Irma e madhe në sallën e vogël - Nga Jeta Dedja

Irma Libohova erdhi në Montreal të këndojë për shqiptarët. Ajo u ngjit në skenën e vogël të një salle modeste për përmasat e saj artistike. Personalisht ndjeva se e kishim fyer padashur artisten e madhe që një shumicë e mirë e njeh për të tillë dhe e konsideron si ujë të pakët në motin e art-teknologjisë ku të gjithë mund të këndojnë.
Salla e vogël dukej edhe më e vogël prej tavolinave me sallata e fileto pule që zaptonin metrat katrorë. Asnjëherë nuk do ta kuptoj praninë e pjatave përpara kur ftohen këngëtarë. E shoh si mungesë respekti ndaj artistëve të ngrënit ndërsa ata performojnë në skenë e për më tepër një traditë opresive anakronike (si atëherë kur pasanikë a kurorëmbajtës argëtoheshin prej valltarëve e këngëtarëve ndërsa shqyenin copat e mishit).
Nga ana tjetër, dashamirësit e artit në diasporë, ata që blejnë biletat sa herë që një këngëtar shqiptar vjen në Kanada nuk më janë dukur asnjëherë e as dje nuk dukeshin të babëzitur për ushqim. Ata kishin ardhur për Irmën që në orën 6 kur bileta njoftonte për fillimin e mbrëmjes. Pritën me durim 30 minuta më shumë të hapej dera e sallës së vogël për t’u ulur në tavolinat e caktuara, pritën edhe 1 orë më shumë derisa të vinte Irma në sallë.
Pritën me dashuri dhe mirëkuptim, si gjithmonë, madje pranuan me buzëqeshje të vuloseshin në duar me vula me xixa nga ato që lozin fëmijët e kopshtit, prej stafit organizator. Këto vula do t’u jepnin siguri organizatorëve që askush tjetër veç atyre që kishin paguar nuk do të hynin në sallën e vogël.
Se mund të ndodhte që ndonjë kokëkrisur të merrte rrugën e Lavalit nëpër motin e keq e me dëborë e të hynte papaguar në koncert. Pupupu... larg qoftë! Prandaj ata na vulosën dhe ne i lejuam për të mos prishur qejfin tonë dhe atmosferën e festës, normalisht.
Reth 300 veta sipas syrit tim, (edhe më shumë do të ishin mbledhur nëse do të kishte patur administrim dhe koordinim shumëplanësh dhe shpërndarje më të gjerë përgjegjësish e rolesh) kishin ardhur për Divën e cila nuk zhgënjeu. Ashtu e vogël në trup por me interpretim prej artisteje të madhe e të sprovuar në çdo lloj sallash e audiencash, ajo pushtoi lehtësisht shpirtrat e etur për këngën shqipe. Në interpretim “live” për rreth 5 orë Irma nuk shfaqi shenja lodhjeje. Luante me muzikën bash si me lodrën e saj, bënte ojna, përkëdhelej, e dominonte, e linte të lirë, shpesh herë e tërhiqte drejt vetes sikur donte ta ruante brenda kufijve të sallës së vogël.
E shihja dhe admiroja Irmën jo si një sapozbulim artistik, por si një artiste superinteligjente që iu përshtat përmasave dhe specifikave të sallës me mjeshtëri dhe dinjitet. E admirova Irmën për energjinë e pashtershme jo vetëm për të kënduar pa pushim dhe në mënyrë të arrirë, por për të respektuar një nga një deri në orën 2 të mëngjesit të gjithë ata që kishin ardhur aty për të.
Dhe ne të 300-tët pasi kërcyem shtrënguar e shpenguar në sallën e vogël, e cila mund të kishte qenë edhe më e madhe, nuk do të mbanim mend të nesërmen apo të pasnesërmen se çfarë kishim ngrënë e pirë, sa kishim paguar për biletë apo për garderobë, ku ishim ulur e çfarë kishim veshur, kush foli e çfarë tha. Ne me siguri do të mbanim mend që ishim në një sallë me Irma Libohovën, kërcyem gjithë natën, “e dogjëm, e mytëm fare” dhe do t’i vërtetonim këto me foto e video të shumta për ditë me rradhë deri në festën e ardhshme. Mirë e kemi!
P. S. Sa herë që më lind ideja të shkruaj për një temë që përfshin komunitetin e vogël të shqiptarëve në Kanada, e gjej veten para dilemës së madhe; të them atë që mendoj, të bëj vërejtjet që ndjej se qëndrojnë e të jem e qetë me veten apo të bëj lëvdata boshe, të mbyll sytë ndaj problemeve që vërej e të jem rehat me të tjerët dhe në siklet me veten. Eksperienca më ka treguar që ka edhe bashkëatdhetarë disi hatërmëdhenj që e personalizojnë kritikën. Gjithsesi, gjithmonë në fund mendoj se disa gjëra duhen thënë duke kapërcyer pengesat e perceptuara si të tilla prej njohjeve personale dhe rretheve shoqërore.
© Jeta Dedja - Flasshqip.ca