Vota e mohuar e emigrantëve - Nga Ilir Gjini
U bënë plot 33 vite që u ndamë nga sistemi më diktatorial i Lindjes komuniste dhe ende nuk bëjmë dot alfën e demokracisë - zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kemi plot 32 vite që iu mohojmë shqiptarëve emigrantë të drejtën e votës, megjithëse kemi gati gjysmën e popullsisë që jeton jashtë atdheut. Kosova me vetëm 15 vite si shtet i pavarur, jo vetëm që ia garantoi votën emigrantëve në mbarë botën, por bën zgjedhje të lira dhe rezultati pranohet nga të gjithë.
Në realitetit e zymtë monist shqiptar, ku qeveria ka marrë të gjitha pushtetet, madje edhe ato që duhet të qëndrojnë larg politikës si drejtësia dhe media, e vetmja shpresë e vakët që do të mund të thyej hegjemoninë moniste, është vota e emigranteve. E them këtë, se vota e emigrantëve është larg patronazhimit nga aktivistët e zellshëm të pushtetit, pasi jeton jashtë realitetit shqiptar ku votuesit janë shndërruar në manekinë që vetëm votojnë, por nuk zgjedhin.
Opozita që duhej të frenonte babëzinë e pushtetit dhe të garantonte lirinë e votës, e ka të pamundur të kryejë misionin e saj. Një pjesë e saj e përfaqësuar nda dyshja Alibeaj-Basha ka bërë kompromis me pushtetin duke përfituar të gjitha benefitet dhe trajtohet si djali kanakar i “nënës”, megjithëse perfaqëson një pakicë në rrudhje, ndërsa pjesa e përfaqësuar nga dyshja Berisha-Meta, është e izoluar nga ndërkombëtarët dhe trajtohet nga institucionet shtetërore si djali i njerkës.
Madje duke përfituar nga ky fakt, për herë të parë në historinë tonë të pluralizmit kryeministri guxoi të kërcënojë hapur popullin opozitar se nëse do votonin përfaqësuesit e opozitës, do të merrnin zero investime. Këtë deklaratë, as diktatori Putin nuk e bën. Madje as diktatori Enver në zgjedhjet e vetme pluraliste që zhvilloi në 1945 nuk e bëri.
Diktatori Enver përgjatë sundmit të tij fabrikoi njeriun e ri. Njeriun manekin që shikon, mendon, gjykon dhe vepron me sytë dhe mendjen e partisë. Sot fatkeqësisht do kemi formatin patronazhist që të imponohet përmes frikësimit në raport me nevojat që ka çdo qenie njerëzore si punësimi, e drejta e pronës, madje edhe e jetës. Do të kemi një kullëzim të shoqërisë, ku në penthouse do jetojë dhe dirigjojë kryeministri i gjatë, ndërsa në katet më poshtë oborrtarët e tij. Në katin përdhes populli, ndërsa populli opozitar në qilar, apo edhe në çadra plasmasi në oborrin e kullës.
Duke e njohur personalisht që në vitet e Liceut Artistik kryeministrin e gjatë dhe dëshirën e tij për dominim, them se do kemi një pushtet monist të gjatë si kullat në qendër të Tiranës. I rritur nën hijen e një babai të suksesshëm në rrugën e artit, Rama pamundësinë e tij për të shkëlqyer në art ia kaloi politikës. Me penelatat e tij të pushtetit do vazhdojë ta ngjyrosë gjithë territorin e Shqipërisë me ngjyrën mavi, duke pikturuar kulla, porte jahtesh e fasada. Dhe në këtë pushtet penelatash mavi, opozita nuk do ketë asnjë shans për të fituar në zgjedhjet parlamentare 2025. E vetmja shpresë e vakët për ta ndryshuar gjëndjen është vota e munguar e emigrantëve.
© Ilir Gjini










