Nderim Gorbit! - Nga Arben Kallamata

Arben Kallamata - Mississauga, Ontario
Ka shumë të ngjarë, që pa Gorbaçovin, të gjithë ne, po të kishim pasur fat dhe t’i kishim shpëtuar burgut, do të ishim në rastin më të mirë duke ndarë katër vetë, 250 gram mish të grirë në javë, duke u larë vetëm të shtunave me “skaldabanja” vajguri, duke zënë radhën e qumështit që në tre të mëngjesit.
Pa Gorbaçovin, ata “të djathtët” e thekur që i bien gjoksit për anti-komunizmin e tyre që kur ishin në çerdhe, do ishin duke tundur flamuj në mitingjet e Partisë së Punës, duke brohiritur për atë që s’kishte datë vdekje (të cilit ndoshta do t’i ishte shtuar edhe eunuku që e pasoi), ose të paktën duke i bërë tifozllëk ekipit të volejbollit në stadiumet e ndërtuara mbi kisha.
Pa Gorbaçovin ata “të majtët” e sotëm që kapardisen shezlongëve të plazheve dhe sediljeve të avionëve e veturave luksoze duke mbrojtur yllin komunist, emrin e atij emërshuarit dhe datën 29 nëntor, do të ishin sot duke u ngjeshur si sardele autobuzave për të shkuar në uzinë, duke prashitur kodrave për 3 lekë ditë pune dhe duke ngrënë lëkura patatesh me bukë misri.
Pa Gorbaçovin, po të kishim pasur fatin t’i shpëtonim burgut, do të ishim të gjithë në burgun e madh të quajtur Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.
Nderim Gorbit, ndoshta politikanit më të madh të shekullit të njëzetë!
©Arben Kallamata
Foto: AP/Boris Yourchenko












