Në nëntor kemi vetëm një festë kombëtare, Pavarësinë - Nga Taulant Dedja
Edhe një herë tjetër, pas as më të voglin ndryshim tash tri dekada, sa afrohet 28 nëntori, Dita e Pavarësisë, rikthehet debati skandaloz për datën e të ashtuquajturit çlirim të vendit në prag të fundit të Luftës së Dytë Botërore, në përfundim të asaj që prej kohësh e kam quajtur Lufta Antifashiste Nacional-Shkatërrimtare. Sigurisht përulem ndaj atyre që humbën jetën duke luftuar përballë ushtrive pushtuese, duke filluar nga Mujo Ulqinaku, por vetëm ndaj tyre ama.
I mirëkuptoj miq e intelektualë, që bëjnë thirrje shpesh se koha e ndasive e debateve të tilla duhet të vijë dita e të marrë fund, e na duhet të shohim përpara drejt të ardhmes, por për fat të keq sot në Ditën e shënuar të Pavarësisë, më duhet të kujtoj se në Shqipëri nuk është bërë katharsis, në Shqipëri nuk u arrit të bëhej kurrë në këto 30 vjet ai që quhet dekomunistizim. Dhe jo vetëm kaq, por në Shqiperi sot drejtojnë ende bijtë e disa prej xhelateve të diktaturës enveriste. Në Shqipëri ende dalin e bëjnë manifestime me pankarta ku shihet surrati i urryer i diktatorit.
Në Kanada, për një flamur me kryqin nazist që u pa në Ottawa bëri namin opinioni publik dhe mediat. Te mos flas pastaj për procesin e gjatë të kërkesës së faljes dhe pajtimit, apo të reparacioneve, që edhe sot vazhdon dhe e bën qeveria kanadeze, për shkak të gjenocidit kulturor që u ushtrua ndaj autoktonëve, apo keqtrajtimit të disa komuniteteve gjatë apo pas Luftës së Dytë Botërore vetëm për shkak të origjinës.
Është e pafalshme që ende në Shqipëri disa quajnë datë çlirimi, një datë të vendosur arbitrarisht nga një regjim gjakatar, të njëjtën datë që përkujtonte Jugosllavia apo ende përkujton Serbia.
Askush, asnjëherë, nuk ka vënë në diskutim 28 nëntorin, shpalljen e Pavarësise dhe aktin e madh që kreu Ismail Qemali dhe ata etër themelues që firmosën Deklaratën e Pavarësisë, një pjesë e të cilëve dihet se si përfunduan për shkak të kuçedrës që pushtoi Tiranën më 17 nëntor dhe Shqipërinë më 29 nëntor 1944.
Ishte pushtimi me kobzi për kombin, sepse në fund të fundit, pushtimet e tjerë ishin për shkaqe gjeopolitike dhe as nuk tentuan t’i asimilojnë shqiptarët, e aq më pak t’i deformojnë mendërisht, t'u ndalojnë besimin fetar, apo t’i depersonalizojnë deri në ekstrem. Pasojat e atij pushtimi kobzi të 29 nëntorit 1944 vazhdojmë ende t’i vuajmë, pikërisht sepse nuk ishim në gjendje të ndahemi përfundimisht me këtë të kaluar, reminishencat e të cilës mbështeten institucionalisht nga regjimi aktual autokratik dhe i korruptuar deri në fyt.
Me shumë të drejtë historiani i shquar, Dr. Ardian Muhaj shprehej dje: “Nuk di kundërshti më të madhe logjike se sa më 28 nëntor të festosh Pavarësinë dhe më 29 nëntor diktaturën”.
Në nëntor ne kemi vetëm një festë kombëtare, 28 nëntorin, ndaj dhe sot uroj gëzuar Ditën e Pavarësisë, kurrsesi jo “festat e nëntorit”!
©Taulant Dedja












