Urtësi

Të ‘administrosh’ gjuhën e posttërmetit - Nga Ndue Dedaj

Është njëri nga emisionet e pasdites në një televizion kombëtar. Drejtuesja, me një përvojë mbi një çerek shekulli në ekran, pyet të ftuarit në studio me radhë: si e përjetove çastin e tërmetit, a thua se donte të dinte prej tyre se si e kishin kaluar “natën e bardhë”, mes tingujve dhe haresë që sjell një festë e tillë mes yjeve.

Dikush prej të ftuarve, si me takt, i kujtoi moderatores se nuk duheshin kujtuar ato çaste, duke argumentuar se kjo mund të krijonte, në mos panik, një gjendje stresante te njerëzit që dëgjonin etj.

“Si e kujton çastin e tërmetit?” është një pyetje që e kemi dëgjuar disa herë këto ditë para mikrofonëve, jo vetëm në Tiranë, por dhe në Durrës, Thumanë, Laç etj. Dhe njerëzit, para “urdhërit” të mikrofonit dhe kameras, kanë nisur të rrëfejnë, duke iu marrë disi goja, atë që nuk do të donin kurrë ta kujtonin as vetë, jo më para gjithë shqiptarëve. Përse duhet kujtuar me detaje tërmeti, kur gjëma e tij ende nuk ka kaluar plotësisht? Si u dridhën muret e ranë orenditë. Si njerëzit nxituar nëper shkallë... Si... Si... Si...

Nuk duam që, pa dashur, të biem dhe ne në pozitën e atyre që po qortojmë, për një maturi më të madhe mediatike. Thënë ndryshe, për një administrim të fjalës në ditë tilla, që iu takon më tepër heshtja. “Mat shtatë herë dhe pré njëherë” është një nga fjalët e urta të shqiptarëve dhe o sot, o kurrë, është rasti për ta zbatuar gërmë për germë. Por nuk është vetëm tradita. Janë manualet e gazetarisë për trajtimin mediatik të krizave, katastrofave natyrore, luftërave. Janë manualet e psikologjisë për mbajtjen larg të fëmijëve nga tmerri i ngjarjeve të tilla tronditëse, si trëmeti i këtyre ditëve, për vetë moshën e tyre dhe mungesën e përvojave jetësore.

Natyrisht të gjitha këto i dimë e, megjithatë, dikush harron dhe i rrëshqet gjuha: Si e përjetove tërmetin?...

Ndërkohë që tërmeti ende “vazhdon”, përderisa Durrësi dhe Thumana sapo kanë përcjellë njerëzit që i shoi në tridhjetë sekonda shkundullima e pamëshirshme e tokës, përderisa shumë e shumë vetë kanë braktisur shtëpitë e kanë shkuar te të afërmit e deri në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, për t’i ikur si tërmetit, si “kujtimit” të tij gjithë ankth të natës së 26 Nëntorit...

Ta ruajmë mikrofonin e përjetimeve emocionale për netët e bardha...