Urtësi

Altruizmi - Nga Lumo Skëndo

M’e madhe e uratave, që mund t’i bëhet një shtëpie, një familjeje, është të shkuarit mirë: po s’pati një shkuarje të mirë, një dashuri rreth vatrës, atë shtëpi e merr lumi. Grindja dhe zihja e shuajnë shumë më shpejt se zjarri e se vdekja. Për të pasur rrojtjen e ëmbël në gji të një familjeje, duhet që çdo njeri të bëjë pak theror nga dëshirat e tij, të heqë pak dorë nga egoizmi, të ndjejë fajet e tjetrit e të kuptojë fajet e tij.

Një komb është një familje e madhe që ka nevojë për të gjithë të mirat e së voglës: shkuarja e mirë, harmonia, bashkëpunimi këtu janë shumë më të nevojshme se te familja. Për lumturinë e një kombi duhet që njeriu të ketë këtë virtyt, që në frëngjisht i thonë altruizëm. Altruizmi është vetia fare kundër egoizmit: egoizmi na urdhëron që të mundohemi vetëm për veten tonë, të bëjm’atë që na do qejfi, t’i bëjmë dëm tjetrit për të mirën tonë. Po altruizmi na këshillon që më parë të mendojmë tjetrin, të shikojmë të mirën e tij, të ruajmë të drejtat e shokut tonë, me një fjalë, altruizmi na thotë që çdo punë ta gjykojmë pas interesit të përgjithshëm dhe jo vetëm pas interesit tonë. Altruizmi është ajo lëndë, mund të themi, që lidh njerëzit e një kombi, gëlqerja që lidh gurët e një muri.

Altruizmi! Ah, është një fjalë e panjohur për ne shqiptarët. Sa është larg nesh altruizmi, kjo ndjenjë, ky virtyt! Armiqësi e përjetshme e shqiptarëve, fisi me fisin, fshati me fshatin, vëllai me vëllanë, është një prov’e mjaftë, që altruizmit në vendin tonë as emri s’i është dëgjuar!

Po ne kemi një veti tjetër të vyer: shkuarjen midis myslimanëve dhe të krishterëve.

T’i falemi një mijë herë Perëndisë dhe vetes, që grindjet e fesë nuk dihen pothuaj as fare në Shqipërinë tonë të dashur. Këto grindje fetare që kanë bërë kaq ligësi në Gjirit, Ermenistan, Bullgari, Bosnjë, Maqedoni e gjetkë, gjithë këta tmerre, vendi ynë, lavdi pastë Zoti, s’i ka parë kurrë!

Besimet, që na urdhërojnë dashurinë dhe vëllazërinë, shumë herë për fat të keq, janë bërë shkak për më të gjaktat dhe më të egërtat e luftrave. Histori e kohës së mesme dhe ajo e mëvonshme është plot rrëfime mbi këto ngjarje të shëmtuara: njeriu vriste njeriun për t’i “shërbyer” Perëndisë! Njeriu hidhesh i gjallë në zjarr, që të gëzohej Perëndia! Oh, sa turpe ka punuar njeriu dhe sa hipokrit ka qenë, duke kallëzuar fenë dhe Perëndinë për çdo punë të papëlqyer, që ka bërë.

E themi prapë: ne, shqiptarët, kemi shumë të meta: kemi bërë shumë faje, po kurrë ndonjëherë s’e kemi fëlliqur emrin tonë me grindje dhe zihje n’emër të fesë. Për këtë gjë jemi madhështorë dhe kjo mirësi na jep shumë kurajë për kohën që do të vijë, se ky virtyt na jep shpresa të mëdha për kombin tonë.

Fetë, myslimanëria dhe krishterimi na këshillojnë shkuarjen mirë, urtësinë dhe vëllazërinë; kurrë këto fe s’na kanë thënë që të zihemi dhe të çirremi me shoku-shokun. Myslimani me të krishterin, katoliku me ortodoksin duhet të jetojnë si vëllezër q’i ka bërë Perëndia, duke mos pasur asnjë ndryshim as të ndarë në mes tyre. Ahere do ta kuptojmë gjithë bukurin’e njerëzisë, gjithë vleftën e kësaj jete: ahere do ta shohim dhe lumturin’e këtij kombi të gjorë, që ka vuajtur gjer më sot gjithë të këqijat e dheut.

Kjo lumturi, kjo vëllazëri e plotë, s’është gjë e mosbëshme; shikoni n’Amerikë dhe ne Zvicër sa shkojnë bukur katolikë me protestantë: secilido fen’e ka në zemër të tij, secilido besimin e ka në kraharor, po kjo s’i ndalon dot në të shkuarit mirë dhe gjithë këta njerëz rrojnë si vëllezër pa ndonjë ndryshim fare në mes të tyre.

S’ka dyshim që kjo ditë do të vijë dhe për ne.

Gazeta “Lirija”, Selanik, Mars 1909

Burimi: Profili Facebook Mid’hat Abdyl Frashëri