Nuk di kë të votoj, por di kë nuk votoj - Nga Rushan Xhaferi

Rushan Xhaferi - Laval, Québec
Një herë në katër vjet, gjendemi në një proçes të ashtuquajtur demokratik. Ky proçes pretendon të mbartë gjithë peshën e demokracisë. Nga ana tjetër, për katër vitet e ardhshme, populli duhet të shpresojë në dëshirën e mirë të politikanëve dhe partisë që fiton zgjedhjet. Si i bëhet nëse mazhoranca ndryshon mëndje të nesërmen e fitores? Duhet të presim akoma katër vite të tjera.
Nesër më 3 tetor 2022, në Kebek janë zgjedhjet parlamentare për të formuar qeverinë e re provinciale pë katër vitet që vijnë. Nuk di për kë do të votoj dhe nuk jam i vetmi. Nuk di a do të votoj dhe në këtë situatë jemi 40% e popullsisë. Por di për kë nuk do të votoja dot.
Për katër vite, qeveria e François Legault kishte gjithë pushtetin dhe gjithë buxhetet e mundshme dhe përfundimisht, ja ku jemi. Çdo sistem është disfunksional. Rrugët janë në një gjëndje katastrofike; shëndetësia është e sëmurë; drejtësia e padrejtë dhe arsimi injorant.
Për fat të keq, François Legault do të fitojë edhe një herë. Jo sepse njerëzit do të votojnë për partinë e tij, por sepse duke filluar që nga momenti i parë që është folur për zgjedhjet, ka vetëm një diskurs në media, Legault do të jetë kryeministër dhe pyetja është : A do të ketë 71 deputetë apo 100?
Pikërisht, në këtë gjendje të situatës politike, bëhemi cinikë, sepse nuk pranojmë më të abuzohemi nga politikanë që janë thellësisht të korruptuar financiarisht dhe intelektualisht dhe që premtimet elektorale i mbajnë aq kohë sa lulëzon një lule.
Nga pesë partitë në garën e zgjedhjeve, kemi një parti Liberale me një të kaluar katastrofike në katër mandatet e fundit të saj dhe me shefe aktuale Dominique Anglade, e cila ka qënë Presidente e Coalition Avenir Québec (CAQ), partia konkurrente.
Nga ana tjetër, kemi një CAQ me shef François Legault që është një ish-ministër (i Arsimit dhe i Shëndetësisë) kur ishte me PQ (Parti Québécois).
Dy kryetarët e partive të pozitës dhe të opozitës në këtë moment janë shembulli i bindjeve fallco të politikanëve që kërkojnë vetëm pushtetin.
PQ ka si kryetar një person që rrezikon të mos fitojë në zonën elektorale të tij sikurse dhe kryetari i Partisë konservatore, Éric Duhaime, i cili ishte i vetmi që denoncoi masat e qeverisë gjatë Kovidit, është më finok dhe nuk dihet se nga kush financohet. Kryetari i Québec Solidaire ka simpatinë time për disa nga masat në programin që prezanton, por ka më shumë shanse të fitojë në 2026 se kurrë.
Gjithësesi, diskursi i çdo kryetar partie është pak a shumë bosh, me një karakter manaxherial, ku mungon aspekti më kryesor: e ardhmja dhe mirëqënia e një shoqërie. Fatkeqësisht, kjo shoqëri e drejtuar nga politikanë pa vizion afatgjatë për të ardhmen, po arrin në një pikë ku pak gjëra kanë akoma kuptim.

Coluche
Por një gjë nuk ndryshon, ajo që quhet lufta e klasave. Kjo luftë është shumë më e qartë sidomos kur vjen nga goja e Warren Buffet i cili ka deklaruar : «Lufta e klasave ekziston dhe janë të pasurit që e kanë fituar!». Karl Marx po të na shikonte do të qeshte me të madhe sepse kishte të drejtë. «Nuk është normale, thoshte Buffet, që pastruesja ime të paguajë më shumë taksa se unë!».
Që miliarderët të shtojnë miliardat nuk është problem. Problem është kur miliarderët blejnë mediat për të kontrolluar informacionin. Problem është kur miliarderët blejnë politikanët. Problem është kur politikanët janë në gjunjë kundrejt miliarderëve dhe ne të tjerët mendojmë se me votën tonë do të ndryshojmë situatën.
«Élections, piège à cons!» është një shprehje politike e Jean-Paul Sartre, që do të thotë që zgjedhjet janë një hile për njerëzit e thjeshtë duke u hedhur hi syve për mos të parë se çfarë ndodh në të vërtetë.
Në 2022, ajo që ndodh është Robin Muti që vjedh të varfërit për t’ua dhënë të pasurve. Dhe këta Robin Muta janë politikanët.
Ja pra, në këtë situatë, kush ka akoma dëshirë të votojë? Siç thotë edhe karikatura e Coluche, ne jemi skllevër që çdo katër vjetë zgjedhim pronarin që do të na komandojë.
Gjithsesi, votim të mbarë këtë të hënë!
©Rushan Xhaferi
Foto: Radio-Canada












