja kaq efektive në një vend që e mendova ndryshe. Kanadaja nuk është më e njëjta në sytë e mi, sepse dhe njerëzit rreth meje nuk janë më njësoj.

Të festoja sot për kushtetuten e re që e beri Kanadanë të pavarur nga Britania apo për ndryshimin e emrit nga Dita e dominimit (sundimit) në Dita kombëtare? Të festoja sot për një Kanada që i ka hyrë një rruge pa krye, duke hedhur poshtë tradita qe e kanë bërë këtë vend të lakmueshëm për emigrantë të vendeve të ndryshme të Botës?

Të festoja sot për një Kanada që promovon me të madhe takimet e fëmijëve të vegjël me palaço meshkuj që vishen si femra dhe nga ana tjetër ndëshkon në çfarëdolloj forme të mundshme ata që luftojnë për të ruajtur vlerat tradicionale të familjes dhe shoqërisë?

Të festoja sot për një Kanada që në çdo aplikim pune të pyet për gjininë, grupin etnik përkatës dhe të tjera gjëra që nuk kanë rëndësi në meritokraci? Të festoja sot për një Kanada që voton për të tretën herë radhazi një vegël pa shtyllë kurrizore, që pretendon se i do të gjithë dhe mendon për të gjithë, por harron shumicën që nuk i pëlqen?

Të festoja sot për një Kanada që preferon të ketë të krishterë që mendojnë, besojnë dhe deklarojnë çfare nuk ua prish gjumin të tjerëve, por nga ana tjetër nuk ka asnjë lloj filtri për çfarëdolloj besimi dhe praktike tjetër?

Nëse ky vend nuk kthehet sërish në një bastion të lirisë së vërtetë, nuk kam asnjë arsye të festoj. Të bëj papagallin duke thënë “Happy Canada Day”, sepse kështu thonë të gjithë, nuk ma ndjeu sot.

Nëse ky vend promovon persona që nuk dinë se ç'janë dhe përçmon njerez si Dr. Peterson, që guxojnë të flasin jo thjesht atë që u vjen për mbarë, por reflektime të thella, atëherë ky vend po shkon në një drejtim që është për të qarë dhe jo për të festuar.

Nuk di nëse ju sot festuat me ata që kishit qejf duke përfituar diten pushim, apo vërtetë festuat kuptimin e kësaj feste. Unë guxova të shpreh atë që mendova dhe ndjeva. Reflektimet janë të mirëpritura. Kritikat ma shtojnë jetën. Por mbi të gjitha uroj që dikush do mendojë pak ndryshe pas këtij reflektimi.

©Endrit Mullisi