Urtësi

E mira dhe e keqja gjuhë!

Një herë e një kohë jetonte një njeri i mençur, por shumë i varfër. Për të fituar bukën e gojës ai punonte si gjellëbërës tek një i pasur. I zoti i shtëpisë mburrej për pasuritë që kishte, por ishte ca mendjeshkurtër.


Një ditë pasaniku ftoi disa miq për drekë. Thirri gjellëbërësin dhe e urdhëroi të gatuante vetëm dy gjellë: gjellën më të mirë dhe gjellën më të keqe.

Gjellëbërësi i hyri punës dhe gatoi gjellën më të mirë dhe atë më të keqe.
Kur u shtrua sofra, gjellëbërësi shtroi gjellën e parë, gjuhë derri.

- Kjo është gjella më e mirë? - e pyeti i zoti.
- Kjo - iu përgjigj gjellëbërësi.
- Po pse është kjo gjella më e mirë?
- Sepse, me gjuhë mund të flasësh për dashurinë, për lumturinë, për natyrën e bukur, pë shoqërinë e mirë, prandaj gjuha është edhe gjella më e mirë në botë.

Miqtë që ishin ulur në tryezë i thanë.
- Të lumtë, kështu është.
Pasi përfunduan gjellën e parë, gjellëbërësi shërbeu gjellën e dytë, e cila ishte gatuar po me gjuhë.

Pasaniku u zemërua keq dhe bërtiti.
-Çfarë bën kështu o i marrë! Më parë the se ishte gjëja më e mirë, ndërsa tani na doli më e keqja!!!

Gjellëbërësi vuri buzën në gaz dhe tha: 
- Po, ashtu është. Gjuha është gjëja më e keqe në botë. Gjuha shpall luftrat, gjuha ndan njerëzit. Me ndihmën e saj shumë njerëz gjithën kohën flasin veç marrëzira. Këta gjerëz të bardhën e bëjnë të zezë, të drejtën e bëjnë të shtrembër, të mirën të keqe, e kështu me radhë..

Të ftuarit dhe pse ishin torrollakë, këtë herë e kuptuan që gjellëbërësi donte të tallej me ta. Po nuk kishin ç`të bënin tjetër, vunë buzën në gaz e bënë gjoja sikur u kënaqën.

Shënim: Kjo përrallë është një përshtatje e historisë së fabulistit të lashtë grek skllavit Ezop me pronarin e tij Ksanthus.