Kolumnist

Përtej entuziazmit për zgjedhjen e Pierre Poilievre - Nga Rushan Xhaferi

 Rushan Xhaferi - Laval, Québec

Pritja e një Shpëtimtari ose «la parousie»

Në një shoqëri ku Krishtërimi ka bërë punën e tij, sidomos në momente të vështira pritet ardhja e një shpëtimtari që në frëngjisht shprehet me fjalën «parousie». Në Kanadanë e fund verës 2022, ky "Jezus" mban emrin Pierre Poilievre. Fitorja si kryetar i Partisë Konservatore të Kanadasë ishte gati e sigurt dhe kjo u konfirmua nga rezultati i thellë, gati 70% në turin e parë. Fitorja si kryeminister i Kanadasë është akoma më e sigurt. Me të drejtë apo jo, njerëzit janë lodhur nga politikat e kryeministrit Trudeau...

Një fitore e paralajmëruar

Fitorja si kryetar i Partisë Konservatore të Kanadasë ishte gati e sigurt dhe kjo u konfirmua nga rezultati i thellë, gati 70% në turin e parë. Fitorja si kryeminister i Kanadasë është akoma më e sigurt. Me të drejtë apo jo, njerëzit janë lodhur nga politikat e kryeministrit Trudeau. Vitet e pandemisë dhe politikat pa logjikë të gati të gjithë pushtetareve krijuan një frustrim në popullsi dhe shumë të paktë ishin politikanët opozitarë që guxuan te kritikonin vendimet gjatë kesaj periudhe.

Për këtë arsye Pierre Poilievre, sikurse dhe Eric Duhaime, kryetari i partise Konservatore të Kebekut, kanë pasur një momentum simpatie dhe sukses në rekrutimin e anëtareve të rinj në parti, përveç mbështetjes në publik. Jo rastësisht, Eric Duhaime ishte i vetmi kryetar partie në Kebek që u entuziazmua jashtë mase nga fitorja e Pierre Poilievre. Të dy kanë të njëjtin vizion ekonomik: Neoliberalizmin ekonomik.

Vizioni ekonomik konservator i djathtë ose Neoliberalizmi

Neoloberalizmi është ndërhyrja sa më pak e shtetit në zhvillimin ekonomik që ka si qëllim privatizimin total. Privatizimi si zgjedhje dhe si zgjidhje e problemeve të shoqërisë ka dekada që funsksionon. Noam Chomsky e ka teorizuar këtë realitet prej vitesh. «Teknika standarde e privatizimit është të zhvlerësohet sistemi publik në mënyrë që gjërat të mos funksionojnë, njerëzit zemërohen dhe këto shërbime iu dorëzohen kapitalit privat». Dhe në momentin që kapitali privat kontrollon shërbimet publike, ai e vendos çmimin sa të dojë.

Ne Shqiptarët kemi një shëmbull jo të mirë në këtë aspekt. Martin Shkreli në SHBA, në 2015, rriti çmimin e një ilaçi me 55 përqind të vlerës iniciale. Medikamenti kaloi nga 13.50$ në 750$ në një ditë. Kjo është ekonomia e tregut në një botë neoliberale. Dhe nga ana tjetër, Shkreli u denoncua jo sepse luajti me rregullat e tregut, por sepse ishte thjesht një individ (vetëm) përballë një sistemi të konsoliduar, i cili nuk lejon që rregullat të aplikohen kur nuk është sistemi (shoqëritë e medha farmaceutike) që përfiton.

