Kolumnist

Merruni me Ramën e mos stigmatizoni afrikanët - Nga Arben Kallamata

Shënim: E përfundova këtë shkrim dhe e lashë mënjanë. Le të ftohet një herë (mendja) thashë, përpara se ta publikoj. Tani sapo lexova këtë status të mikut tim Taulant Dedja: “Këshillë: merruni me Ramën e mos stigmatizoni afrikanët, që janë njerëz si ne të gjithë! Afrikën e ka masakruar kolonializmi.” U ndjeva shumë më mirë. Gjeta dhe titullin.

 

Ironik dhe tepër i trishtueshëm pozicionimi racist, anti-imigrant nga njerëz që hiqen se iu qan zemra për një populli një e treta e të cilit ka shkuar në emigracion këto tridhjetë vjetët e fundit. Vështirë të gjesh familje apo individ në Shqipëri sot që të mos ketë një të afërm - motër, vëlla, djalë, vajzë, le pastaj kushërinj - që jeton jashtë vendit. E megjithatë, sheh kaq shumë prej tyre që me papërgjegjshmëri morale, me hipokrizi dhe mungesë të plotë vullneti për të gjykuar (le më pastaj për të ndjerë emocione njerëzore), bërtasin të shqetësuar se po iu rrezikohet pellazgëria.

Sepse, veç racizmit tradicional që e kemi lënë prej kohësh të patrazuar të gëlojë mes nesh dhe që vazhdojmë të mos e shohim si problem shqetësues, këtu ka gisht në një masë jo të vogël edhe ajo tymnaja idiote e superioritetit të prejardhjes parahistoriko-pellazgo-iliro-arbërore-shqiptare; mbushja e rradakeve me idesë se flasim gjuhën me të cilën ka komunikuar Zeusi, Adami, Faraonët e Egjiptit, Homeri, romakët e lashtë, me një fjalë gjuhën që është mëma e të gjitha gjuhëve. Dhe pikërisht, këtë barazpeshë të mrekullueshme superioriteti racoro-linguistik po vikan të na e prishin turmat e emigrantëve nga Afrika dhe Palestina, të zinjtë, terroristët, dembelët, të prejardhurit nga popullsi inferiore.

Unë e di që një pjesë nisen e shkruajnë nga pozicioni politik - një veprim që e ndërmerr Rama duhet goditur, çfarëdo që të jetë. Por a na e justifikon verbëria politike ekstremizmin që çon në qëndrime anti-njerëzore?

Me mijëra njerëz lenë çdo ditë vendet e tyre në kërkim të një jete më të mirë. Njerëzit lëvizin për t’i shpëtuar varfërisë, mjerimit, luftës, bombave, sakatimeve, padrejtësisë; njerëzit kërkojnë një jetë më të mirë për veten dhe për fëmijët e tyre, për familjet që lënë pas. Homo sapiensët, si çdo specie tjetër, kanë lëvizur historikisht dhe do të lëvizin për aq kohë se do të ketë jetë në tokë. Planeti është i të gjithëve. Çdo cep i planetit është i të gjithëve. Ne duhet të mësojmë se si të ndihmojmë njeri-tjetrin, jo se si ta mbajmë njeri-tjetrin larg, jo se si ta vrasim njeri-tjetrin, jo si t’ia përplasim tjetrit portën në fytyrë.

Bota sot është ndarë në vende të pasura dhe në vende të varfra. Është ndarë në vende të qeta dhe në vende me trazira, me luftë; në vende me mundësi jetese të mirë, dhe vende ku nuk ka kurrfarë shprese. Ne shqiptarët e dimë më mire se kushdo shijen e varfërisë; e kemi njohur dhe e kemi në kujtesë të freskët peshën e diktaturës dhe të mungesës së lirisë; provuam edhe trazirat e 1997-tës. Ne pamë një pjesë tonën, një pjesë të madhe tonën (1 milion e 400) të linte vendin.

A nuk duhet të jemi ne krahëhapur ndaj atyre që na trokasin në derë?

P.S. Edi Rama i bën marrëveshjet për refugjatët jo sepse është më mendjehapur dhe më pak racist, por sepse ashtu ia dikton leverdia e tij politike. Edi Rama është gati të bëjë çdo gjë që t’iu qëndrojë nga ana e mirë krerëve të Evropës dhe Amerikës, që për të janë shpresa e vetme për të ndenjur në pushtet. Unë nuk i shkurajta këto rreshta për t’i dale në krah politikave të Edi Ramës, sepse e di që ato nuk nisen kurrë nga interesat e Shqipërisë. I shkruajta sepse mendoj që ne duhet të jemi më njerëzore, më pak (ose aspak) racistë, dhe duhet të heqim dorë një herë e përgjithmonë nga ideja idiote se jemi më të mirë se të tjerët. Nuk jemi - as më të mirë, as më të këqij.

© Arben Kallamata