Kolumnist

Armiku i radhës - Nga Ilir Levonja

Ilir Levonja - Florida, SHBA

Pyetjes se përse Edi Rama po u kthehet të vetëve, në rastin konkret me këtë resortin e Golemit, eshtë fare e thjeshtë t’i përgjigjesh. Për të njëjtat arsye që Enver Hoxha vrau me radhë nga 1945 e këtej, gjithë aleatët a krahët e tij, si Këllëzi, Balluku, Dume, Sejko, Hazbiu e deri tek Mehmet Shehu. Edhe Enver Hoxha vriste me ligje, me polici, me gjykata, me publik, pasi internimet bëheshin publikisht, aq sa fqinji besonte vërtet se kishte pasur hyrje e dalje me një armik të klasës dhe pushtetit popullor. Për më keq akoma, edhe varjet kryeshin në sheshe publike, ishin edhe një shfaqje publike. Dhe kjo për të sunduar deri shqisat më të fundme tek këmbët e çdo individi, pa dallim moshe, krahine e feje.

Prandaj dhe fadromat e Edi Ramës vrasin po publikisht. Dhe problemi nuk ishte vetëm Enver Hoxha, por shoqëria. Sado që ta kthejnë sot, sado të justifikohen, ata e pranuan dhe besuan se vërtet viktimat ishin armiq të popullit. Ndryshe Enveri nuk kishte se si të vriste për 45 vjet. Kështu edhe sot, problemi nuk është më Edi Rama, por ju si shoqëri. Pranoni gjithçka që servir Edi Rama, aq sa dukeni ndonjëherë si pjesë e kuadrateve të paradave ushtarake a ushtrimeve të manifestimeve popullore.

Sot në botën virtuale qarkullojnë me qindra foto tryezash ku askujt nuk do ia merrte mendja se mund të ndodhte kjo që ndodhi sot. Ashtu sikur shumë nga ju habiten se si është e mundur, që gazetarë, a ish deputetë të tij (Eni Vasili, Alfred Peza) dalin kaq publikisht kundër Ramës. Eshtë fare e thjeshtë, nuk është se u bënë me opozitën Berisha-Meta, assesi. Thjesht iu cënuan përqindjet në prishjen e resortit.

Vendi ynë nuk e ka pasur kurrë një klasë gazetarësh që militojnë tek realiteti shqiptar, por vetëm tek ai politik. Kjo është fare e dukshme, pasi thuajse 90% e tyre janë pronarë vilash a apartamentesh buzë detit dhe në vende të tjera turistike, pronarë makinash të shtrenjta etj., Bosët e mediave edhe vetë janë informalë si punëdhënës. Kanë një staf të plotë, por që e paguajnë informalisht, ose nuk e paguajnë fare. Klasa intelektuale është totalisht partiake, aq sa shqiptari e shikon shqiptarin me sytë e Ramës apo Berishës.

Ndërgjegja e vdekur intelektuale u vertetua me prishjen e Teatrit Kombëtar. Një heshtje totale brenda së Majtës, megjithëse hapësirave të asaj ''karakatine'' kishin shkelur kolosë të artit tonë kombëtar. Kurrë nuk e kuptuan se sa shumë është vrarë historia e artit kombëtar shqiptar me prishjen e asaj godine. Paçka socializmit, bolshevizmit, dhunës diktatoriale etj., aty u mbrujt historia jonë. Dhe kërkush tjetër në rajon nuk ka më shumë nevojë se ne për një histori të artit kombëtar. Por fara shqiptare u kënaq me perversitetet e zhgarravinave të Edi Ramës në muret e qeverisë, jo me hijeshinë e Naim Frashërit a Kadri Roshit.

Disa fërkonin duart se gjoja po u rrënohej arti socialist, disa i kënaqeshin dhunës së Edi Ramës për inat të Saliut, disa i mbaheshin asaj se ç'më duhet mua. Ashtu sikur ca që pëllasin sot për resortin e Golemit, pinin puro kubaneze bash aty me Edi Ramën, kur shëmbej Teatri. E vërteta nuk ishte me realitetin, por me ujqërit që hanin njëri-tjetrin. Kurse shoqëria prapë dëshmoi se ishte e vdekur, vetëm nga fakti që një shtetar deklaron se bëj çfarë të dua, jam votuar për këtë.

Sot jemi në të njëjtat kushte si në Rusinë e Putinit, a në Turqinë e Erdoganit. Dy nga asetet më të forta të këtyre vendeve janë policia e financave, a zyrat e tatimeve si i quani ju, madje më e fortë se Policia e Shtetit, apo Armata e mbrojtjes. Të paktën këta dy vende i kanë policitë e tjera, kurse ne kemi hallatet e Ramës. Sot ne jemi totalisht një qeverisje talebane dhe kurrë nuk ka pasur një urrejtje të shqiptarit me shqiptarin sa sot. Dhe po t'i referohesh zhvillimeve dy vendet që marrin dorën dhe ndihma ekonomike nga Turqia e Erdoganit, janë Shqipëria e Edi Ramës dhe Afganistani i talebanit Akunzada.

Shkurt t'ju rrojë palla e Edi Ramës, se shteti është tjetër gjë.

©Ilir Levonja