E Majta si shpresë e vetme për ndryshim rrënjësor të njerëzimit

Çfarë është e Majta ekonomike? Në shpellën e Borneos ekipi i shkencëtarit kanadez Maxime Aubert gjeti skeletin e një njeriu të ri në moshë, le ta quajme Bob. Bobi ka jetuar 31,000 vjet më parë, 310 shekuj. Skeleti i tij kishte diçka ndryshe nga zbulimet e mëparshme. Këmba e tij e majtë ishte prerë në mënyrë kirurgjikale. Zbulime të tilla janë gjetur dhe më parë, por në një kohë relativisht më të afërt rreth 7,000 vjet më parë. Në një epokë ku ne mendojme se njerëzimi ka qënë injorant dhe pa njohuri mjekësore, një grup njerëzish kishin njohuri mbi trupin, sepse duhet të njohësh anatominë e njeriut, të dish si të ndalosh humbjen e gjakut si dhe evitimin e infeksionit, për të kuruar një të sëmurë. Një akt mjekësor kompleks.

Përse ky fenomen është i rëndësishëm? Sepse mijëra vjet më parë, kur një njeri kishte probleme, gjithë komuniteti mundohej ta shpëtonte. Në botën e kafshëve, një individ i plagosur apo i sëmurë i lihej fatit. Në botën e njerëzimit dhjetëra mijëra vjet më parë, këto grupe njerëzish kishin një vizion social. Për të përdorur një anakronizëm, mund të themi që kishin një vizion socialist të shoqërisë në të cilën evoluonin. Çdo individ ishte i rëndësishëm për grupin, sidomos të rinjtë.

E Majta ekonomike ose Socializmi si model ekonomik, ka një shqetësim për shoqërinë në tërësi, si model avancimi të grupit pa harruar individin dhe jo vetëm shqetësim për shefin e tij.

John Donne e ka shprehur më së miri shqetësimin për tjetrin. «Asnjë njeri nuk është një ishull, i mbyllur në vetvete; çdo njeri është një fragment i kontinentit, një pjesë e tërësisë; (...) vdekja e çdo njeriu më pakëson, sepse i përkas racës njerëzore; prandaj mos dërgo kurrë të pyesësh se për kë bien kambanat: sepse ato bien për ty».

Çdo vit para pandemisë, mbi 80% e pasurisë së krijuar në botë shkonte në xhepat e një minoriteti miliarderësh. Mbas pandemisë, kjo përqindje është rritur. Të kuptosh botën në të cilën jetojmë duhet të bësh pyetje dhe shumë herë nuk merr dot përgjigje. Barazia e shanseve që na jepet si shëmbull nga analistë dhe ekonomistë të ndryshëm, thotë që çdo njeri ka të njëjtat shanse në jetë dhe i takon atij të ketë sukses apo të dështojë. Bernard Arnaud është një miliarder francez dhe kur mbesa e tij lindi kishte në bankë një pasuri prej 4,000 000 000 euro. Jane 4 miliardë euro për të cilat një njeri i cili ka një rrogë të majme prej 100.000$ në vit, i duhen 40,000 vjet për ti bërë. Ky njeri duhet të ketë filluar punë 9,000 vjetë para Bobit. Të tjerët duhet të kenë qënë roje me dinozaurët që të mbledhin një shumë të tillë të hollash.

Në mbyllje…

Pierre Poilievre ka vetëm një qëllim për momentin: të marrë pushtetin për një vit. Dhe kur ai të arrijë ta marrë, do të jetë një tjetër Stephen Harper, i cili shkurtoi shërbimet publike, ndër të tjera dhe ndoqi hap pas hapi amerikanët në politikat e tyre si nga ana ekonomike edhe ushtarake. Ky pseudo Krisht, edhe pse flet frengjisht dhe është simpatik, do të jetë po i njëjti politikan i cili do luftojë për pjesën super të pasur të shoqerise (1-2%) dhe do të harrojë shpejt premtimet dhe fjalimet shpresedhënëse për një pjesë të njerëzve që akoma besojnë se shumica e politikanëve do të përmirësojnë jetesën e tyre. Problemi është se mbas pesë vjetësh ata që besojnë Poilievre do të zhgënjehen, por do jetë (edhe një herë) shumë vonë, sepse ndërkohë do jemi plakur pesë vite më shumë.

©Rushan Xhaferi