Kolumnist

Për servilët - Nga Jeta Dedja

Nga: JETA DEDJA

Ju kujtohet personazhi i Hip-it (Uriah Heep) në romanin “David Copperfield” i Charles Dickens? Besoj që po! Kush mund ta harrojë atë karakter të skalitur të kthyer në simbol të servilit e hipokritit, duke e bërë pjesëmarrës në tema diskutimesh shpeshherë.

Unë ende kujtoj përshkrimet e duarve të këtij personazhi, bashkë me krupën si ndjesi të përftuar nga imagjinata gjatë leximit dhe interpretimit të xhesteve të tij. Ndoshta jam ndikuar pa dashje nga letërsia edhe në profesionin që zgjodha më vonë.

Gjithkush ka njohur në jetën reale ndonjë Uriah Hip të gatshëm të përulet e të bëjë bé e rrufe për sinqeritetin e pas krahëve të thurë mjeshtërisht plane përfitimesh, shantazhesh e ngjitjesh në karrierë.

Më shumë të rrezikuar nga prania apo ngjitja e Uriah Hip-ëve pas këpuce janë ata që kanë një post drejtues, që kanë pushtetin, fuqinë ekonomike ose njohjet e duhura, të cilave Hip-ëve u hyjnë në punë.

Por nuk është e thënë të zotërosh shumë për të qenë si mjalt për Hip-ët. Mjafton të kesh diçka që atyre t’u shërbejë si element dëshirimi e zotërimi, ose si trampolinë për diku më larg.

Ata nuk vonojnë të afrohen, i gjejnë të gjitha format për të arritur. Kanë aftësinë e ngjitjes si kërmilli duke lënë madje edhe jargë nga pas.

Ata janë gati të lavdizojnë çdo broçkull që ai bosi i madh nxjerr nga goja, ose të thonë “Yes man” për gjithçka, ose të shtrihen e bëhen tapet për të kaluar AI.

Nuk u intereson se shkelen me këmbë apo përçmohen apo përbuzen. Në fund të fundit ata deklarojnë se janë njerëz të përulur në shërbim të bosit e në pritje të kotheres që dikur do bëhet fabrikë. Dhe bëhet!

E dini si dallohen Hip-ët? Është e thjeshtë sepse është e dukshme. Hip-ët janë ata që imitojnë shijet dhe opinionet e atij të madhit, madje i shpërndajnë mendimet e tyre sikur të jenë të tijat.

Ndonjëherë situata bëhet absurde kur Hip-ët kopjojnë deri edhe mënyrën e të veshurit, stilin, manierizmat, gjestet e Atij/asaj të madhit/madhes. Imitimi është forma më e sinqertë e servilizmit, por ai mund të shkojë shumë larg e të bëhet i frikshëm.

Kështu Hip-ët arrijnë të blejnë të njëjtat veshje, të mbajnë një prerje flokësh, apo të përdorin të njëjtin parfum me objektin e imituar. Imitimi vjen prej vetëdijes së dobët. 

Hip-ët shfaqen në vendet e punës, ku bëjnë çmos të bien në sy të shefit për ta impresionuar me paraqitjen e jashtme, me ndonjë batutë, dhuratë, zarf apo gjë tjetër.

Ata/ato lajkatojnë vazhdimisht targetin e tyre që mund të jetë shefi ose rrethi i afërt i shefit. Këta synojnë që lajkat të shkojnë në veshin e duhur e kështu do të arrijnë të hyjnë në rrethin e besimit. Sa më i parealizuar dhe naiv shefi aq më shpejt Hip-ët depërtojnë tek ai.

Dhe pasi Hip-ët sigurojnë terrenin ata fillojnë lëvdatat në sy, me synimin të bëjnë për vete personin që ka në dorë karrierën e tyre e ndërkohë pas krahëve të tyre abuzojnë me pozicionin që kanë përfituar duke “ia futur” shefit.

Servilët përdorin taktikën e kundërshtimit për çështje fare të parëndësishme, për të treguar se kanë pavarësi mendimi, por ama këta janë gjithmonë dakord në çështje të mëdha.

Ose edhe kur nuk bien dakord e shprehin kundërshtimin e tyre përmes një komplimenti për shefin zemërmirë. Dhe e çuditshme është por shumica e servilëve bëjnë hajër, edhe pse të ngjallin krupën kur fërkojnë duart si Uriah Hip. (Me hajër nënkuptoj karrierën e pasurinë se për atë zvarriten Hip-ët).  

Kjo sepse ndoshta targeti i tyre janë njerëzit e paaftë, ose ata me dobësira të caktuara, ose sepse natyra njerëzore kërkon lëvdatën si një formë afirmimi të imazhit të vetes, dhe bosëve u duhet një Hip pranë për të marrë konfirmim.

 

Tagged under Jeta Dedja