Lushnjarë, shpëtojeni Lushnjën! - Nga Ilir Levonja
Në Luftën e Dytë Botërore, një skuadër ushtarësh amerikanë zbarkuan në Normandi me misionin që të nxirrnin nga fushëbeteja ushtarin me emrin Rajan. Arsyeja, atij i ishin vrarë vëllezërit në front. Misioni konsistonte në faktin që të mos shuhej një familje amerikane. Kjo bëri që më pas të ndryshoheshin edhe disa rregulla në lidhje me shërbimin ushtarak. Të gjithë këtë histori e keni në filmin “Shpetoni ushtarin Rajan”, 1998.
E njëjta gjë po ndodh me qytetin e Lushnjës, një emër i madh që po asgjesohet publikisht. Armiku publik i saj është pikërisht kryeministri i vendit, një librazhdas i deleguar me emrin Taulant Balla, i cili ha fasule në poçe vatre, byrekët e Met Çelës dhe asgjeson ditë më ditë institucionet e qytetit të korifejve të artit shqiptar. Eshtë një lloj Popoviçi që ka zbarkuar për të instruktuar pushtetin lokal në varjen publike dhe të paralajmëruar. Ka arritur deri aty sa delegon trajnerë futbolli për një klub që daton themelimin që nga viti 1927. Kur fare mirë ky klub futbolli disponon 100% shkollën e vet nga familje të nderuara të Lushnjës. Në vend që ta privatizojnë, e mbajnë nën sqetull dhe delegojnë trajnerë.
Ky është qyteti i dy kongreseve të mëdhenj, atij Arsimor dhe Kongresit Kombëtar në vjeshtën dhe dimrin e vitit 1920, i cili prodhoi një qeveri më demokratike sesa kjo e sotmja, duke pasur si mbikëqyrës një Këshill të lartë Regjence në vend të një presidenti kukull. Eshtë qyteti me 3 deputetë socialistë dhe një democrat, që po publikisht janë fajtorë në këtë asgjesim publik sa sot një teatër i tërë nuk u kthye dot në akademi kulture, sikurse edhe Biblioteka Publike nuk afron dot asnjë promovim vjetor edhe pse ka emra plumb të rëndë autorësh me njohje kombëtare. Madje ta thonë emrin me zë të ulët. Pa përmendur asgjesimin total të galerive të pikturës ku edhe këtu ka emra po plumb të rëndë.
Megjithëse udhëkryq shqiptar platforma e stacionit të trenit as pret dhe as përcjell njeri, ashtu sikurse edhe shkollat profesionale, që dikur prisnin studentë deri nga Maqellara apo Konispoli, sot janë objekte të bjerrura, që ndofta asnjë deputet nuk i di se edhe ku ndodhen. Nuk dua të përmend Institutin Bujqësor, se e kam përmendur shpesh vrasjen publike të tij. Lushnja ka sot 3 deputetë socialistë, por që nuk duken asgjëkundi. Ushtrojnë vetëm detyrën e patronazhistëve dhe pavarësisht varjes publike të qytetit flasin me gojën e asgjësuesit. Lushnja që ka nevojë për rrugë rurale, për impiante riciklimi është e dorës së dytë. Kjo treshe merret me sherrin Rama, Berisha, Meta. Në fakt lushnjarëve nuk u hyn në punë fare kjo, se asnjëri syresh nuk është lushnjar. Mirëpo treshja flet për non gratat. Pavarësisht se qyteti që prodhon tonelata perime, fruta, foragjere, mbytet nga specat e Maqedonisë.
Pashë në një kronikë televizie (Vizion Plus) që kryetarja aktuale e Bashkisë as dy llafe nuk dinte të lidhte. Madje në ato që tha, falenderoi dhjetë herë qeverinë për ndihmat financiare që i dha në ndërtimin e ca tendave të ashtuqujtura Treg Fruta-Perime. Zot na ruaj, një qytetare e parë që nuk ka kuptuar se investimi publik lokal është e drejtë po lokale dhe jo qeveritare. Parisin, Romën, New York-un nuk i kanë bërë qeveritë kombëtare, por ato lokale. O ushtarë të verbër dhe të paaftë të djersës suaj! Qeveritë dhe nëse u japin, u japin mbrapsht lekun tuaj.
Lushnjarë shpëtojeni Lushnjën. Madje ngulni këmbë të votojmë edhe ne që jemi larg. Për një show publik si “Big Brother” ishte fare e kollajshme që shqiptarët të votonin nga ishin e ku nuk ishin, për votën politike kjo është një herezi. Shpëtoni qytetin tuaj nga varja publike e Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Përpara se të doni politikanët e qëndrës, duajini veten, respektoni veten, shtëpinë tuaj, traditën, sojin. Lushnja nuk është as Edi Ramës as Taulant Ballës. Është e juaja!
© Ilir Levonja












