Doktori përballë narkodiktatorit - Nga Sami Milloshi
Artikullin tim të fundit në gazetën “Rilindja Demokratike” në vitin 2013 e pata titulluar “Pacienti përballë Doktorit”. Në fund të artikullit thosha pak a shumë: “Kujdes se po ju vjen një Enver i dytë.” E kisha fjalën per këtë pacientin që ka dhjetë vjet si kryeminister. Nuk më dëgjoi kush...
Jo se po tregoj ndonjë “trimeri” të madhe. Tani është fakt se pacienti i atëhershëm, ia ka kaluar në të gjitha pikëpamjet Enverit të parë. I mungon vetëm shtatorja në sheshin Skënderbej. Por, mos u gaboni, edhe për atë ai është duke menduar, nëse kupton që nuk ka njerëz përballë që ta zvarrisin, sikurse bënë me shtatoren e Enverit të parë.
Pa u marrë shumë me Edimarren sikurse e quan nje mik i imi, mjafton të thuash se ai përfaqeson kryeministrin më të paaftë që ka pasur ndonjë herë Shqiperia. I pashkolluar mjaftueshëm për atë post, i përfolur për lloj lloj vesesh, aq sa edhe Fatos Nano na dëshmoi se “e solli me thonj të paprerë nga Parisi ku shiste ikona te vjedhura”, ai megjithatë, ia doli dhe po ia del, të zbatojë gjithë haluçinacionet e tij, si kompensim i nje artisti totalisht dështak. Pse?
Sepse Edi Rama e dorëzoi veten tek Mafia vendase dhe ajo ndërkombetare në këmbim të ruajtjes së karrikes. Ai atë karrike nuk e lëshon me votë. Hiqeni mendsh. Nuk e lëshon sepse nuk e lejon Mafia ta lëshojë, së pari. Dhe, së dyti, sepse nga pikëpamja psikologjike ai është peng I “egomaniac syndrome”. Sindromë që bashkëjeton me pacientin gjithë jetën dhe e detyron atë të mos mbajë asnjë përgjegjësi për veprimet ose mosveprimet e tij. Unë këtë e them, pa kurrfarë vetmburrjeje, por me saktesinë që do ta thoshte një psikolog, sepse ashtu më është dashur ta studioj atë sindromë psikike.
I zhytur në një llum të madh gabimesh dhe monstruozitetesh, kryeministri aktual, ndërkaq përpiqet të përfitojë nga rrethana fluide ndërkombëtare. Në këtë pikë duhet marrë seriozisht. Pse? Sepse ai është duke imituar modelin e Putinit, pavarësisht se po shtiret sikur po ndjek presidentin Biden.
Mos kini asnjë iluzion, se Edi Rama është duke u perpjekur të fitojë kohë deri kur miku i tij McGonigal të marrë dënimin tjetër në shkurt për dosjen ku emri i kryeministrit shqiptar përmendet 14 herë. Populli opozitar e ka për detyrë që të mos e lejojë ta fitojë atë kohë.
Populli opozitar duhet t’i thotë administratës amerikane se ajo nuk është mirë të tolerojë një korrupt që është shndërruar në narkodiktator duke përdorur të gjitha mënyrat makiaveliste, perfshi edhe kanalet e rryshfetit.
Shqiptarët e duan me shpirt Ameriken, por askush nuk mund të abuzojë me këtë marrëdhënie dhe të fshihet si struci në rërën e korrupsionit, as kryeministri aktual shqiptar.
Sali Berisha nuk ka nevojë për ndihmë retorike. Sali Berisha e ka fituar betejën me veten. Por, sot ai është përballë një narkodiktatori që mund të mos ndalet para asgjëje edhe për t’ia rrezikuar jetën. Prandaj, beteja për lirinë e Sali Berishës, si lideri politik i opozitës, nuk është betejë per një individ. Është beteja për lirinë e shqiptarëve. Po bleu heshtjen e Sali Berishës, Edi Rama, ka mundësi ta çimentojë veten në karriken e pushtetit më gjatë edhe se Putini.
Prandaj do të thosha si përfundim mos harroni dy gjera: e para, Edi Rama nuk di asgjë tjetër, por Makiavelin e di shumë mirë. Dhe ai po shtiret sikur imiton Bidenin në lojën politike kundër Trumpit, por në fakt është duke imituar Putinin në luftën mizore kundër Navalnit...
Para se shqiptarët të shkojnë e të votojnë lirisht, ata së pari, duhet të ndërgjegjësohen për ta fshirë nga zyra kryeministrin aktual. Sikurse e thotë edhe Doktor Berisha, “do ta kërrejmë atë (Edi Ramën) nga zyra”.
Tani, sot, nesër është vonë!
© Sami Milloshi












